Italiani Ivan Cardillo dhe uebsajti i tij "Ligji kinez"

2020-01-02 14:11:57 CRI Komenti juaj Printoni

Kina e hapur po pret miq nga vende të ndryshme të botës dhe më shumë të huaj po punojnë, mësojnë e jetojnë në Kinë, duke dhënë ndihmesën e tyre për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe shkëmbimet kulturore midis Kinës e vendeve të tjera. Ivan Cardillo është një pedagog i huaj në Universitetin e Ekonomisë e të Drejtësisë Zhongnan në qytetin Wuhan të Kinës Qendrore. Ai ka krijuar uebsajtin në gjuhën italiane "Ligji kinez" (www.dirittocinese.com), për të bërë të njohur sistemin ligjor dhe politik të Kinës, duke ndërtuar një urë për njohjen e Kinës nga bota.

Ivan Cardillo është nga Cassino, në jug të kryeqytetit italian Romë. Para gjashtë vjetëve, Ivani, që ishte student drejtësie, shkoi në Universitetin e Ekonomisë e të Drejtësisë Zhongnan për shkëmbime dhe në vitin 2015, ai u ftua të bëhet pedagog në Shkollën e Ligjit të këtij Universiteti. Duke folur për shkakun e ardhjes në Kinë, Ivani u shpreh:

"Më pëlqen kultura tradicionale kineze. Kur isha i vogël, fillova të lexoja vepra të Konfucit, të Lao Tzu-së etj."

Në tetor të vitit 2017, Ivani krijoi uebsajtin në gjuhën italiane me titull "Ligji kinez". Pas publikimit, uebsajti i tij ka tërhequr vëmendjen e gjerë të qeverisë e shoqërisë italiane. Agjencia kombëtare italiane e lajmeve ANSA krijoi posaçërisht një rubrikë vetjake të Ivanit me artikujt përkatës të tij lidhur me kushtetutën e kodin civil të Kinës, nismën "Një brez, një rrugë" etj. Ivani u shpreh se, në fakt, shumë italianë i kushtojnë vëmendje Kinës dhe ai e ka krijuar këtë uebsajt për t'i ndihmuar italianët ta njohin më mirë Kinën.

Profesori Chen Jingliang ka qenë këshilltari akademik i Ivanit gjatë studimeve të tij në Universitetin e Ekonomisë e të Drejtësisë Zhongnan dhe është një nga specialistët e komisionit akademik të uebsajtit "Ligji kinez" të Ivanit. Për profesorin Chen, Ivani është jo vetëm një studiues, por edhe një ambasador i shkëmbimeve kulturore Kinë-Itali:

"Ai ka një sy të mprehtë për të njohur fuqizimin e Kinës dhe ka bërë shumë punë për shtimin e shkëmbimeve kulturore midis Kinës e Perëndimit. Ai është një studiues shumë i mirë," u shpreh prof. Chen Jingliang-u.

Deri tani, Ivani ka botuar 33 artikuj në uebsajtin "Ligji kinez", dhe numri i përgjithshëm i fjalëve të disa prej këtyre artikujve arrin mbi 10 mijë. Uebsajti i Ivanit është bërë i njohur në mbarë botën. Sipas statistikave, uebsajti ka tërhequr përdorues të internetit nga mbi 50 vende e rajone. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore