Sistemi ujitës karez në Xinjiang

2019-11-07 15:31:42 CRI Komenti juaj Printoni

Karezi është një sistem ujitës që përdoret gjerësisht në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës, veçanërisht në Turpan. Ky sistem i transporton ujërat nëntokësore mbi tokë nëpërmjet ndërtimit të kanaleve nëntokësore dhe mbitokësore, për të plotësuar kërkesat e banorëve për ujë të pijshëm e për ujitje. Karezi dhe Muri i Madh Kinez e Kanali i Madh Pekin-Hangzhou quhen tre veprat kryesore të Kinës së lashtë.

Karezi filloi të ndërtohet herët në dinastinë Han Perëndimore (202 p. e. s. - 8 e. s.). Kinezët e lashtë të zgjuar i përdorën shpatet e kodrave dhe nxorën ujëra nëntokësore nëpërmjet kanaleve. Sot karezi në Xinjiang vazhdon të luajë rolin e duhur. Sipas të dhënave, në vitet '60 të shekullit të kaluar, në Turpan kishte mbi 1100 kareza, gjatësia e përgjithshme e të cilave arrinte në afro 5000 kilometra. Prandaj karezi quhet edhe "Muri i Madh nëntokësor".

Shkaku kryesor i ndërtimit të karezit në Xinjiang është klima e thatë atje. Turpani është një nga krahinat më të thata në Kinë, ku reshjet vjetore arrijnë vetëm 16 mm. Por karezi i transporton ujërat nëpërmjet kanaleve nëntokësore. Kjo mënyrë nuk ndikohet nga ndryshimi i stinëve e i motit, avullimi është i paktë dhe uji nuk ndotet lehtë.

Karezi është një trashëgimi e çmuar e njerëzimit dhe ka vlera të larta historike e shkencore. Krahas kësaj, ai është gjithashtu edhe një burim turistik. Në Turpan është ndërtuar një kopsht ku mund të vizitojmë karezin dhe banesat tradicionale të kombësisë ujgure, duke provuar jetën e banorëve ujgurë. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore