Pekin, 15 restorante të përfshira në "Udhëzuesin 'Michelin'"

2019-11-28 21:59:36 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, "Udhëzuesi 'Michelin'" publikoi listën e parë të restoranteve të rekomanduara në Pekin.

Gjatë mbi 100 vjetëve qysh nga viti 1900, kur prodhuesi francez i gomave "Michelin" botoi udhëzuesin e vet të parë turistik, restorantet e rekomanduara nga ai kanë tërhequr vëmendje të mëdha nga dashamirësit e kuzhinës.

Në listën e restoranteve të Pekinit, "Bibendum" (maskoti i "Michelin"-it) rekomandon 15 restorante, si dhe 10 ushqime karakteristike vendore, përfshirë douzhi (qumësht soje i fermentuar), baodu (zorrë deleje e zier shpejt), shuan yang rou (mish deleje i zier menjëherë), kaoya (rosë e pjekur) etj.

"Yin San Dou Zhi", një restorant i vogël pranë Tempullit të Qiellit, shet kryesisht ushqime mëngjesi me karakteristika pekinase. Douzhi, jiaoquan (një lloj gatimi me brumë të skuqur në formë rrethi) dhe shao bing (një lloj kulaçi), janë ushqimet e mëngjesit më të pëlqyera.

Adresa: Rruga "Dong Xiao Shi"

Shpenzimet për frymë: 8 juanë

Në restorantin "Jin Sheng Long" mund të shijosh 13 gatime me të brendshme delesh, si dhe mish deleje i zier atypëraty në tenxhere në tavolinë.

Adresa: Lagjja e Ushqimeve, Rruga "Ande", Rrugica "1 Liu Pukang"

Shpenzimet për frymë: 134 juanë

"Makaronat me salcë soje në rrugicën 'Fangzhuanchang' Nr. 69 " është një restorant shumë i vogël dhe shërben vetëm këtë lloj makarone. Megjithatë, ai ka tërhequr klientë brenda e jashtë Pekinit, për makaronat elastike dhe për salcën e shijshme.

Adresa: Rrugica "Fangzhuangchang", Nr. 1

Shpenzimet për frymë: 21 juanë

Krahas ushqimeve të veçanta pekinase, në këtë listë përfshihen edhe kuzhinat Huaiyang (provinca Jiangsu), Lu (provinca Shandong) dhe Hubei, si edhe kuzhina tajlandeze.

Restoranti "Jing Yi", me zbukurime të thjeshta, ofron gjellë tipike të provincës Hubei.

Adresa: Rruga "Liulichang Lindore", Nr. 2

Shpenzimet për frymë: 85 juanë

Restoranti "Liu Quan Ju" me një histori prej mbi 400 vjetësh, njihet për kuzhinën Lu, gjellët perandorake dhe ushqimet myslimane.

Adresa: Rruga "Xinjiekou Jugore", Nr. 178

Shpenzimet për frymë: 120 juanë

Restoranti "Keaami" me kuzhinë tajlandeze krijon atmosferën e Azisë Juglindore.

Adresa: Rruga "Chaoyang Veriore, Nr. 101, kati i 6-të i qendrës tregtare "Joy City"

Shpenzimet për frymë: 208 juanë

Në Pekin nuk mungon edhe ushqimi vegjetarian. Në listën e "Bibendum"-it rekomandohen dy restorantet më të shquara të këtij lloj ushqimi, "Gong De Lin" dhe "Tian Chu Miao Xiang" (filiali në distriktitin Chaoyang).

"Gong De Lin" është një restorant me histori të gjatë në Pekin, që njihet për ushqimet vegjetariane.

Adresa: Rruga "Qianmen Lindore", Nr. 2

Shpenzimet për frymë: 107 juanë

Lista e Rekomandimeve të "Bibendum"-it filloi të publikohej në vitin 1997, me qëllim që udhëtarët të shijojnë edhe ushqimet gjatë turizmit. Restorantet e rekomanduara nga "Bibendum"-i zakonisht duken shumë të thjeshtë, por ofrojnë ushqime jashtëzakonisht të shijshme dhe me çmime të arsyeshme. Prandaj, kjo listë është shumë e parapëlqyer nga konsumatorët.

Standardi i "Bibendum"-it është që të rekomandojë një paketë prej tre gatimesh të një restoranti (përfshirë antipastën, gjellën kryesore dhe ëmbëlsirën) me një çmim të pranueshëm për njerëzit e thjeshtë, i cili është 36 euro në qytetet evropiane, 40 dollarë në qytetet amerikane, 300 dollarë hongkongas në Hong-Kong, 200 juanë në Shangai dhe 5000 jenë në Tokio.

Drejtori i Departamentit Ndërkombëtar i "Udhëzuesit 'Michelin'", Gwendal Poullennec tha gjatë një interviste: "Ushqimet në Pekin gatuhen me përbërës të larmishëm e me shije të pasura, dhe janë margaritari i kurorës së kuzhinës kineze dhe botërore. Duam që 'Udhëzuesi 'Michelin'' do t'u ofrojë dashamirësve të ushqimit frymëzimin për të shijuar kulturën e kuzhinës në Pekin". (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore