Të punosh në shtëpi

2020-02-06 16:44:12 CRI Komenti juaj Printoni

3 shkurti, e hëna e kësaj jave, ishte dita që shumë kompani private kineze parashikonin të rifillonin punën pas pushimeve të Vitit të Ri Kinez (Festës së Pranverës). Por këtë ditë në Pekin nuk pati trafik rrugor ashtu si vitet e kaluara.

Për të parandaluar dhe kontrolluar efektivisht epideminë e pneumonisë së koronavirusit të ri, bashkia e Pekinit urdhëroi më 31 janar që para 10 shkurtit, ndërmarrjet që i kanë kushtet duhet të rregullojnë mënyrën e punës, me qëllim që punonjësit e tyre t'i kryejnë punët përkatëse në shtëpi, në mënyrë elastike, përfshirë nëpërmjet telefonit, internetit etj. Kështu, shumë ndërmarrje u dhanë punonjësve të tyre njoftimin për të punuar në shtëpi, veçanërisht kompanitë e internetit.

Si pasojë e epidemisë së pneumonisë, shumë ndërmarrje në mbarë Kinën kanë nisur modelin e punës në shtëpi nëpërmjet internetit. Më 30 janar, Zhao Hao po përgatiste leksionet për teknologjinë e informacionit në një serë perimesh në vendlindjen e tij, distriktin Shanxian të provincës Shandong. Zhao është lektor i teknologjisë së informacionit. Për shkak të epidemisë, shkolla ku punon ai e ka ndërprerë mësimdhënien "e drejtpërdrejtë" dhe tani ai po bën mësimdhënien "në internet".

Më 3 shkurt, ditën e parë të rifillimit të punës, sipas të dhënave nga kompania "dingtalk.com", që është platforma e punës në shtëpi nëpërmjet internetit pranë grupit "Alibaba", dhjetëra miliona ndërmarrje kineze me afro 200 milionë punonjës filluan të zbatojnë një lloj të tillë pune.

Krahas "dingtalk.com", shumë kompani kineze me sistem të përsosur të punës nga shtëpia, si "Huawei", "Tencent", "BetaDance" etj., i kanë ofruar falas shoqërisë sistemet e tyre në disa muajt e ardhshëm.

Gjatë fazës kyçe për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, rinisja e punës nga shtëpia nëpërmjet internetit është pa dyshim një masë humanitare për përballimin e vështirësive. Rifillimi i punës pas festës nënkupton ngjeshjen në mjetet publike, si autobus, metro etj. dhe kontaktet e afërta në hapësirë të ngushtë. Modeli i punës nga shtëpia, nga njëra anë mund të pakësojë mundësitë e përhapjes së virusit e të infektimit dhe, nga ana tjetër, do të sigurojë një mjedis transporti relativisht të mirë për ata që duhet të punojnë në zyrë.

Rinisja e punës nëpërmjet internetit është një masë e veçantë në kohë të jashtëzakonshme. Ajo jo vetëm mbron shëndetin e punonjësve, por sjell edhe zhvillimin e vazhdueshëm të ndërmarrjeve. Rifillimi i punës nëpërmjet internetit ka rimëkëmbur edhe besimin e kinezëve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore