"Ditari i Wuhan-it 2020" nga ilustratorja e re Li Jing

2020-05-15 23:07:39 CRI Komenti juaj Printoni
Li Jing është një ilustratore në të 30-tat. Më 12 shkurt 2020, ajo u diagnostikua e infektuar me virusin e COVID-19 dhe u shtrua në spitalin e përkohshëm "Dunkou" të Wuhanit.

Në 12 shkurt, në Wuhan u raportuan 13 436 raste të reja të koronavirusit, një numër rekord. Atë ditë moti në Wuhan ishte i vrenjtur e i ftohtë dhe ra pak dëborë, moti më i mërzitshëm për banorët e Wuhan-it.

Një ditë më përpara, në të gjitha lagjet e banimit të këtij qyteti filloi administrimi i mbyllur dhe njerëzit nisën distancimin shoqëror prej njëri-tjetrit.

Në fillim Li Jing-u nuk mësohej dot me jetën në spitalin e përkohshëm me kabina, ku tualeti nuk mund të përdorej aq lehtë. Ajo kishte merak edhe për shëndetin e së bijës dhe të prindërve, se mos edhe ata ishin prekur nga koronavirusi.

Më 13 shkurt grupi i dytë mjekësor nga qyteti Nankin u nis për në Wuhan. Më vonë erdhën në Wuhan edhe mbi 180 grupe mjekësore të tjera me mbi 20 mijë mjekë e infermierë nga mbarë vendi.

Më 16 shkurt Li Jing-u filloi të mësohej me jetën kolektive në kabinën e spitalit të përkohshëm. Ajo llogariti ditët dhe mendoi se anëtarët e familjes duhej të ishin të sigurt. Li nuk shqetësohej më dhe filloi të vëzhgonte njerëzit përreth.

Si një ilustratore, Li Jing tregonte vëmendje për secilin punonjës mjekësor pranë saj, por fytyrat e tyre nuk mund të shiheshin prapa veshjes së trashë mbrojtëse, që u mbulonte trupin nga kryet te këmbët.

Li Jing-ut veshjet e tyre i dukeshin si kostumet e kozmonautëve, e po ashtu edhe veprimet e tyre ishin si të kozmonautëve, sepse veshjet e trasha mbrojtëse pengonin lëvizjen e tyre. Edhe shumë veprime të zakonshme mjekët e infermierët i bënin në mënyrë shumë të ngadaltë, si "Baymax" në filmin "Big Hero 6".

Ditët në spitalin e përkohshëm ishin të thjeshta e monotone, por nuk mungonte forca e rritjes dhe e rimëkëmbjes. Li Jing u prek nga kjo forcë dhe dëshironte t'i shënonte momentet në spital sa më mirë që të mundej.

Ky është një shënim vetjak, që pasqyron një pjesë të vogël të Wuhan-it. Në spitalin e përkohshëm u pranuan të prekurit me simptoma të lehta, prandaj atje s'kishte ndonjë pamje mallëngjyese.

Li Jing bleu një stilolaps dhe një fletore me katrore. Ajo u përpoq të kapte çdo detaj përpara syve të saj e përpjekjet e çdo njeriu.

"Fitorja e Wuhan-it përcakton fitoren e provincës Hubei, ndërsa fitorja e Hubei-t përcakton fitoren e mbarë Kinës".

Atëherë, Wuhan-i, epiqendra e epidemisë në Kinë, ishte ende fokusi i shqetësimit të mbarë popullit kinez.

Më 19 shkurt, numri i rasteve të reja të COVID-19 ra në 615, duke qenë për herë të parë treshifror.

Kaloi koha më e vështirë, por perspektiva ishte ende e paqartë. Banorët e Wuhan-it ishin ende në luftën kundër epidemisë së pneumonisë së koronavirusit.

Li Jing-u shikoi nga afër luftën e punonjësve mjekësorë nga krahinat e ndryshme të vendit në Wuhan.

Edhe materialet ndihmëse nga mbarë vendi erdhën në këtë qytet. Në spitalin e përkohshëm ku ishte shtruar Li Jing-u, kishte gjithmonë furnizim të mjaftueshëm. Ajo kuptoi se të gjitha këto ishin të pandara nga përpjekjet e njerëzve në tërë zinxhirin e furnizimit.

Në fund të shkurtit Li Jing-u u shërua dhe doli nga spitali. Ajo u shpërngul në një qendër karantine për vëzhgim 14-ditor.

Më 6 mars, numri i rasteve të reja të koronavirusit u ul në dyshifror, 74 veta.

Më 10 mars u mbyllën të 16 spitalet e përkohshme në Wuhan.

Më 11 mars numri i rasteve të reja të koronavirusit ishte njëshifror, 8.

Më 12 mars Li Jing-u u kthye në shtëpi. Gjatë rrugës për në shtëpi, ajo zbuloi se lulet kishin çelur dhe pranvera kishte ardhur.

Gjatë periudhës në spitalin e përkohshëm dhe në qendrën e karantinës, Li Jing-u bëri shumë vizatime që pasqyronin jetën e përditshme të punonjësve mjekësorë dhe të të sëmurëve. Veprat e saj kanë gjetur jehonë të madhe në internet.

Sot këto vizatime janë përmbledhur dhe janë botuar si një libër me titull "Ditari i Wuhan-it 2020: Përmbledhje vizatimesh gjatë luftës përballë epidemisë".

Brenda vetëm disa ditëve pas botimit, ky libër u shit me afro 20 mijë kopje. Lexuesit e falënderojnë ilustratoren Li Jing, që pasqyron kujtimet e vërteta për Wuhan-in, kujtimet kolektive të të gjithë kinezëve.

Më 26 prill, të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Wuhan dolën nga spitali.

Mrekulli
Lajmet Kryesore