Fotografimi jopamor nga fotografët me aftësi të kufizuar shikimi

2019-08-21 16:00:28 CRI Komenti juaj Printoni

"Sytë kanë funksione të ndryshme. Një pjesë e tyre shikojnë dritën, ndërsa një pjesë tjetër shikojnë errësirën." Në romanin e tij "Masazhi", shkrimtari Bi Feiyu përshkruan fatin dhe ndjenjat e një grupi masazhistësh të verbër. Ashtu si paraqitet në roman, 90 për qind e të verbërve kinezë e sigurojnë jetesën me profesionin e masazhistit. Por prej tyre, ekziston edhe një pjesë shumë e vogël që merren me fotografimin.

Një kursant po përgatitet për procesin e fotografimit jopamor. Vënia e kamerës në ballë ka si qëllim perceptimin dhe kontrollimin si duhet të drejtimit të lenteve të objektivit. Sa më afër të vendoset kamera nga trupi, aq më i saktë drejtimi i lenteve.

Në vitin 2009, në Kinë u shfaq kontingjenti i parë i fotografëve me aftësi të kufizuar shikimi, falë trajnimit në fotografimin jopamor "PhotoVoice", me burim nga Britania. Fu Gaoshan-i është një prej tyre.

Fu ka lindur me aftësi të kufizuar në shikim, që nuk arrinte as 0.1. Bota fizike ka qenë e mjegullt për të. Ai mund të shikojë ekranin e celularit vetëm nëpërmjet xhamit zmadhues dhjetëfish. "I shikoj njerëzit përreth vetëm si një skicë pa detaje në fytyrë. Nëse kolegu im do të ndryshojë stilin e flokëve nesër, nuk e dalloj dot fare."

Fu Gaoshan

Fu Gaoshan-i menaxhon një qendër telefonimi (call center) të personave me aftësi të kufizuar në shikim. Ai u ofron të verbërve vende pune të tipit të ri dhe organizon përgatitje profesionale për ta. Në qendrën e telefonimit të Fu-së, të verbërit mund të përdorin nëpërmjet audios softuerë të ndryshëm në kompjutera të thjeshtë, duke kryer punët e ndryshme të shërbimeve për klientët, përfshirë krijimin e raporteve të ndërlikuara në "Excel".

Fu Gaoshan-i është i mendimit se përpara telefonit, çdo njeri është "i verbër", pra të verbërit jo vetëm mund të merren me shërbimet e klientëve përmes telefonit, por kanë epërsi të veçantë. "Nuk jam dakord që punonjësit në qendrën time të vijnë në punë ose të dalin jashtë me syze dielli. I inkurajoj të marrin pjesë në përgatitjen e fotografimit dhe të provojnë punë të reja, që të forcojnë vetëbesimin," tregon ai.

Fu Gaoshan-i po mëson një kursante të përdorë aparatin fotografik.

Fu thotë se guximi i vjen nga mjedisi i familjes së tij. Prindërit nuk ia kufizuan atij veprimet për shkak të aftësisë së kufizuar në shikim. Kur ai ishte në shkollën e mesme, ata i blenë kompjuter që të lidhej me internetin. Më vonë, Fu u regjistrua në shkollën e lartë si gjithë të tjerët dhe mori diplomën në shkencat kompjuterike. Mjedisi i lirë gjatë rritjes i ka ruajtur mprehtësinë për eksplorimin e botës së jashtme dhe i ka dhënë fuqi që të përpiqet të realizojë ëndrrën e vet.

Fu Gaoshan-i ka organizuar shumë kurse të fotografimit jopamor për njerëzit me aftësi të kufizuar shikimi përkatësisht në qytetet Shangai, Guangzhou, Langfang, Lhasë etj. dhe ka përgatitur afro një mijë fotografë të verbër. Ai ka organizuar edhe disa fotoekspozita të fotografëve të verbër.

Një vullnetar po drejton një kursant krejt të verbër për të mësuar strukturën e aparatit fotografik

"Fotografimi jopamor mbështetet te shqisat e tjera përveç asaj të të parit, si të dëgjuarit, të prekurit dhe të nuhaturit, për dallimin dhe perceptimin e botës së jashtme. Të verbërit nuk e shikojnë dritën, por mund ta dallojnë atë, për sa kohë që drejtimi me temperaturën më të lartë është edhe drejtimi i dritës." Fu Gaoshan-i është i mendimit se fotografimi jopamor dhe ai pamor në fund të fundit janë njësoj, por vetëm dallojnë në mënyrën e paraqitjes, si rrjedhim i ndryshimit të mënyrës së perceptimit. Por të dy kanë të bëjnë me mendimin dhe perceptimin e njeriut për mjedisin shoqëror.

Nxënësja e verbër e Fu Gaoshan-it, Li Na po fotografon një krimb toke, me ndihmën e të shoqit. Fotografimi dhe udhëtimi janë ëndrrat e saj.

Fu është i mendimit se të gjitha skenat në shoqërinë tonë mund të ndihen dhe mund të regjistrohen nga lentet e objektivit. Kurse ato që nuk shihen nga ne, ndoshta janë pjesë e shpërfillur nga sytë tanë. Mungesa e të parit është kufizim për të verbërit, ndërsa shikimi ndoshta është kufizim për ne. Të metat janë gjithashtu të vlefshme. Fotografitë e bëra nga të verbërit janë këndvështrimi i tyre nga "errësira" dhe gjithashtu skotomat për ne në dritë.

Veprat e fotografimit jopamor

"Shikuesi dhe i shikuari" Fotograf: Fu Gaoshan (me aftësi të dobët shikimi)

Shënim: Ato që mund të shikoj unë, ti nuk mund t'i shikosh kurrë. Ke gjithmonë kuriozitet pse jam aq afër me ty, dhe unë e kam parë kuriozitetin tënd.

"Pikënisja dhe pikëmbërritja" Fotograf: Cai Cong (me aftësi të dobët shikimi)

Shënim: Kjo është pikënisja e punës sime të përditshme, po ashtu pikëmbërritja. Gjatë jetës sonë të ngarkuar, unë dhe ti ndoshta jemi kryqëzuar në rrugë, por nuk e kemi vënë re njëri-tjetrin. Në fakt, jemi njësitë më të thjeshta të jetës. Të njëjtat njësi.

"Kundërvënie" Fotograf: Sun Zhiyuan (me aftësi të dobët shikimi)

Shënim: E zeza dhe e bardha, e ftohta dhe e ngrohta, errësira dhe drita. Të gjitha janë kundërvënie me vetveten.

"Firma e parë" Fotograf: Shi Yue (pa aftësi shikimi)

Shënim: Nuk e di sa persona me aftësi të kufizuar shikimi janë ndier të pashpresë, për shkak se nuk mund të vënë firmën e tyre. Shiko! Ky është nënshkrimi im, firma e një personi që nuk shikon. Një vizitë e veçantë në bankë më bëri të kuptoj rëndësinë e nënshkrimit. Pas stërvitjes herë pas here, krijova firmën time, një përvojë e paharrueshme.

"Dhjetë hapa" Fotografe: Xu Cheng (pa aftësi shikimi)

Shënim: Përpara këtyre dhjetë hapave, ngurroj shpeshherë. Ndoshta kjo është hije e mbetur nga rreziku i dikurshëm kur gati përplasesha nga makinat. Qysh 5 vjeçe, nuk guxoja të kaloja rrugën vetë, edhe kur kisha shikim të dobët.

"I dashuri i kërcirit" Fotografe: Liang Yixuan (pa aftësi shikimi)

Shënim: Shiko! Ai duket shumë i zakonshëm dhe madje nuk ke treguar vëmendje për të. Por kur eci në trotuar, kërcinjtë e mi takohen me të dhe ata përqafojnë dhe puthin njëri-tjetrin dhe pastaj, në kërcinjtë mbeten gjurmët e puthjes, një njollë e kuqe.

Mrekulli
Lajmet Kryesore