Viya, mbretëresha e shitjes në transmetim të drejtpërdrejtë në "Taobao"

2020-06-12 16:25:41 CRI Komenti juaj Printoni

1.5 tonë kokrra kafeje nga Ruanda, sa vëllimi i përgjithshëm i shitjes gjatë vitit 2019 nga Kompania e Kafesë e Fermerëve të Ruandës (RFCC), u shitën brenda një sekonde, pasi Viya, ylli i shitjeve nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejt në internet në Kinë, shpalli nisjen e shitjes në "Taobao.com", platformën e blerjes në internet pranë grupit të tregtisë elektronike "Alibaba".

Ky transmetim i drejtpërdrejtë më 14 maj tërhoqi mbi 10 milionë shikues në internet.

"Është me të vërtetë e mahnitshme," tha pas shikimit të promovimit nga Viya Ermest Nshimiyimana, një nga 4 mijë fermerët ruandezë që furnizojnë me kafe RFCC-në me seli në Kigali.

Edhe Kim Kardashian u mahnit. Më 6 nëntor të vitit të kaluar, disa ditë para Festës së Blerjeve në Internet të 11 nëntorit, Kardashian u shfaq përmes një videotelefonate në studion e shitjeve nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë të Viya-s. Kur shikoi nga afër se Viya shiti brenda një minute 15 mijë shishe parfumi të markës së vet, Kardashian-i u habit, duke thënë: "O Zot, është e pabesueshme!"

Viya, me dhjetëra milionë ndjekës, quhet "mbretëresha e shitjeve nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në internet" në "Taobao". Në transmetimet e drejtpërdrejta, ajo shet jo vetëm ushqime dhe artikuj kozmetike, por edhe automjete, banesa, e madje edhe shërbimin e lëshimit të raketës mbartëse. Tani është bërë një zakon për shumë kinezë që çdo mbrëmje të shikojnë transmetimet e drejtpërdrejta të Viya-s dhe të blejnë mallra të promovuara nga ajo.

Çfarë forcë tërheqëse ka Viya, që është bërë numri një i padiskutueshëm për sa u përket shitjeve me anë të transmetimit të drejtpërdrejtë në "Taobao"?

Viya, emri i vërtetë i së cilës është Huang Wei, ka lindur në një familje biznesmenësh në vitin 1985. Ajo ka qenë këngëtare dhe modele. Në vitin 2003, Viya filloi të merrej me shitjen me shumicë të veshjeve në Pekin dhe biznesi i saj filloi të lulëzojë gjithnjë e më shumë. Deri në vitin 2008, ajo dhe i shoqi kishin hapur dhjetë dyqane veshjesh në qytetin Xian.

Por prirja e mirë ndryshoi katër vjet më vonë, në vitin 2012, kur dyqanet e saj u goditën rëndë nga tregtia elektronike. Viya dhe burri i saj u shpërngulën në Guangzhou dhe hapën një dyqan në internet në platformën "Taobao". Në rrugën e tregtisë elektronike, ajo hasi shumë zigzage dhe madje humbi miliona juanë.

Ajo dyshoi te vetja: mos vallë nuk jam e përshtatshme për biznesin në internet? "Atëkohë, mendova të heq dorë qindra herë, por vetëm me gojë. Këmbëngula me vepra."

Duke kujtuar të kaluarën, Viya mendon se çdo përvojë vuajtjeje e saj është përgatitje për arritjet në punën e sotme. "Beso, të gjitha hidhërimet e kaluara janë baza e suksesit tënd të ardhshëm," tha Viya.

Pavarësisht nga humbjet, Viya harxhoi më shumë kohë dhe bëri më shumë përpjekje për dyqanin në internet. Në vit më vonë, biznesi i saj në "Taobao" u përmirësua. Më 11 nëntor të vitit 2014, vëllimi i shitjes i dyqanit të saj i kaloi 10 milionë juanët dhe vëllimi i përgjithshëm atë vit i kaloi 30 milionë juanët.

