Filma me temë patriotike bëhen hit në kinema gjatë Festës Kombëtare

2019-10-07 15:26:51 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet është 70-vjetori i themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Gjatë pushimeve të Festës Kombëtare, filma kinezë me temë patriotike si "Populli im, atdheu im", "Kapiteni", "Alpinistët" etj. tërhoqën shumë shikues. Deri tani, të ardhurat nga shitja e biletave të 3 filmave kanë kaluar 3 miliardë juanë (rreth 420 milionë dollarë).

Filmi "Populli im, atdheu im" përshkruan fatin e përbashkët të popullit kinez me atdheun gjatë 70 vjetëve nëpërmjet 7 ngjarjeve historike si ceremonia e krijimit të Kinës së Re, shpërthimi i bombës së parë atomike, marrja e titullit kampion nga skuadra kombëtare e volejbollit për femra etj. Zonja An që e pa këtë film u shpreh se ishte prekur thellë:

"Nëpërmjet 7 historive të gjalla e të vërteta të banorëve të thjeshtë kinezë, filmi përshkroi zhvillimin e atdheut gjatë 70 vjetëve. Unë i ndoqa rolet e filmit dhe m'u duk sikur mora pjesë në ato ngjarje historike. Gjatë shfaqjes së filmit, nuk mund t'i mbaja dot lotët."

Filmi "Kapiteni" përshkruan një incident të vërtetë të uljes së detyruar të avionit të fluturimit 3U8633 të kompanisë "Sichuan Airlines". Në majin e vitit të kaluar, gjatë fluturimit në lartësinë e 9500 metrave, u dëmtua dhe ra xhami mbrojtës i kabinës së aeroplanit. Me marrjen në dorë si duhet të situatës nga anëtarët e ekuipazhit, aeroplani u ul i sigurt në aeroport duke garantuar sigurinë e 119 pasagjerëve dhe të 9 anëtarëve të ekuipazhit në bord. Filmi "Kapiteni" shfaqi përsëri këtë mrekulli në historinë e aviacionit civil të botës. Aktori Zhang Hanyu që luajti personazhin kryesor të filmit tha:

"Jam i mendimit se ne duhet të mbajmë mend këtë mrekulli të realizuar nga ekuipazhi i fluturimit 3U8633, ata kanë profesionalizëm të lartë dhe përgjegjësi të fortë dhe mbrojnë sigurinë e jetës së njerëzve e të aseteve shtetërore, ne duhet të mësojmë nga ata."

Filmi tjetër "Alpinistët" përshkruan gjithashtu një ngjarje të vërtetë historike. Në vitin 1960, ekipi i alpinizmit i Kinës u ngjit për herë të parë në majën e malit Qomolangma (Everest) nga shpati verior duke matur për herë të parë me saktësi lartësinë e këtij mali më të lartë në botë.

Regjisori i filmit Xu Ke u shpreh se "Alpinistët" shfaq kryesisht vullnetin e popullit kinez:

"Në rrugën e përparimit ne do të kapërcejmë të gjitha vështirësitë, secili prej nesh duhet të veprojë si një alpinist."

Vlen të thuhet se më 1 tetor, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) transmetoi drejtpërdrejt në 70 kinema të mbi 10 provincave paradën madhështore me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Kjo është hera e parë e transmetimit drejtpërdrejt të një ngjarjeje në ekranin e madh. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore