Olga Tokarczuk dhe "nëna e babai" i saj kinez

2019-10-18 15:56:47 CRI Komenti juaj Printoni
Akademia Suedeze shpalli më 10 tetor se Çmimi "Nobel" në Letërsi për vitin 2018 iu dha shkrimtares polake Olga Tokarczuk.

Tokarczuk-u, e konsideruar si shkrimtarja më e njohur polake e brezit të saj, u vlerësua "për rrëfimin imagjinar, që përmes pasionit enciklopedik paraqet kapërcimin e kufijve si një formë e jetës".

Tokarczuk-u ka lindur në vitin 1962 në Sulechowie të Polonisë. Pasi u diplomua në Fakultetin e Psikologjisë të Universitetit të Varshavës në vitin 1985, ajo filloi punën në qendrën e këshillimit psikologjik në qytetin kufitar Walbrzych të Polonisë Jugperëndimore.

Para viteve '90 të shekullit të kaluar, Tokarczuk-u u mor me poezi dhe hyri në qarqet e letërsisë me antologjinë poetike "Qyteti në pasqyra".

Si një shkrimtare pjellore, Tokarczuk-u ka botuar 17 vepra, përfshirë romane dhe përmbledhje tregimesh e esesh. Ajo është e aftë në integrimin e legjendave, mitologjive dhe historive fetare në veprat e saj, duke reflektuar fatin historik dhe jetën e tanishme të Polonisë.

Me romanin "Lashtësia e kohë të tjera", ajo tërhoqi vëmendjen e botës. Në këtë libër, përmes këndvështrimesh të ndryshme, kallëzohen historitë midis njerëzve, kafshëve, pemëve dhe sendeve në lashtësi, duke pasqyruar historinë me luhatje të Polonisë në shekullin e 20-të. Ky libër vlerësohet nga kritikët polakë të letërsisë si "kulmi i romanit mistik në Poloni".

Tokarczuk-u ka dhe një lidhje të veçantë me Kinën.

Në fillim të këtij shekulli, romanet e saj "Lashtësia e kohë të tjera" dhe "Shtëpia e ditës, shtëpia e natës" u përkthyen nga përkthyesja kineze e letërsisë polake Yi Lijun dhe bashkëshorti i saj Yuan Hanrong dhe u botuan në Tajvan.

Me të hyrë në treg, "Lashtësia e kohë të tjera" gjeti jehonë të madhe në tregun e librave në Tajpei dhe u klasifikua si libri më i kërkuar në muajin e dytë pas publikimit.

Në vitin 2006, ky libër u botua edhe pjesën kontinentale të Kinës dhe gjithashtu u vlerësua lart.

Kur Tokarczuk-u mori vesh se romanet e saj ishin përkthyer në gjuhën kineze, ajo shpresonte shumë të takohej me përkthyesit në Pekin.

Në mars të vitit 2008, Tokarczuk-u shkoi në Kinë dhe u ftua të vizitonte Shkollën e Gjuhëve e Kulturave Evropiane të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ku punon profesoresha Yi Lijun.

Në këtë universitet, Tokarczuk-u mbajti një leksion për studentët e pedagogët e degës së gjuhës polake. Ajo u ftua edhe në shtëpinë e çiftit Yi Lijun e Yuan Hanrong.

Më vonë, në librin e tij "Kujtimet për gjëra të vogla", fizikani Yuan Hanrong kujton: "Tokarczuk-u është shumë modeste e zemërhapur, pa asnjë krenari si një shkrimtare e madhe. Gjithashtu ajo ka shumë kuriozitet. Kur mori vesh se është moshatare me bijën tonë, na tha: 'Atëherë, mund t'ju konsideroj si nëna dhe babai im kinez!' Dhe ne iu përgjigjëm: 'Nëse do të kishim një vajzë si ju, do të ishim prindërit më të lumtur në botë.' Gjatë këtij takimi, ne bëmë bisedë të lirë për Poloninë dhe për Kinën, për letërsinë dhe për filozofinë e jetës, plot me ngrohësi familjare."

Mrekulli
Lajmet Kryesore