Aeroporti Ndërkombëtar Daxing i Pekinit, ndër "7 mrekullitë e reja të botës"

2019-10-01 14:33:14 CRI Komenti juaj Printoni

Aeroporti Ndërkombëtar Daxing i Pekinit u fut në funksionim më 25 shtator.

Puna për ndërtimin e këtij aeroporti, me një investim prej 80 miliardë juanësh, filloi në vitin 2015 dhe përfundoi plotësisht pas vetëm 4 vjetëve, më 30 qershor.

Fotografi nga ajri e Aeroportit Ndërkombëtar Daxing, nga Li Shaolin

Aeroporti Ndërkombëtar Daxing do të konkurrojë për të qenë nyje transporti ajror në Azi, me Aeroportin Ndërkombëtar Changi të Singaporit, Aeroportin Ndërkombëtar Incheon të Koresë së Jugut dhe Aeroportin Ndërkombëtar Narita të Japonisë.

Fotografi nga ajri e Aeroportit Ndërkombëtar Daxing, nga Wu Mensheng

Arkitektja britanike me prejardhje irakiane Zaha Hadid i dha jetën aeroportit Daxing. Edhe pas ndarjes nga jeta, ajo i la botës një mrekulli të arkitekturës.

Arkitektja e ndjerë Zaha Hadid

Në vitin 2016, gazeta britanike "The Guardian" vlerësoi "7 mrekullitë e reja të botës", ku përfshihen dy vepra kineze: ura Zhuhai-Hong Kong-Makao, që u fut në përdorim në shtatorin e vjetshëm, dhe Aeroporti Ndërkombëtar Daxing i Pekinit, që radhitet edhe në vendin e parë të këtyre mrekullive të reja.

Fotografi nga ajri e Aeroportit Ndërkombëtar Daxing, nga Wu Mensheng

Ky superaeroport, më magjiku në Kinë, habiti gjithë globin. Ai u vu në funksionim në fund të shtatorit, në prag të ditës jubilare të 70-vjetorit të shpalljes së Republikës Popullore të Kinës.

Struktura e pesë gishtave me pamjen si feniks në fluturim

Nga lart, aeroporti Daxing duket si një feniks në fluturim. Në veprën klasike kineze "Libri i maleve dhe i deteve" thuhet: Kur shihet feniksi, në botë shfaqet paqja.

Fotografi nga ajri e Aeroportit Ndërkombëtar Daxing, nga Li Shaolin

Struktura e aeroportit Daxing duket edhe si një lule me pesë petale. Largësia nga qendra e terminalit deri te porta më e largët është vetëm 600 metra dhe duhen vetëm 8 minuta më këmbë.

Qendra e terminalit ka një çati kolosale gjashtëkëndëshe prej xhami, ndërsa në çdo "petal" ka dhe një çati prej xhami, që zgjatet deri në fund të "petalit".

Tavani i terminalit gjashtëkëndësh

Kur hyjnë në terminal, udhëtarët mund të gjejnë portën e duhur duke ndjekur rrezet e diellit.

Shtyllat në formë "C"-je lidhen drejtpërdrejt me çatinë prej xhami, kështu integrohet tavani me strukturën mbajtëse dhe thjeshtohet forma arkitekturore.

Meriton të përmendet se ky aeroport kolosal, me një fluks vjetor prej 100 milionë udhëtarësh dhe ku do të ulen e ngrihen 800 mijë aeroplanë, do të shënojë shumë rekorde botërore.

Aeroporti me një terminal të vetëm më i madh në botë

Aeroporti Daxing ka një sipërfaqe prej 1.4 milionë metrash katrorë, domethënë 63 herë më i madh se sheshi "Tiananmen". Sipërfaqja e çatisë është sa 25 fusha futbulli. 55 mijë tonë çelik janë përdorur për ndërtimin e tij.

Aeroporti Daxing është aeroporti më i madh në botë me një terminal të vetëm, duke kaluar Qendrën Botërore të Dubait (Aeroporti Ndërkombëtar Al Maktoum), si dhe Aeroportin e Tretë Ndërkombëtar të Stambollit.

Terminali me teknologjinë më të vështirë të ndërtimit në botë

Aeroporti Daxing ka një strukturë të ndërlikuar dhe hapësirë të madhe. Terminali i tij ka një gjatësi prej 1753 metrash dhe gjerësi 1591 metra. Çatia e një ndërtese aq të madhe mbështetet vetëm në tetë shtylla në formë "C"-ja, gjashtë prej të cilave ndodhen në një rreth me diametër prej 180 metrash. Këto tetë shtylla ndodhen 200 metra larg njëra-tjetrës, pra në mes të sallës së terminalit nuk gjendet asnjë pengesë dhe u ofrohet pasagjerëve një hapësirë publike e madhe në maksimum.

Gjashtë linja hekurudhore dhe metroje kalojnë nën terminalin e aeroportit, të cilat krijojnë lehtësi për udhëtimin e pasagjerëve. Por distanca vertikale midis terminalit dhe stacionit hekurudhor është vetëm 11 metra. Kur trenat me shpejtësi 350 km për orë kalojnë nga tuneli nën terminal, do të shkaktojnë tronditje dhe trysni të madhe.

Për sigurinë e terminalit, në aeroportin Daxing përdoret teknologjia e uljes së tronditjes me një shtresë të veçantë, që është novacion në Kinë.

Asnjë ndër 8 mijë xhamat nuk është njësoj me të tjerët

12.8 mijë xhama sigurojnë sistemin e ndriçimit me rreze dielli. Ndër ta, mbi 8 mijë përbëjnë çatinë qendrore. Këta xhama fiksohen nga 12 300 nyja të rrumbullakëta e mbi 60 mijë shkopinj dhe formojnë një sipërfaqe "në formë të lirë". Lidhja midis secilit shkop dhe nyjes së rrumbullakët ka një pozicion të veçantë, prandaj asnjë ndër këta 8 mijë xhama, nuk është njësoj me të tjerët.

Teknologjia e vetëshkrirjes së akullit dhe dëborës në autostradën drejt aeroportit

Krahas terminalit, meriton të përmendet edhe autostrada drejt aeroportit Daxing.

Gjatë ndërtimit të kësaj autostrade, u përdor material që shkrin akullin e dëborën, i cili mund të ulë pikën e ngrirjes në 12 gradë nën zero. Kjo teknologji kapërcen ndikimin e motit me dëborë në qarkullim dhe do të pakësojë përdorimin e shkrirësve të dëborës, duke shmangur dëmtimin e mjedisit dhe strukturës së autostradës.

Aeroporti Daxing nuk i përket vetëm Pekinit

Aeroporti Ndërkombëtar Daxing ndodhet në Pekin, por do t'u shërbejë Pekinit, provincës Hebei dhe qytetit Tianjin, si nyja më e madhe e transportit tokësor e ajror në Kinë.

Tre nga degët e terminalit janë përkatësisht në drejtim të Pekinit, Xionganit dhe Tianjinit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore