Historia e kremtimit nga Albana të Festës së Pranverës

2020-01-23 15:48:34 CRI Komenti juaj Printoni

​ "Festa e parë e Pranverës për mua ishte përtej imagjinatës sime, sidomos fishekzjarrët, një shfaqje magjike jashtë kësaj bote!" thotë Albana me emocion, duke kujtuar Festën e Pranverës të vitit 2010 në Kinë.​

Të premten është Festa e Pranverës (Viti i Ri Kinez) . Për Albanën, që ka punuar në Kinë për një dekadë, kjo do të jetë Festa e 10-të e Pranverës që kremton. Si një shqiptare, si e ka kaluar ajo këtë festë kineze gjatë këtyre dhjetë vjetëve? Cilat janë të përbashkëtat dhe të ndryshimet midis Shqipërisë e Kinës lidhura me doket e zakonet gjatë Vitit të Ri? Cilat vende për të vizituar dhe cilat ushqime sugjeron ajo për miqtë shqiptarë që e vizitojnë Kinën gjatë kësaj feste?​

Le të ndjekim historinë e kremtimit nga Albana të Festës së Pranverës në Kinë.​

"Vitin e parë e festova me disa miq europianë. Pavarësisht se të gjithë ishim të pamësuar mirë me traditën kineze, u përpoqëm të integroheshim sadopak me kulturën dhe zakonet e Kinës. Mbaj mend atë vit ishte Viti i Tigrit. Ngjitëm letra nëpër dritare dhe blemë niangao (apo kek orizi), pasi në atë kohë asnjë nga ne nuk dinte ta gatuante këtë ëmbëlsirë. Në tavolinë nuk mungonte peshku, as frutat apo arroret për fat të mirë në vitin e ri," ​kujton edhe sot Albana Festën e parë të Pranverës që kaloi në Pekin. ​

Letërprere nëpër dritare

Edhe disa zakone tradicionale kineze i kanë ngjallur shumë interes. "Ajo që më ka tërhequr vëmendjen është dita e katërt e Festës së Pranverës, kur familja ha 'zheluo', ose ushqimin e mbetur nga tre ditët e kaluara. Përveç këtij zakoni, njerëzit duhet të pastrojnë shtëpitë dhe të grumbullojnë mbeturinat për t'i hedhur të gjitha njëherësh. ​Në kinezishte kjo quhet 'reng qiong', domethënë 'hedhje e varfërisë'. Përveç zakoneve të kremtimit, ka edhe shumë zakone për të larguar të keqen. Për shembull, në ditën e katërt njerëzit nuk duhet të shajnë ose të zihen me të tjerët, sepse nëse zihen, atëherë tërë viti do të kalojë jo i mbarë dhe sharja e të tjerëve do të shkaktojë fatkeqësi. ​Përveç kësaj, nuk duhet të përdorësh as gjilpëre dhe pe që nga dita e parë deri në ditën e katërt të Festës së Pranverës," tregon Albana.​

Niangao

"Edhe pse Kina e Shqipëria janë dy vende gjeografikisht të largëta, kanë aq shumë të përbashkëta," shton ajo, duke u hedhur një vështrim dhjetë vjetëve në Kinë. Këto të përbashkëta mishërohen edhe në kremtimin e Vitit të Ri: "Dua të veçoj mikpritjen, e vura re që në minutat e para pasi mbërrita në Pekin. ​Ndërsa për Vitin e Ri mund të them se ka disa zakone, si për shembull pastrimi i shtëpisë me themel. Për sa u përket gatimeve, diçka që më ka surprizuar shumë është zakoni i futjes së një monedhe në jiaozi (raviolet kineze), ndërsa ne në Shqipëri e kemi me byrekun ose kulaç, e vendosim monedhën në byrek ose kulaç dhe kujt i bie ajo copë do të ketë fat të mirë atë vit. ​Një tjetër e përbashkët janë vizitat në shtëpitë e miqve apo të të afërmve në dy ditët e para të vitit. Gjithashtu, kinezët nuk marrin ose japin borxh gjatë kësaj dite. I njëjti supersticion është edhe në Shqipëri, pasi është besimi se i gjithë viti do kalojë me borxhe".​

Jiaozi (raviolet kineze)

Sigurisht, Albana ka pikasur edhe ndryshimet. Njëri prej tyre është se në ditën e Vitit të Ri, kinezët nuk fshijnë dyshemenë dhe as nuk lajnë rroba, ndërsa në Shqipëri këto punë vijojnë edhe gjatë festës. ​

Gjatë kësaj dekade, Albana ka parë edhe disa ndryshime gjatë festimit të Vitit të Ri Kinez. "Për shembull, në vitet e para kishte më shumë fishekzjarrë, por tani pothuajse nuk ka më, pas vendimit të autoriteteve të mjedisit për të mbrojtur ajrin. ​Fishekzjarrët më mungojnë shumë!" Kjo është një keqardhje e Albanës lidhur me Festën e Pranverës, por ajo shprehet gjithashtu se cilësia e ajrit është përmirësuar gjithnjë e më shumë vitet e fundit.​

Me shtimin e globalizimit, traditat e mëparshme janë më pak të dukshme sot, vëren e reja shqiptare që punon e jeton prej vitesh në Kinë: "Për shembull, ka raste kur keku i orizit është zëvendësuar me tortën franceze, ​pija tradicionale kineze, që po i themi rakia e orizit, është zëvendësuar me verën kiliane etj. Megjithatë, ndoshta kjo ndodh për ne të huajt në Kinë, ndoshta në familjet kineze ruhen ende traditat me fanatizëm". ​

Një tjetër ndryshim sot është se gjithnjë e më shumë njerëz preferojnë të dalin në restorante të gjithë bashkë e ta kalojnë festën në mjediset e zbukuruara me fenerë të kuq në forma të ndryshme. ​"Darka e vigjiljes në restorante duhet të porositet disa muaj para festës," vë në dukje Albana.​

Krahas Pekinit, ajo e ka kaluar Festën e Pranverës edhe në qytete të tjera kineze, e ndonjë vit edhe ka zgjedhur ta festojë në vendet fqinje të Kinës, si Vietnam, Kamboxhia, Laos etj., ku kanë zakone shumë të ngjashme me Kinën. ​

Albana në Kamboxhia gjatë Festës së Pranverës të vitit 2017

Kalimi i festës jashtë vendit është bërë edhe një alternativë e re e shumë kinezëve.​

​Në sytë e Albanës, Pekini është i mahnitshëm gjatë Festës së Pranverës. "E adhuroj këtë atmosferë, mendoj që është më e veçanta në botë!" ​Prandaj, ajo ka shumë dëshirë të japë sugjerime për miqtë shqiptarë që dëshirojnë të vizitojnë Pekinin gjatë Festës së Pranverës: "Nëse një mik do të vizitojë Pekinin në këtë kohë, do t'i sugjeroja të shkonte në Qianmen, ​ pasi atje ka shumë zbukurime festive, përfshi mijëra fenerë të kuq të varur nëpër rrugicat e ngushta të kësaj zone. Atje mund të gjejë edhe ushqime autentike pekinase, si edhe mund të blejë suvenirë, çaj dhe mëndafsh me çmime fantastike. ​

Lagja Qianmen në qendër të Pekinit

Nga ushqimet do t'i sugjeroja të provonte byreçkat në formë cilindrike, edhe pse ky gatim nuk mungon pothuajse në asnjë restorant kinez në botë. Gjithsesi do t'i sugjeroja të provonte 'rrotullat e pranverës' me shije autentike kineze në Kinë". ​

Chunjuan (byreçkat në formë cilindrike)

"Festa e Pranverës është festë e ribashkimit familjar," thekson Albana. "Shumicën e këtyre festave e kam festuar pranë familjes, si shumë miq dhe kolegë kinezë. Këtë festë e kam festuar me miqtë kinezë dhe shqiptarë në Kinë, por edhe me miqtë kinezë dhe shqiptarë në Shqipëri. Pra, e kam përjetuar si festë në të dyja vendet dhe atmosferën e ngrohtë dhe ndjesinë e ribashkimit e kam ndier njësoj në të dyja vendet".

Albana me kolegët në prag të Festës së Pranverës të Vitit të Qenit (2018)

Mrekulli
Lajmet Kryesore