Java e modës në Kinë dhe stilistët kinezë në majat e pasarelave botërore

2017-12-04 10:24:57 CRI Komenti juaj Printoni

Moda është pa diskutim pasion për një numër të madh njerëzish. Ajo është frymëzim për shumë ndjekës e admirues të saj, pasqyrim i trendeve të fundit të fushës, të cilat për shumë vajza dhe djem kthehen në stil personal të mënyrës së të veshurit, si edhe në stil jetese. Moda është gjithashtu një industri më vete, ku qindra mijë veta punojnë për të prodhuar gjithçka që ne shohim, nga detajet më të vogla, të atyre sfilatave madhështore, dritave, pasarelave, modeleve, veshjeve të stiluara me kujdes, e deri tek figurat kryesore të performancave të pritura me padurim. Stilistët dhe veshjet e tyre mbajnë gjallë, teorikisht dhe praktikisht, vazhdimësinë e modës. Stilistët dhe modelet, por edhe menaxherët e kësaj bote aspak të lehtë për t'u administruar, arrijnë deri në vetësakrifikim për t'u treguar njerëzve se ata nuk do të ishin po kaq të bukur pa ekzistencën e veshjes dhe se është veshja që në fund të fundit na bën aq të ndryshëm nga njëri-tjetri.

 Java e Modës në Pekin, Nëntor 2017 

Për ata që jetojnë me modën dhe me padurim presin zhvillimet e fundit, nga Europa, Amerika, Azia dhe më gjerë, Java Kineze e Modës u mbajt në Pekin nga 29 tetor deri më 7 nëntor. Ditët e modës në Pekin ishin pa dyshim të suksesshme dhe u pritën shumë mirë nga mediat vendase dhe botërore. Tipar dallues i Javës së Modës në Pekin ishte edhe pjesëmarrja e shumë figurave të njohura jo vetëm të modës, por edhe të muzikës, kinematografisë e biznesit, që në të vërtetë janë edhe konsumuesit më të etur të firmave me emër, sepse ata jo vetëm që janë të lidhur me botën e modës më nga afër, në rrugë profesionale dhe miqësore, por edhe janë në gjendje të përballojnë financiarisht çmimet e kripura të veshjeve të pasarelave.

Ndër stilistët me emër të cilët prezantuan krijimet e tyre gjatë Javës së Modës në Kinë ishin Hu Sheguang, Ma Yanli, Zhao Yufeng, Liang Zi, Zhang Zhifeng, Ann Eleven, Zhang Zhaoda, Hou Zhijie, Ne·Tiger, Chen Wen, Zeng Fengfei, Xu Xinyin e të tjerë.

Java e Modës në Kinë ishte mishërim i një botëkuptimi krejt ndryshe të një brezi të ri stilistësh që po marrin famë me përmasa botërore. Këta të rinj të talentuar sollën në pasarelat e Pekinit vizionet e tyre moderne dhe mënyrën se si ata e shkrijnë në një masë të vetme të suksesshme kulturën tradicionale dhe modën.                           

  Krijim i NE·TIGER gjatë Javës së Modës në Pekin, 29 Tetor 2017

Model i koleksion-it Verë/Pranverë 2018 të Ma Yanli, Pekin 2017

Trashëgimia kulturore e Zhao Yufeng-ut është puna e tij me mëndafshin kinez. Koleksioni i dytë i Zhao Yufeng-ut paraqiti përdorimin e mëndafshit natyror të butë që duket sikur lundron, copa të mëndafshta me qëndisje dhe ngjyra të ndryshueshme gradualisht. Gjatë raundit të tretë të sfilatës, krijimi u dedikohej grup-moshave të ndryshme, të moshuarve, prindërve, të rinjve dhe fëmijëve. Kjo shfaqje përfshinte elemente që simbolizojnë vlerat familjare kineze të bashkimit, harmonisë dhe lumturisë.

Stilistët kinezë, shumë prej të cilëve të afirmuar në majat e botës së modës, kanë prezantuar modelet e tyre edhe në javët e modës në kryeqendra të tjera të botës, si Masha Ma në Paris, Huishan Zhang në Londër, LANYU, Vivienne Hu dhe stilistja e "Shanghai Baroque" Taoray Wang në Nju-Jork, qytete këto të cilat janë zemra e kësaj industrie.

Nga koleksioni i Vivienne Hu, në javën e Modës në Nju-Jork, 10 Shtator 2017

Krijimet e stilistes nga Shangai Taoray Wang, gjatë Javës së Modës në Nju-Jork, ishin si një festë pamore magjepsëse. Vizitorët u impresionuan nga përzierja e veçantë e kulturës kineze me kulturat perëndimore. Në koleksionin pranverë-verë 2018, stilistja e njohur shfaqi nëpërmjet modeleve të saj një shkrirje të Lindjes dhe Perëndimit, modernes dhe klasikes, feminitetit dhe mashkullores, në një sfilatë që ajo e quajti "Shanghai Baroque". Ajo u bë shumë shpejt e njohur, që nga dalja e parë në vitin 2014, kur mori shumë duartrokitje dhe vlerësime, veçanërisht për kombinimin e artit modern dhe elementeve tradicionale kineze.

 Krijimet e Taoray Wang, Pranverë-Verë 2018, Nju-Jork

"U frymëzova papritur ndërsa dëgjoja një koncert në të cilin një grup muzikantësh kinezë, shumë të rinj e me shije, performonin muzikë dhome britanike të stilit barok," tregon Wang. Siç edhe është shprehur Wang për veten, kultura kineze është e rrënjosur thellë tek ajo, gjë që mund të kuptohet edhe nga qepjet dhe ngjyrat që përdor. "Unë jam shumë krenare që jam kineze. Kultura kineze është diçka që kërkon kohë për t'u zbuluar dhe kuptuar," shprehet Taoray Wang.

Modelet e Wang gjatë prezantimit të veshjeve së saj, Nju-Jork, 9 Shtator 2017

Tiffany Trump, më e reja e dy vajzave të Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, e ulur në rreshtin e parë përgjatë pasarelës, ishte ndër njerëzit më të famshëm që panë shfaqjen e Wang-ut në Nju-Jork. Kur u intervistua për të shprehur ndjesinë e saj mbi sfilatën e stilistes kineze Taoray Wang, Tiffany tha se veshjet e saj janë thuajse perfekte, dhe se pak artistë të tjerë të së njëjtës fushë ia dalin me sukses të përfshijnë forcën dhe rrjedhshmërinë në rrobat që stilojnë. Po atë mbrëmje Tiffany Trump mbante një veshje të stiluar nga Wang-u, gjë që e impresionoi stilisten për besimin që Tiffany kishte treguar me zgjedhjen e saj.

 

Tiffany Trump dhe stilistja Taoray Wang pas përfundimit të sfilatës në Nju-Jork

"E vërteta është se moda ka një ndikim të madh në jetët tona, dhe se ajo tejkalon kulturat, kohën dhe gjeografinë", tha Wang pas shfaqes së saj në Nju-Jork.

Kina është gjithashtu vend i preferuar për të jetuar për disa stilistë të huaj të rinj e të talentuar. Aaron Eagles është një stilist amerikan, i cili jeton tani në Pekin dhe së fundmi paraqiti modelet e tij në Javën Ndërkombëtare të Modës në Tianjin. Historia e Eagles-it është vërtet interesante, pasi ai tregon se si u dashurua me vendin, njerëzit dhe jetën në Kinë ku shkoi për herë të parë aty thjesht për të vizituar disa fabrika dhe për të gjetur copa të ndryshme për modelet e tij. Në fillim Eagles-i synonte të prodhonte veshjet e firmës së tij në Kinë, me qëllim për t'i shitur ato në Amerike. Por më pas ai vendosi të sillte markën e veshjeve të tij në Kinë.

Shumë artistë që kanë lindur me dhuntinë për të bërë të prekshme atë që hedhin më parë në letër, duhet të përpiqen që moda, sikurse puna e tyre, të jetë më e dashur me njerëzit dhe ambientin, të jetë më pak "e egër" se ç'është zakonisht, t'i shërbejë shoqërisë më shumë, duke mos dëmtuar të mirën e përbashkët. Moda duhet t'i bëjë njerëzit shumë herë më të lumtur, dhe të shpërfaqë në përmasa të tjera bukurinë dhe konceptin tejet të gjerë mbi të, të nxjerrë në sipërfaqe elegancën, ndjeshmërinë dhe personalitetin e njerëzve. Ndonjëherë është e pabesueshme se sa të lidhur janë njerëzit me modën. Shumë prej nesh kanë prirjen ta paragjykojnë këtë fakt, apo kohën e humbur dedikuar modës, por e vërteta është se kjo industri kolosale është jo vetëm profesion, por edhe një ushtrim pasioni thellësisht subjektiv, që në të vërtetë i bën shumë njerëz thjesht të lumtur.

Mrekulli
Lajmet Kryesore