"Disney" zgjedh aktoren kineze Liu Yifei për rolin e Mulanit

2017-12-06 18:22:09 CRI Komenti juaj Printoni

Mulani është një nga heroinat më të famshme të "Disney"-t. Të gjithë e njohim historinë e Hua Mulanit, vajzës kineze, e cila maskohet si djalë për të shkuar në luftë. Edhe pse në ushtri nuk lejoheshin vajza, ajo do të bënte gjithça për atdheun e saj, Kinën, si dhe për të shpëtuar nga rekrutimi babain e saj të moshuar.

Filmi i animuar "Mulan", i prodhuar në vitin 1998, do të riprodhohet si film artistik dhe pritet të shfaqet në kinematë botërore në fund të 2019-s. "Disney" ka zgjedhur në rolin e Mulanit pikërisht një aktore kineze, Liu Yifei-n.

Liu Yifei njihet në Kinë edhe si "Zana", sepse ajo ka një pamje vërtet të bukur dhe delikate e gjithashtu rolet e saj në filmat fantazi kanë spikatur për nga bukuria dhe origjinaliteti. Liu Yifei është jo vetëm aktore, por edhe modele e këngëtare e njohur në Kinë. 30-vjeçarja Liu është rritur në Nju-Jork, kështu që ajo e zotëron shkëlqyeshëm gjuhën angleze dhe është më se e ambientuar me rregullat e kinematografisë amerikane apo edhe ëndrrat për t'ia mbërritur në majat e suksesit.

Thuhet se Liu është përzgjedhur nga rreth 1 000 kandidate që kanë konkurruar dhe janë intervistuar për interpretimin e rolit të Mulanit.

Përzgjedhja e personazhit kryesor të filmit është pritur me shumë entuziazëm jo vetëm nga ndjekësit e Liu Yifei-t në Kinë, por edhe më gjerë në botë.

Kemi një aktore kineze për një rol shumë të njohur e të dashur për popullin kinez dhe jo vetëm. "Më në fund ne kemi Mulanin tonë", shprehen në internet shumë prej admiruesve të filmit dhe aktores, edhe pse "Walt Disney" nuk ka bërë ende publike detaje të tjera lidhur me filmin, si aktorin kryesor apo kolonën zanore etj.

Vendimi i "Disney"-t për të zgjedhur një aktore kineze për rolin kryesor u prit pozitivisht nga mediat në të gjithë botën, pasi kësaj here pritej që "Disney" të konfirmonte se nuk do të përsëritej fenomeni i njohur si "whitewashing". "Hollivudi" është akuzuar më parë për përzgjedhjen e aktorëve të huaj të bardhë në role karakteresh aziatike. Filmat më të fundit të përfolur lidhur me këtë fenomen ("whitewashing") përfshijnë rikrijimin hollivudian të filmit vizatimor japonez "Ghost in the Shell", ku Scarlett Johansson interpreton rolin kryesor, apo filmi epik kinez "The Great Wall" ("Muri i Madh"), ku ekipi i aktorëve u udhëhoq nga aktori amerikan Matt Damon.

Me karakterin e Mulanit dhe përzgjedhjen e Liu Yifei-t në rolin kryesor mund të thuhet se "Hollivudi" ka bërë një hap përpara në promovimin e më shumë kulturave të ndryshme.

Që kur filluan të qarkullonin fjalë se "Disney" kishte për qëllim të xhironte Mulanin si një film artistik, filmi ka qenë nën shqyrtim intensiv dhe në të njëjtën kohë ka ngjallur shumë kuriozitet se cila do të ishtë Mulani, tashmë jo më në një rol vizatimor.

Një peticion në internet që bënte thirrje për një aktore aziatike në rolin e Mulanit, tërhoqi më shumë se 100.000 emra dhe firma para se të mbyllej të enjten, duke uruar sukses në fushatën për konkurrimin dhe përzgjedhjen e Liu Yifei-t.

Liu Yifei ka lindur më 25 gusht të vitit 1987 në Wuhan të Hubeit. Emri i saj i lindjes është An Fang. Babi i saj An Shaokang ishte sekretari i parë i ambasadës kineze në Francë, si dhe profesor i gjuhës frënge në universitet. Mamaja e saj Liu Xiaoli ka qenë kërcimtare, artiste e njohur e skenave. Që në moshën 10-vjeçare kur prindërit e saj u divorcuan, Liu Yifei u rrit nga e ëma.

Liu Yifei u fut në botën e modës dhe spektaklit kur ishte 10 vjeç, duke iu përkushtuar vallëzimit, aktrimit dhe pianos. Kur ishte 11 vjeçe, ajo u shpërngul së bashku me të ëmën në Nju-Jork. Që në moshë të vogël ajo filloi të kishte sukses dhe të mbështetej nga njerëz të cilët kishin shumë ndikim në industrinë e artit dhe të kinematografisë.

Ylli gjithmonë në ngjitje e tani aktorja krysore që do të luajë në filmin artistik të "Disney"-t, "Mulan", u kthye në Kinë në vitin 2002 për të ndjekur karrierën e saj në kinematografi. Aty ajo mori edhe emrin e artit "Liu Yifei". Në moshën 15-vjeçare ajo u pranua në Akademinë e Filmit të Pekinit dhe në vitin 2006 u diplomua me rezultate të shkëlqyera, duke e pasur të qartë rrugën e gjatë dhe të bukur të një personazhi që i përket tapetit të kuq. Ofertat për të luajtur në filma të ndryshëm dhe për të qenë gjithmonë në emisione televizive me famë në Kinë, ajo nisi t'i marë gjatë kohës kur ishte studente në Akademinë e Filmit të Pekinit.

Interpretimi i saj i parë në ekran ishte ai te "The Story of a Noble Family". Jo shumë më vonë ajo u përzgjodh të luante rolin e Wang Yuyan-it në "Demi-Gods and Semi-Devils", një prodhim bazuar mbi novelën e Louis Cha me të njëjtin titull. Në 2005-ën, Liu performoi në rolin e Zhao Ling-ut një përshtatje e "The Legend of Sword and Fairy". Një vit më pas ajo ishte pjesë në "The Return of the Condor Heroes", një serial televiziv shumë i ndjekur. Pas shumë spekulimeve se kush do ta luante Xiaolongnü-në, roli më në fund iu besua asaj. Ajo u mbështet shumë nga Cha, i cili besonte se ajo zotëronte të gjitha karakteristikat për të portretizuar personazhin e një femre të re e të pafajshme.

Në vitin 2008, Liu Yifei luajti përkrah emrave të mëdhenj të kinematografisë kineze, si Jet Li dhe Jackie Chan në "The Forbidden Kingdom", ku ajo interpretoi Harabelin e Artë, një jetime që donte të vinte drejtësi, duke u hakmarrë për prindërit e saj të vrarë. Në vitin 2010, ajo luajti në filmin "Love in Disguise" përkrah Leehom Wang. Vit pas viti karriera e saj kinematografike ka njohur vetëm sukses dhe përzgjedhja e saj këtë vit për të aktruar në rolin e heroinës kineze Mulan, në një film të "Hollivudit", është gjithça që do të donte të arrinte një 30-vjeçare pasioni i së cilës është kinemaja botërore.

Një numër i madh komentuesish në rrjetet shoqërore e blogjet më të lexuara në Kinë e kanë uruar Liu-n, duke thënë se ajo është zgjedhja më e duhur për karakterin e vajzës luftarake e të brishtë, të guximshme e të ndrojtur, të bukur e të dashur.

"Ajo përputhet krejtësisht me rolin", tha një komentues, ndërsa një tjetër shkruan: "Duhet të jetë njohëse e arteve marciale, duhet të flasë anglisht dhe duhet të ketë cilësitë e një ylli - patjetër që duhet të jetë Liu Yifei".

Mrekulli