Magjia e "Harry Potter"-it afron të rinjtë në teatrot e Londrës

2017-04-19 15:30:29 CRI Komenti juaj Printoni
Magjia e jashtëzakonshme e "Harry Potter"-it ka bindur më 9 prill në mbrëmje edhe një herë Britaninë. Por, kësaj here, kjo ndodhi jo në librari apo në kinema, por në ceremoninë e dhënies së Çmimeve "Laurence Olivier", çmimet më prestigjioze të teatrit, operave dhe komedive muzikore në Britani. "Harry Potter dhe fëmijët e mallkuar" fitoi nëntë çmime të mëdha, duke u bërë një mrekulli e rrallë në historinë e teatrit britanik dhe ka tërhequr gjithashtu shumë të rinj në teatrot e Londrës.

Seria e romaneve fantastike "Harry Potter", e shkruar nga shkrimtarja britanike J. K. Rowling, është përkthyer në 75 gjuhë të ndryshme dhe është botuar në mbi 200 vende dhe rajone të botës, duke u renditur ndër romanet më të shitura në botë. Edhe filmat e krijuar mbi bazën e këtyre romaneve kanë vendosur rekorde lidhur me shitjen e biletave në kinema dhe janë bërë ndër filmat serialë më të shitur në botë.

Ndryshe nga shtatë vëllimet e tjera të romanit "Harry Potter", "Harry Potter dhe fëmijët e mallkuar" është një pjesë e vënë në skenë në teatrot e West End-it në Londër dhe ndahet në dy pjesë. Kjo pjesë filloi të shfaqet zyrtarisht nga 30 korriku 2016.

Ngjarjet e pjesës "Harry Potter dhe fëmijët e mallkuar" zhvillohen 19 vjet pas atyre që trajtohen në librin e fundit të serisë "Harry Potter", "Harry Potter dhe shenjtët e vdekur". Harry Potter është tashmë në moshë të mesme dhe punon në Ministrinë e Magjisë. Pjesa përshkruan një sërë peripecish që i ndodhin Harry-t dhe djalit të tij të dytë, Albus Potter.

Që prej fillimit të shfaqjes së kësaj pjese, çdo herë salla e teatrit mbushet plot me spektatorë. Biletat për këtë pjesë janë shitur të gjitha edhe për fillimin e vitit të ardhshëm.

Në kohën e internetit të lëvizshëm, duket sikur pjesët teatrore tradicionale kanë dalë nga moda dhe po përballojnë sfidat e teknologjisë së re dhe të mënyrave të reja të argëtimit. Bashkautori i "Harry Potter dhe fëmijët e mallkuar", Jack Thorne, thotë: "Ne po konkurrojmë me 'Playstation'. Që të fitojmë, duhet t'i tërheqim adhuruesit e lojërave elektronike dhe t'i sjellim ata në teatër."

Afro 75 për qind e shikuesve të "Harry Potter dhe fëmijët e mallkuar" janë të rinj. Pasi ata shikojnë këtë pjesë, u lind kureshta për të pare edhe pjesë të tjera dhe kështu, shumë prej tyre kanë filluar të dëshirojnë të shkojnë në teatër.

"Harry Potter dhe fëmijët e mallkuar" është një nga pjesët kryesore teatrore të vëna në skenën e teatrove të West End-it vitin e kaluar, duke i sjellë këtij rajoni të Londrës shumë të ardhura. Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2016, të ardhurat nga shitja e biletave në teatrot e West End-it të Londrës kanë arritur në 15.3 miliardë milionë paundë, duke u shtuar 8 për qind në krahasim me vitin 2015.

Regjisori John Tiffany thotë se ai bashkë me trupën e "Harry Potter dhe fëmijët e mallkuar" kanë shkuar në Nju-Jork për të bërë përgatitje për shfaqjen e pjesës në "Broadway". Parashikohet se pjesa do të shfaqet në "Broadway"në pranverën e vitit të ardhshëm. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore