Masat garantuese për rifillimin e mësimit të shkollave të mesme në Pekin, Shangai e Guangzhou

2020-04-30 17:00:33 CRI Komenti juaj Printoni

Më 27 prill në Pekin, Shangai dhe Guangzhou, tre ndër metropolet kryesore kineze, nxënësit e vitit të tretë të ciklit të ulët e të ciklit të lartë të shkollave të mesme rinisën mësimin. Për të pritur kthimin e nxënësve, të gjitha shkollat përkatëse kanë bërë përgatitje intensive.

Të gjitha shkollat e mesme në Pekin kanë bërë dezinfektimin e plotë të objekteve dhe kanë vendosur shenjat e distancimit "një metër". Pekini ka siguruar edhe mbi 2 milionë maska fytyre për kthimin e nxënësve në shkollë.

Zhao Yutao, që punon në shkollën e mesme eksperimentale në varësi nga Universiteti Pedagogjik i Pekinit, thotë: "Nëse temperatura e ndonjë nxënësi është mbi 37.3 gradë Celsius, mjeku i shkollës sonë lajmëron menjëherë mësuesin kujdestar dhe të gjithë nxënësit e mësuesit në klasën e këtij nxënësi do të izolohen atypëraty. Shkolla do të nisë menjëherë projektin e emergjencës."

Në mëngjesin e 27 prillit, Dong Yizhen, nxënëse e vitit të tretë të ciklit të ulët të shkollës eksperimentale "Shidong" të Shangait, arriti herët në shkollë. Ajo i tha gazetarit se ka shumë për të folur me shokët e shoqet e veta të klasës, por duke marrë parasysh sigurinë, do të përmbahet brenda mundësive.

"Duhet të ruaj një distancë të sigurt me shokët e shoqet në klasë. Mbeten vetëm dy muaj nga provimi i pranimit në ciklin e lartë të shkollës së mesme. Duhet të përgatitem me të gjitha forcat për këtë provim," tha ajo.

Sipas rregullores së fundit të shkollës ku ndodhet Dong, nxënësit në vitin e tretë të ciklit të ulët dhe ata të ciklit të lartë duhet të hyjnë në shkollë sipas orareve të ndryshme. Nga 7:20 deri në 7:30 hyjnë nxënësit e ciklit të lartë, ndërsa nga 7:30 deri në 7:40, ata të ciklit të ulët. Në portën e shkollës shënohet një pikë për çdo një metër, kështu nxënësit hyjnë dhe u matet temperatura në largësi një metër nga njëri-tjetri.

Sipas rregullave të qytetit të Shangait, në portën e çdo shkolle me mbi 100 nxënës, vendoset matësi i temperaturës me imazh termik, që të sigurohet kalimi i shpejtë i nxënësve.

Bashkia e Shangait ka marrë masa edhe për shmangien e vakteve në mënyrë të përqendruar në shkollë, përfshirë çuarjen e ushqimeve në klasë, vajtjen në mensë në orare të ndryshme, porositja e ushqimeve etj.

Nëndrejtori i Shkollës Eksperimentale "Shidong" Li Li paraqiti masat e marra nga shkolla e tij:

"Kemi dy kate në mensë dhe në secilin prej tyre mund të ulen gjithsej 500 nxënës. Për të siguruar largësinë e mjaftueshme, tani ulen vetëm 100 nxënës në një kat dhe klasa të ndryshme shkojnë në mensë për të ngrënë në orare të caktuara. Në mensë ka edhe mësues kujdestarë, që drejtojnë tërë procesin e larjes së duarve dhe të marrjes së ushqimeve. Për këtë proces bëmë disa stërvitje para kthimit të nxënësve në shkollë."

Shkolla e mesme "Jindao" e qytetit Guangzhou kishte 8 klasa në vitin e tretë të ciklit të ulët, me gjithsej 400 nxënës. Për të ulur numrin e nxënësve në një klasë, tani çdo klasë ka vetëm 25 nxënës, pra numri i klasave është dyfishuar. Kjo nënkupton se edhe vëllimi i punës së mësuesve është dyfishuar. Por mësuesit e kësaj shkolle nuk ankohen për këtë dhe përpiqen t'i ndihmojnë nxënësit në përgatitjen për provimin. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore