Pallati i Dimrit, nga këndvështrimi i një vizitori të thjeshtë

2019-09-18 17:50:36 CRI Komenti juaj Printoni

Pamja e pastër, përbërja e thjeshtë, ngjyra harmonike dhe panorama poetike. Çdo fotografi e tij e Pallatit të Dimrit është e habitshme dhe tërheqëse.

Autori i këtyre fotografive është Su Tangshi, nga provinca Henan e Kinës Qendrore. Nëpërmjet lenteve të objektivit të tij, Pallati i Dimrit nuk simbolizon vetëm sundimin perandorak, madhështor dhe të ftohtë, por ndërtesat e gjalla, të ngrohta dhe të afërta për vizitorët e thjeshtë.

Gjatë gjashtë vjetëve të kaluar, ai bëri mbi 40 vajtje-ardhje midis Henanit dhe Pekinit. Me aparatin e thjeshtë fotografik, duke ecur në rrugën që ndjekin turistët si një vizitor i thjeshtë, nga këndvështrimi i një banori të thjeshtë, ai paraqit shpirtin e ndërtesave në Pallatin e Dimrit.

Çdo fotografi është një dialog me historinë qindravjeçare të kësaj arkitekture dhe i thotë asaj: "Ne të kuptojmë, nuk je e vetme".

Su Tangshi thotë: "Në zemrën time, Pallati i Dimrit është shumë i thjeshtë. Në këtë pallat të dikurshëm perandorak, në çdo kënd, në çdo çast pasqyrohet bukuria e thjeshtë, një bukuri që ndodhet kudo."

Ato që duken më të thjeshta, janë më të çmuara. Fotografitë e mrekullueshme mund të flasin vetë.

Kur Su Tangshi përzgjodhi 148 fotografi nga 30 mijë dhe i mblodhi në albumin "Shiko, pamjet e ndryshme të Pallatit të Dimrit", shumë njerëz u habitën nga bukuria e këtyre fotografive. Ata kishin kuriozitet se kush është Su Tangshi. Me çfarë aftësish magjike ai mundi të bënte këto fotografi të mrekullueshme? Asnjërit nuk i shkonte ndër mend se Su nuk është fotograf profesionist, por një polic që ka punuar afro 30 vjet në një qytezë në Henan.

Polic dhe fotograf, midis dy profesioneve duken ndryshime të mëdha, por të dy kanë karakteristika të përbashkëta: përqendrimin e vëmendjes, këmbënguljen në një punë dhe mosbërjen lehtë të kompromisit.

Su Tangshi tha: "Duke bërë fotografi, mora shumë njohuri për arkitekturën tradicionale kineze. Zbulova se arkitektura e lashtë kineze është për 'bashkimin e njeriut me natyrën', tregon vëmendje për ndërveprimin dhe harmoninë me natyrën dhe i kushton rëndësi temperamentit e rendit të brendshëm, ndërsa puna e policit synon drejtësinë, rendin dhe harmoninë. Pra, të dy punët janë të ngjashme. Fotografimi i arkitekturave të lashta është pikërisht një tjetër mënyrë imja, e një polici, për kërkimin dhe paraqitjen e bukurisë së harmonisë dhe të rendit. Kur nuk mund të mbroj rendin publik në frontin e parë, dëshiroj t'u paraqes më shumë njerëzve bukurinë e rendit nëpërmjet objektivit të aparatit tim fotografik". (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore