Princi Harry gjen dashurinë e jetës

2017-12-09 13:12:34 CRI Komenti juaj Printoni

Princi Harry dhe aktorja amerikane, Meghan Markle, janë të fejuar prej kohësh dhe kanë vendosur të martohen në pranverën e vitit të ardhshëm, njoftoi "Clarence House", rezidenca zyrtare e princit Charles.

"Madhëria e Tij Mbretërore dhe zonjusha Markle u fejuan në Londër këtë vit. Princi Harry njoftoi Madhërinë e Saj, Mbretëreshën, dhe anëtarët të tjerë të afërt të familjes", thuhet në një komunikatë të publikuar nga "Clarence House".

"Mbretëresha Elizabeth II reagoi duke u shprehur e magjepsur nga ky lajm", sipas një komunikate të Pallatit Mbretëror "Buckingham".

Nga ana tjetër, prindërit e Meghan Markle-it, Thomas Markle dhe Doria Ragland, u shprehën "jashtëzakonisht të lumtur për çiftin".

Çifti do të vendoset në Pallatin "Kensington", ku jetojnë aktualisht William dhe Kate, bashkë me dy fëmijët e tyre. Pas dasmës të shumëpritur të princit tjetër të Britanisë së Madhe, familja mbretërore do të zgjerohet edhe më shumë. Nuk ka dyshim se Pallati "Kensington" është pikërisht një vend përrallash ashtu siç kemi parë në filmat e "Disney"-t, ku shprehja "jetuan përjetësisht të lumtur" u shkon vërtet për shtat historive të jetës së princit William dhe vëllait të tij të vogël, princit Harry.

Princi Harry, 33 vjeç, dhe Meghan Markle, 36 vjeç, u njohën në korrik të 2016-s përmes miqve të përbashkët, siç ka thënë vetë aktorja nga Los Anxhelesi. Ata e shpallën dashurinë e tyre për herë të parë në publik në Toronto, duke mbërritur dorë për dorë në një ndeshje tenisi në "Invictus Games". E gjithë vëmendja e asaj dite ishte përqëndruar te çifti më i ri mbretëror. Historia e tyre e dashurisë ishte objektivi i mediave botërore, të cilat e vunë re menjëherë se çfarë po ndodhte mes princit Harry dhe të dashurës së tij, Meghan.

"Ne jemi një çift. Ne jemi të dashuruar. Ne jemi të lumtur. Personalisht, i adhuroj historitë e mëdha të dashurisë", deklaroi për revistën "Vanity Fair" amerikania 36-vjeçare që u bë e famshme në serialin amerikan "Suits".

Lindur më 15 shtator 1984 në Londër, Harry, djali më i vogël i Lady Diana dhe Princit Charles, është i pesti në rendin e trashëgimisë së fronit britanik. Martesa do të zhvillohet pranverën e vitit 2018. Zërat për një fejesë mes te dyve qarkullonin prej javësh, por Pallati "Kensington" priti deri në mëngjesin e 27 nëntorit për të dhënë konfirmimin zyrtar. Njoftimi për fejesën e tyre shënon një revolucion për familjen mbretërore britanike.

Pas martesës së Williamit me një "vajzë të thjeshtë" si Kate Middleton, monarkja Elizabeta II i jep dritën jeshile një tjetër bashkimi të pazakontë për "Buckingham Palace", duke lejuar hyrjen në familje të një të divorcuareje amerikane, e lindur nga një nënë me ngjyrë.

Aktorja amerikane mbante në gisht një unazë aspak të zakonshme. Ditën e hënë, kur princi Harry shpalli fejesën e tyre, vajza me të cilën ai është dashuruar kishte marrë një unazë vërtet të veçantë, diçka të re dhe të vjetër njëkohësisht.

Unaza e Meghan-it, të cilën princi Harry e ka dizenjuar vetë, bart tre diamante: një gur në qendër nga Botsvana e Afrikës dhe dy të tjerë nga koleksioni i nënës së princit, princeshës më të dashur në botë, Dianës, e cila vdiq në një aksident rrugor në vitin 1997. Detajet për unazën me diamante të princesësh të ardhshme Meghan, çifti i dha ditën e hënë në një intervistë të përbashkët të publikuar kudo në rrjetet sociale.

"Është tepër e veçantë ta kesh këtë unazë, e cila lidhet me Botsvanën, një vend i rëndësishëm për ne, dhe është thjesht e përkryer", i tha zonjusha Markle princit Harry gjatë intervistës. "Unaza është prej ari të verdhë, i preferuari i zonjushës Markle," tha princi Harry.

Çifti më i ndjekur i momentit tha se para zyrtarizmit të lidhjes së tyre, ata kanë qenë bashkë për rreth një vit e gjysmë. Vetëm pak javë pas lidhjes së tyre, princi Harry e ftoi vajzën amerikane në një udhëtim pesëditor në Afrikë, pikërisht në Botsvanë.

"Gjatë atij udhëtimi ne kishim mundësi të ishim vetëm për vetëm me njëri-tjetrin dhe kjo ishte vërtet e rëndësishme për mua", u shpreh Harry i lumtur.

Unaza u realizua nga firma "Cleave and Company", marka zyrtare që bën bizhuteritë e Mbretëreshës Elizabeta II. Drejtori i kompanisë u shpreh se ishte "shumë i nderuar që ka shërbyer" për prodhimin e kësaj unaze kaq magjike dhe domethënëse për Harry-n dhe Meghan-in.

Është më se e kuptushme se çifti ishte krejtësisht i papërgatitur se çfarë e priste historinë e tyre të dashurisë. Në të vërtetë, ata, si shumë çifte të tjera të ndodhura në qendër të vëmendjes, janë përballur me shumë fotografë dhe media, të cilët në njëfarë mënyre u kanë vjedhur privacinë. Ata janë ngacmuar shpesh dhe janë diskutuar nga shumë media nëpër botë. Në një deklaratë të pazakontë vjet, princi i akuzoi mediat se e kishin kaluar kufirin me kureshtejn e tyre për historinë më të re të dashurisë të Pallatit Mbretëror Britanik dhe tha gjithashtu se ishte i shqetësuar për sigurinë e zonjushës Markle.

Por si i propozoi Harry për martesë princesësh së tij? Ishte fare e thjeshtë. Ai i propozoi në shtëpi, gjatë një darke që kishin përgatitur të dy, larg kamerave, larg paparacëve, larg publikut. Ishte diçka private, ishte pikërisht siç kishte dashur princi Harry që të ndodhte, dhe ajo mbrëmje ishte pa dyshim më e bukura për Meghan-in.

"Ajo nuk më lejoi të përfundoja. Ajo tha: 'A mund të them 'po'? A mund të them 'po'?" tregon princi Harry. "Pastaj u përqafuam. Unë kisha unazën në gishtin tim dhe i thashë Meghan-it, 'A mund të ta jap unazën? " Dhe ajo tha: "Oh, po, unaza!".

Dasma është planifikuar për pranverën që vjen. Princi Harry gjeti dashurinë e jetës, Meghan-in, dhe ajo princin e saj të kaltër.

Mrekulli
Lajmet Kryesore