Suksesi i saj ngjalli vëmendjen e zyrtarëve të "Taobao"-s, që e inkurajuan të provonte transmetimin e drejtpërdrejtë në këtë platformë.

Në fillim, Viya rrëfente në studion e transmetimit të drejtpërdrejtë vetëm për përvojën e saj në përshtatjen e veshjeve dhe në jetë. Më vonë, ajo filloi të shiste mallra gjatë transmetimit, përfshirë veshje, ushqime të lehta, artikuj të përdorimit të përditshëm, pajisje elektroshtëpiake etj. Çdo shtim i kategorisë së mallrave ishte një vështirësi për biznesmenen e re, por çdo herë ajo i kapërceu pengesat dhe eci më përpara.

Zgjedhja e mallrave, lidhja me prodhuesit, përgatitja e skenarit, transmetimi i drejtpërdrejt, përsëritja ... Viya është e ngarkuar plot me punë. "Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, duhet të jem ballë për ballë me shikuesit, truri im duhet të jetë shumë i qartë dhe duhet ta përqendroj të gjithë vëmendjen," thekson ajo.

Me shtimin e prestigjit, Viya fitoi gjithnjë e më shumë ndjekës dhe dyqanet e saj të këpucëve dhe të veshjeve në "Taobao" patën një zhvillim të vrullshëm. Në vitin 2016, xhiroja vjetore iu afrua 300 milionë juanëve.

Më 10 tetor 2017, Viya shënoi rekordin e shitjeve prej 70 milionë juanësh brenda 5 orësh.

Në mars 2018, 32-vjeçarja Viya u radhit në vendin e parë në listën e të ardhurave të pronarëve në "Taobao" me të ardhura vjetore 30 milionë juanë.

Rekordi i Viya-s në shitjen gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë u thye herë pas here nga vetë ajo. Në kuadrin e Festës së Blerjeve në Internet të 11 nëntorit 2019, në studion e transmetimit të drejtpërdrejtë të Viya-s, vëllimi i xhiros i kaloi 3 miliardë juanët.

Në vitin 2020, Viya pati kulmin në shitjen gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë. Më 1 prill, shërbimi i lëshimit të raketës mbartëse u shit brenda një sekonde me çmimin 40 milionë juanë.

Gjatë një veprimtarie të interesit të përgjithshëm në ndihmë të provincës Hubei, Viya bashkëpunoi me prodhuesin e automjeteve "Dongfeng" dhe në studion e transmetimit të drejtpërdrejtë me 5 milionë shikues, shiti 1750 automjete brenda 7 minutash.

Ajo e shpërnguli studion e saj në sallonin e ekspozimit dhe shiti apartamente në transmetim të drejtpërdrejtë.

Viya gjithashtu promovoi orizin në ndihmë të Yuang Longping-ut, që quhet "ati i orizit hibrid" dhe shiti 430 mijë kilogramë brenda një minute.

Vitet e fundit, Viya ka provuar transmetimin për interesin e përgjithshëm. Ajo ka shkuar në zonat e varfra rurale, duke zgjedhur produkte cilësore bujqësore për t'i shitur në studion e saj, me qëllim që këto produkte të dalin nga malet e thella dhe të hyjnë në treg.

"Mendoj se vlera më e madhe tregtare është krijimi i vlerës për të tjerët. Shpresoj që nëpërmjet studios time të krijoj markën për këto produkte bujqësore dhe të nxit gjithnjë e më shumë njerëz në rrugën e pasurimit. Kjo është puna që dëshiroj," shprehet e reja.

Duke i hedhur një vështrim përvojës së vet, Viya tha se suksesi i saj vjen nga provimi dhe ndryshimi i pandërprerë: "Vetëm po të provosh, do të dish nëse bën për ndonjë gjë. Nuk ekziston ndonjë histori e suksesit brenda natës. Të gjitha sukseset janë arritur pas një mijë netësh."

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore