"Victoria's Secret" shndërron Shangain në qendrën botërore të modës

2017-12-04 13:58:32 CRI Komenti juaj Printoni

Linja e famshme ndërkombëtare e të brendshmeve për femra, "Victoria's Secret", përfundoi para pak kohësh sfilatën e saj të parë të modës në Shangai.

Ishte hera e parë që një sfilatë e "Victoria's Secret" mbahej jashtë Shteteve të Bashkuara ose Europës që nga sfilatat e para që filluan në 1995.

 Modelet e Victoria's Secret në Shangai, 20 nëntor 2017

Më shumë se 3 000 të ftuar mbushën "Mercedes-Benz Arena" në Shangai për të parë sfilatën e 2017-s të "Victoria's Secret". Në këtë shfaqje sfiluan mbi 50 modele. Çfarë spikati në këtë spektakël madhështor ishte numri rekord i modeleve kineze, gjithsej shtatë.

"Unë jam shumë e emocionuar që marrë pjesë në këtë sfilatë të zhvilluar në atdheun tim. Shpresoj që njerëzit t'u kushtojnë më shumë vëmendje modeleve kineze," tha Liu Wen, një modele e njohur kineze.

"Victoria's Secret" u themelua në Shtetet e Bashkuara në vitet 1970. Marka e mirënjohur e të brendshmeve ka filluar të pushtojë tregun kinez, pasi një numër gjithnjë e më i madh i femrave kineze mund të përballojnë shpenzimet kolosale për të blerë veshjet luksoze të "Victoria's Secret". Ndër të tjera, modelet e njohura kineze, por edhe ato botërore, e kanë bërë edhe më të dashur këtë markë.

Kompania ka hapur dyqane të shitjes me pakicë në Pekin, Shangai, Chengdu dhe Chongqing dhe ka në plan të hapë edhe shumë pika të tjera shitjesh.

Sfilata e modës e "Victoria's Secret", e cila këtë vit u mbajt në muajin nëntor në Shangai, u kthye në një ndër ngjarjet më të ndjekura të modës dhe spektaklit në Kinë dhe botë. Atmosfera e edicionit të sivjetshëm ishte shumë orientale, me motive tradicionale të kulturës kineze, ngjyra të ndezura dhe flatra gjigante. Për herë të parë modelet e "Victoria's Secret" sfiluan edhe dyshe, ndërsa ishim mësuar t'i shihnim ato të sfilonin vetëm, por kurdoherë me një energji dhe entuziazëm për t'u admiruar, që në fakt e bën këtë markë tepër unike për stilin e organizimit dhe të performancës.

Në të njëjtën kohë, ekranet e televizioneve pushtohen nga sfilatat e "Victoria's Secret" sa herë vjen radha e edicioneve të përvitshme, dhe jo rastësisht e gjithë vëmendja e teleshikuesve kthehet nga "engjëjt" e pasarelave shndërritëse të "Victoria's Secret". Sfilatat e "Victoria's Secret" janë realisht të pangatërrueshme me të tjera ngjarje të ngjashme e suksesi i tyre thuajse aspak i konkurrueshëm.

Topmodelet e "Victoria's Secret' përkushtohen dhe punojnë sistematikisht për të dhënë më të mirën e tyre dhe për të qenë në formë fizike të shkëlqyer. Grupi i "engjëjve" të "Victoria's Secret" ka pasur gjithmonë për qëllim të mahnisë audiencën me performancën e vet e, mbi të gjitha, të promovojë veshjet e një ndër markave më të shquara në botën e modës.

Modelja kineze Liu Wen, e cila iu bashkua sfilatës së "Victoria's Secret" në 2009, ishte modelja e parë aziatike që mori pjesë në të. Pas saj, në sfilatat e "Victoria's Secret" u shfaqën edhe modelet He Sui, Ming Xi dhe Ju Xiaowen. Vlen të përmendet se modelja He Sui, që nga viti 2011, ka sfiluar në pasarelat e modës për shtatë vjet rresht.

Liu Wen gjatë sfilatës së "Victoria's Secret", Shangai, 20 nëntor 2017

Modelja kineze He Sui prezanton një krijim të "Victoria's Secret" në Shangai, 2017

 Xi Mengyao duke sfiluar për "Victoria's Secret" në 20 nëntor 2017, Shangai

Shfaqja e "Victoria's Secret' përbëhet zakonisht nga disa pjesë të ndryshme, të cilat përfaqësojnë një tematikë të caktuar, që pasqyrohet jo vetëm te veshjet intime të paraqitura nga modelet, por edhe te detajet e dukshme të çdo fragmenti. Këtë vit sfilata u nda në gjashtë pjesë kryesore: "Engjëjt Punk", "Engjëjt prej porcelani", "Përralla e dimrit", "Kombi mijëravjeçar", "Perëndeshat" dhe "Ëngjëjt shtegtues". Audienca kineze vlerësoi "Ëngjëjt prej porcelani' si pjesën më të bukur të gjithë mbrëmjes. Tema me hashtag-un "2017Victoria's Secret" (#2017Victoria's Secret) tërhoqi plot 470 milion klikime, kështu që platforma kineze "Sina Weibo" u kthye që atë ditë në një ndër blogjet më të klikuara në Kinë.

Nuk mund të mungonin në pasarelën e "Victoria's Secret" yjet e saj si Adriana Lima, Alexandra Ambrosio, Elsa Hosk, Romee Strijid, apo edhe Candice Swanepoel, e cila u rikthye sivjet pas mungesës së saj vitin e shkuar, kur solli në jetë një fëmijë. Ndërsa modelja e famshme Gigi Hadid, e cila nuk mundi të merrte pjesë në sfilatë, u zëvendësua nga motra e saj Bella Hadid.

 Adriana Lima në Shangai, 2017

Alessandra Ambrosio në sfilatën e "Victoria's Secret" në Shangai, 2017

Por, me gjithë madhështinë, nuk munguan edhe incidentet, si çmimi i shtrenjtë i biletave, rënia në pasarelë e modeles kineze Ming Xi, e cila e ndihmuar nga kolegia e saj, e kaloi me buzëqeshje atë moment delikat dhe vazhdoi denjësisht.

 Modelet e Victoria's Secret festojnë mbylljen e sfilatës së modës në Shangai

Azia ishte në fakt destinacioni i shumëpritur për sfilatën e radhës së gjigantëve të veshjeve intime dhe topmodeleve me famë botërore, që janë jo vetëm ikonat e "Victoria's Secret", por edhe ikonat e pasarelave, reklamave kozmetike dhe firmave më të njohura, faqeve kryesore të revistave më të lexuara të modës, televizioneve më të ndjekura, si dhe botës së spektaklit.

Duartrokitjet e shumta dhe të shpeshta të mijëra të ftuarve vërtetuan edhe rezultatin e suksesshëm të sfilatës më të mirëpritur të vitit, pikërisht të mbajtur në qytetin e modës së Kinës, Shangai.

Mrekulli
Lajmet Kryesore