Dunhuang, digjitalizimi gjallëron Shpellat Mogao

2019-09-06 21:25:45 CRI Komenti juaj Printoni

"Çdo vend magjik në botë, kur e viziton një herë, nuk është më magjik. Por Dunhuang-u është përjashtim. Pas vizitës atje do të ndihesh më shumë magji." Kështu shkruan shkrimtari Feng Jicai.

Magji, kjo është fjala e pothuajse çdo vizitori në Dunhuang. Pse në thellësinë e shkretëtirës ekziston një botë aq e mrekullueshme?

Dunhuang-u ndodhet në Veriperëndim të Kinës dhe ka qenë një nyjë e rëndësishme e Rrugës së Mëndafshit, në saje të së cilës lulëzuan shkëmbimet ekonomike e kulturore midis Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore, Azisë Perëndimore, Afrikës së Veriut, Azisë Jugore dhe vendeve të Mesdheut. Duanhuang-u u bë gradualisht qendra e shkëmbimeve të kulturave të ndryshme, duke kultivuar artin e larmishëm të shpellave.

Shpellat Mogao ndodhen në shpatin lindor të malit Mingsha (ose Mali i Rërës së Këndshme) në Dunhuang. Godina 9-katëshe është simboli i Shpellave Mogao, ku gjendet një statujë 33 metra e laetë e Budës Maitreya të ulur.

Ndërtimi i Shpellave Mogao u nis në vitin 366 të erës sonë. Murgut Lezun, gjatë udhëtimit nëpër botë, kur kapërceu malin Sanwei në Dunhuang, iu shfaq befasisht një dritë e fortë përpara syve. Ai e vlerësoi këtë si një ogur të mirë dhe pastaj gërmoi një shpellë në shpatin përballë malit Sanwei. Kjo u bë e para shpellë Mogao. Gjatë një mijë vjetëve të mëvonshëm, shpellat u gërmuan njëra pas tjetrës.

Mali Sanwei

Dinastia Tang është kulmi i ndërtimit të shpellave Mogao, numri i të cilave arriti mbi një mijë. Kështu Shpellat Mogao quhen edhe "Shpellat e një mijë budave".

Nuk është zmadhim që të përshkruhet historia e ndërtimit të Shpellave Mogao me "forcën e besimit". "Gjatë mbi një mijë vjetëve, pikërisht duke u nisur nga besimi te budizmi, banorët e Dunhuang-ut, si dhe besimtarë nga vise të tjera, gërmonin shpella, ndërtonin statuja të budave dhe financonin ndërtimet përkatëse, pa kursyer pasurinë njerëzore e materiale. As luftrat nuk i prishën Shpellat Mogao," thotë Zhang Xiantang, zv.kryetari i Akademisë së Dunhuang-ut.

Imazhet grupore të budave në shpellën 285 Mogao, të dinastisë Wei Veriore

Sot, Shpellat Mogao janë thesari i artit të shpellave dhe të budizmit, me përmasën më të madhe, me historinë më të gjatë dhe me përmbajtjen më të pasur në botë.

Struktura e sotme e mbrojtjes së Shpellave Mogao është formuar gjithashtu nga adhurimi i njerëzve për kulturën e shkëlqyer të kombit kinez.

Pikturë gjahu në shpellën 249 Mogao, të dinastisë Wei Perëndimore

Në vitin 1987, Shpellat Mogao u përfshinë në trashëgiminë kulturore botërore të UNESCO-s. Si t'i demonstrohet botës Duguang-u?

Në vitet '80 të shekullit të kaluar, me mbështetjen e Fondacionit Mellon të ShBA-së, Akademia e Dunhuang-ut filloi bashkëpunimin me institucione kërkimore kineze dhe të huaja dhe nisi procesin e digjitalizimit të shpellave.

"Fotografimi i budave" është shpjegimi më i thjeshtë i digjitalizimit të shpellave. Në shpellat e errëta, teknikët fotografojnë pikturat në mur një për një, rresht për rresht. Pastaj fotografitë në numër shumë të madh krahasohen një nga një me pikturat reale, bashkohen dhe rregullohen në kompjuter. Vetëm për digjitalizimin e një pikture në mur prej 300 metrash katrorë, duhen mbi 40 mijë fotografi.

Buda Mahasthamaprapta në shpellën 45 Mogao, të dinastisë Tang

"Ndryshe nga restaurimi, digjitalizimi vetë është një masë parandaluese. Kemi mbledhur informacionet e shpellave dhe i ruajmë imazhet e tyre në mënyrë të përhershme. Gjatë dekadave, kemi harxhuar gjithnjë e më shumë energji në këtë drejtim dhe kemi hedhur hapa gjithnjë e më të mëdhenj," tha Fan Jinshi, kryetarja e nderit e Akademisë së Dunhuang-ut.

Gjatë 30 vjetëve të fundit, saktësia e fotografive u ngrit nga 75 dpi në fillim në një maksimum prej 600 dpi. Kjo nënkupton se qartësia e fotografive është katërfishi i veprave origjinale dhe shikimi i pikturave dhe statujave në ekran është shumë më i qartë se vizita në shpella.

Në vitin 2014, u fut në funksionim Qendra e Demonstrimit Digjital të Shpellave Mogao. Para vizitës në shpella, vizitorët mund të shikojnë në radhë në parë filmin digjital në një kinema me kube. Ky model i ri ka zbutur presionin e fluksit të vizitorëve në shpella.

Në vitin 2016, një tjetër rezultat i digjitalizimit ishte "Digital Dunhuang" (e-dunhuang.com), ku përfshin imazhet me qartësi të lartë dhe pamjet e realitetit virtual të 30 shpellave. Me të shtypur lehtë mausin e kompjuterit, të gjithë mund të shijojnë falas pamjet e këtyre shpellave ashtu si në terren. Tani "Digital Dunhuang" e kanë vizituar 5 milionë përdorues të internetit.

Tani, Akademia e Dunhuang-ut ka mbaruar mbledhjen e informacioneve digjitale për 180 shpella dhe pamjet e realitetit virtual të 120 shpellave. Arkivi digjital u ofron njerëzve këndvështrimin e ri për njohjen e Dunhuang-ut.

Skicë në tavanin e shpellës 407 Mogao, të dinastisë Sui

Në kohën e lashtë, besimtarët budistë financuan ndërtimin e Shpellave Mogao dhe këta njerëz quheshin "dhurues". Sot duke shfrytëzuar konceptin e "dhuruesit digjital", përdoruesit e internetit mund të marrin pjesë në mbrojtjen digjitale të Shpellave Mogao me vetëm 0.9 juan.

Në fund të vitit 2017, Shpellat Mogao 1652-vjeçare, së bashku me kompaninë e internetit 20-vjeçare "Tencent", nisën bashkërisht Programin e Digjitalizimit të "Rrugës së Mëndafshit". Projekti i "dhuruesit digjital" është një pjesë përbërëse e këtij programi.

Ekuilibrimi është vështirësia më e madhe që gjendet përpara përgjegjëses së këtij projekti, Du Juan, që shprehet: "Si të tërhiqet interesi i të rinjve, duke ruajtur në të njëjtën kohë origjinalitetin? Përshtatja e njërit me tjetrin është një proces i vështirë."

Një muaj pas fillimit në internet të projektit të "dhuruesit digjital", mbi 60 mijë përdorues të internetit morën pjesë në financimin e digjitalizimit të shpellës së 55-të Mogao. Pas arritjes së shumës së duhur, për këtë shpellë që është ndërtuar në vitin 962 dhe me sipërfaqe të përgjithshme prej 585 metrash katrore, do të nisë puna e mbledhjes së imazheve me qartësi prej 300 dpi. Burimet digjitale do të ruhen përgjithmonë. (Wang Lei)

Shpella Nirvana, shpella e 158-të Mogao, e dinastisë Wei Veriore

Mrekulli
Lajmet Kryesore