Platformat kineze të mësimit në largësi propozohen nga UNESCO-ja

2020-03-26 22:36:44 CRI Komenti juaj Printoni

Nën ndikimin e epidemisë COVID-19, shkollat në shumë vende kanë pezulluar mësimet. Ditët e fundit, UNESCO-ja u ka propozuar vendeve të ndryshme shumë programe kompjuterike të mësimit në largësi. Këto programe mbulojnë sistemin e administrimit të mësimit, mësimdhënien në internet, vetëmësimin në internet, transmetimin e drejtpërdrejtë video etj., në të cilat përfshihen "Ding Talk" e "Feishu" të Kinës, "Hangouts Meet" e "Google"-it, "Teams" e "Microsoft"-it etj.

Pas ndodhjes së COVID-19 në Japoni, mësuesit e shkollës COSMO të Tokios filluan të përdorin programin kinez të zyrës "Ding Talk" për të zhvilluar shkëmbime me nxënësit dhe mësimdhënien në internet. Drejtori i shkollës Matsuzumi Tetsuya tha:

"Gjatë epidemisë, gjendja ndryshon shpesh. 'Ding Talk' mund të na ndihmojë t'u transmetojmë në kohë nxënësve informacionet e fundit. Është një mjet i efektshëm dhe i volitshëm."

"Ding Talk" është platformë e lëvizshme sipërmarrjeje e krijuar nga kompania kineze "Alibaba". Gjatë epidemisë, shumë nxënës kinezë mësojnë në internet nëpërmjet "Ding Talk". Menaxheri i marrëdhënieve me publikun i kompanisë Lin Junte tha:

"Gjatë epidemisë, funksioni i mësimit në internet i 'Ding Talk' hapet falas për shkollat e mbarë vendit. Sipas të dhënave tona, gjatë mbi një muaji, 140 shkolla në mbarë vendin, 2.9 milionë klasa dhe 120 milionë nxënës e studentë mësojnë në 'Ding Talk'. 3.5 milionë mësues e pedagogë japin mësim në internet."

Platfoma tjetër kineze e propozuar nga UNESCO-ja është "Feishu" nga kompania "ByteDance". Duke folur për arsyen e zgjedhjes së këtyre dy aplikacioneve kineze nga UNESCO-ja, studiuesi i lartë i Institutit të Ekonomisë Digjitale të Kinës Hu Qimu tha se ky është një rezultat i pashmangshëm:

"Si 'Ding Talk', edhe 'Feishu', kanë funksionin e punës dhe të komunikimit në largësi. Një pikë tjetër e rëndësishme është që këto dy programe përdoren falas, gjë që ul shumë koston. Masat e rrepta të karantinës kanë nxitur digjitalizimin e arsimit."

Hu Qimu shtoi se, në kushtet e epidemisë, teknologjia digjitale ka nxitur zhvillimin e shumë sektorëve, si arsimi, industria ushqimore etj. Shndërrimi digjital i sektorëve tradicionalë është prirja e zhvillimit të ardhshëm, i cili do t'u sjellë sektorëve tradicionalë dhe kompanive të internetit mundësi të reja tregtare. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore