Zhvillohet Panairi i 26-të Ndërkombëtar i Librit i Pekinit

2019-09-01 13:56:31 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 21 deri më 25 gusht, u zhvillua Panairi i 26-të Ndërkombëtar i Librit i Pekinit, ku morën pjesë 95 vende e rajone të ndryshme, duke përfshirë 30 vende përgjatë "Një brez, një rrugë", ndër të cilat Rumania është vendi i ftuar. Në panair, më se 2600 kompani botuese kineze e të huaja sollën mbi 300 mijë tituj librash.

Panairi Ndërkombëtar i Librit i Pekinit u themelua në vitin 1986. Pas zhvillimit mbi 30-vjeçar, sot ky panair është bërë një ekspozitë e rëndësishme ndërkombëtare e librit dhe një platformë e rëndësishme e tregtisë ndërkombëtare të të drejtave të autorit në Kinë. Si ekspozita e dytë më e madhe e librit në botë, pas Panairit të Librit të Frankfurtit, Panairi i Librit i Pekinit ka tërhequr pjesëmarrjen e më shumë vendeve e rajoneve. Sivjet, Portugalia dhe Kazakistani morën pjesë për herë të parë në panair. Ndër të gjitha kompanitë botuese pjesëmarrëse, kompanitë e huaja i kaluan 60 %.

Si vendi i ftuar i panairit të sivjetshëm, Rumania solli një larmi librash. Njëkohësisht në panair u shpall nisja e projektit të përkthimit në gjuhën kineze të veprës "Historia e artit rumun".

Në panair kishte shumë libra të shkëlqyer të vendeve të ndryshme, që tërhoqën vëmendjen e vizitorëve. Për shembull, libri me vëllime "Ditari misterioz", që ka fituar Çmimin Britanik të Librit, tërhoqi shumë lexues, veçanërisht fëmijë. Në kapakun e librit ishte figura e një guri të çmuar, që pasqyronte frymën misterioze të përmbajtjes së librit.

Krahas këtyre, në Panairin e Librit të Pekinit u shfaq edhe teknologjia e fundit e leximit në kohën e internetit. Lexuesit provuan leximin elektronik me rrjetin 5G ose me syze të realitetit virtual (VR), duke shijuar përvojën e ndryshme të leximit në të ardhmen. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore