Tian Fuzhen (Hebe Tien)

2017-03-24 09:21:06 CRI Komenti juaj Printoni

 

Tian Fuzhen, e njohur edhe si Hebe Tien, ka lindur më 30 mars 1983 në distriktin Hsinchu të provincës Tajvan. Ajo është këngëtare, aktore dhe një nga anëtaret e grupit muzikor femëror S.H.E.

Në vitin 2000, kompania e regjistrimit muzikor "HIM International Music" organizoi "Konkursin universal të bukurisë dhe talentit të vajzave", në kërkim të artisteve të reja. Hebe mori pjesë në këtë konkurs dhe zuri vendin e tretë, ndër më shumë se 1000 konkurruese. Pas konkursit, Hebe Tien, bashkë me Ren Jiaxuan dhe Chen Jiahua, që morën pjesë edhe ato në këtë konkurs, nënshkruan kontratë me "HIM International Music". Kjo shënoi krijimin e grupit S.H.E. Të tri vajzat jo vetëm u bënë mikedha të ngushta midis tyre, por edhe arritën të kenë një sukses të madh në qarqet artistike, duke hapur një faqe të re në grupet muzikore për femra dhe duke u sjellë kënaqësi dashamirësve të muzikës.

Përveç këngës, Hebe Tien iu përkushtua edhe aktrimit. Në vitin 2001 ajo interpretoi më filmin "Dashuri magjike", ndërsa një vit më pas në filmin "Trëndafili". Viti 2004 do të ishte mjaft i ngarkuar për Hebe, pasi ajo interpretoi në tre filma: "Sipërmarrja 'Thuaj po': Hirushja", "Gëzuar Vitin e Ri 2004" dhe "Një yll i fshehur". Në vitin 2005, Hebe Tien luajti rolin kryesor në telenovelën "Duke synuar yjet", kurse në vitin 2007, ajo luajt rolin kryesor në një tjetër telenovelë, "Lufta e demave".

Për sa i përket muzikës solo, në shtator të vitit 2010, Hebe Tien publikoi albumin e saj të parë, "To Hebe". Ky album u nominua për katër çmime në edicionin e 22-të të Konkursit të Këngës në Tajvan, duke fitur çmimin "Albumi më i mirë në gjuhën standarde kineze".

Më 2 shtator 2011, Hebe Tien hodhi në treg albumin e saj të dytë, "Me love", i cili fitoi edhe ai çmimin"Albumi më i mirë në gjuhën standarde kineze".

Më 29 nëntor 2013, Hebe Tien nxori albumin e tretë "Insignificance", që do të pasohej vitin e kaluar nga "Day by Day"

Hebe Tien po ashtu ka kënduar edhe këngët e një numri filmash. Kështu, ajo ka kënduar këngën "Fati i vogël" për filmin "Vajzat e mia" (2015). Ajo po ashtu ka kënduar në duet me Boran Jing këngën e filmit "E Bukura dhe bisha" të "Disney"-t, që sapo ka filluar të shfaqet nëpër kinema.

Për sa i përket jetës private dhe kohës së lirë, Hebe Tien thekson se çlodhja dhe relaksimi janë më se të nevojshme për t'u çliruar nga ngarkesa e punës. Ajo thotë: "Unë mendoj se koha është shume e çmuar, prandaj pushimi është më i rëndësishëm se gjërat e tjera." Sigurisht, ka shumë mënyra për pushim. Përveçse jogës, turizmi është një nga mënyrat e pushimit për Hebe Tien.

Asaj i ka lënë përshtypje shumë të thellë Islanda, ku ndonëse ajo shkoi përsëri për punë, për xhiruar albumin e saj të fundit, përsëri kaloi një kohë mjaft të bukur relaksimi e turizmi. Hebe Tien e quan vërtet të mahnitshëm mjedisin e Islandës. "Atje uji është shumë i pastër dhe ajri është shumë i kthjellët. Atje uji mund të pihet direkt," thekson ajo. Pa harruar të shtojë. "Përveç kësaj, në Islandë ka edhe shumë grupe muzikore të nivelit të lartë."

Hebe Tien luan një rol të rëndësishëm në grupin S.H.E. Njekohësisht, ajo ka edhe shumë këngë të bukura solo. Këngët e saj u lënë dëgjuesve përshtypje shumë të thellë. Zëri i saj është i pastër, i qartë dhe mahnitës, duke të dhënë një ndjesi magjike. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore