Fotografi kinez që fiton "Çmimin 'Oskar'" për kafshët e egra

2019-10-31 15:39:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, një fotografi e një marmote të tmerruar është përhapur gjerësisht në internet. Me këtë vepër, fotografi kinez Bao Yongqing u nderua pak kohë më parë si "Fotografi i kafshëve të egra i vitit 2019", çmim ky që quhet si "Çmimi 'Oskar'" i qarqeve të fotografimit të kafshëve të egra.

Më 15 tetor në mbrëmje u zhvillua në Muzeun e Historisë Natyrore të Londrës ceremonia e dhënies së çmimeve "Fotografi i kafshëve të egra" i vitit 2019. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ambasadori i Kinës në Britani Liu Xiaoming dhe zonja e tij.

Konkurrimi për çmimin "Fotografi i kafshëve të egra i vitit" nisi në vitin 1964 bashkërisht nga Muzeu i Historisë Natyrore i Londrës dhe revista "Wildlife" e BBC-së. Ky konkurs, i organizuar një herë në vit, është gara e fotografimit të natyrës me përmasën dhe ndikimin më të madh në botë dhe ka për qëllim që t'u bëjë thirrje njerëzve të mbrojnë natyrën dhe të tregojnë kujdes për ekologjinë.

Çdo vit, paraqiten në konkurrim 40 deri 50 mijë fotografi nga afro 100 vende e rajone të botës. Anëtarët e jurisë votojnë për 100 veprat më të shquara, nga të cilat zgjidhen 19 çmime kategorie dhe një "Fotograf i vitit".

Sivjet, fotografia e Bao Yongqing-ut nga provinca Qinghai e Kinës, që kap çastin e sulmit të dhelprës tibetiane ndaj marmotës, u shqua ndër 48 mijë fotografi dhe Bao u bë i pari fotograf kinez që fiton titullin "Fotografi i kafshëve të egra i vitit".

Me veprën "Çasti", Bao Yongqing-u mori çmimin "Fotografi i kafshëve të egra i vitit".

"Çasti" u fotografua në rrafshnaltën Qinghai-Tibet, që quhet "Çatia e botës". Në këtë fotografi tregohet një dhelpër tibetiane duke nisur sulmin kundër një marmote të Himalajave.

Në fakt, para shtypjes së butonit, Bao Yongqing-u i kishte vëzhguar këto dy kafshë për një kohë të gjatë. "Marmota e kishte zbuluar praninë e dhelprës një orë më parë dhe lëshoi alarmin ndaj marmotave të tjera. Por dhelpra e ruajti e shtrirë dhe pa lëvizur. Më në fund marmota hoqi dorë nga vigjilenca dhe doli nga strofka për të kërkuar ushqim," shpjegoi Bao.

Por me t'u larguar marmota nga strofka e sigurt, dhelpra dinake u ngrit befasisht dhe e sulmoi, ndërkohë edhe marmota reagoi si rrufe. Në këtë çast, Bao Yongqing-u shkeli butonin, duke kapur këtë pamje me pështjellim, impulsivitet dhe tmerr.

Kryetarja e jurisë Roz Kidman Cox tha gjatë një interviste se fotografitë nga rrafshnalta Qinghai-Tibet janë "shumë të rralla" dhe këto dy lloje kafshësh janë shumë të rëndësishme për ekologjinë e kësaj rrafshnalte.

"Është një gjë e jashtëzakonshme që Bao Yongqing-u kapi këtë pamje aq të gjallë dhe të nderë gjatë kundërvënies midis dhelprës tibetiane dhe marmotës," vlerësoi Cox. "Për 'Fotografin e kafshëve të egra të vitit' zgjidhen fotografi me një standard shumë të rreptë dhe në këtë konkurs marrin pjesë fotografët e kafshëve të egra të nivelit më të lartë në botë. E pranoj se kjo është vepra më e mirë që kam parë deri më sot."

Ndërkohë, drejtori i Muzeut të Historisë Natyrore të Londrës, Michael Dixon, mendon se kjo fotografi shumë tërheqëse kap sfidën themelore të natyrës, luftën për jetë.

1 2 3
Mrekulli
Lajmet Kryesore