Ekspozita e artit të Van Gogut në Pekin

2019-07-10 15:45:19 CRI Komenti juaj Printoni

Këtë verë, ekspozita e artit të Van Gogut, e zhvilluar në Muzeun Kombëtar të Kinës, ka tërhequr shumë dashamirës të artit. Nëpërmjet teknologjisë së lartë elektronike, në ekspozitë shfaqen në mënyrë të gjithanshme vepra të këtij piktori tragjik holandez dhe artdashësit mund të shikojnë skena të lëvizshme të pikturave të Van Gogut si luledielli të valëvitur në erë, sorra në fluturim etj.

Kjo ekspozitë organizohet nga kompania teknologjike belge "Dirty Monitor". Para Pekinit, ekspozita u zhvillua në shumë vende të botës duke pasur sukses të madh. Presidenti ekzekutiv i kompanisë Orphee Cataldo shprehu shpresën se kjo ekspozitë do të hapë dyert e artit për më shumë njerëz, veçanërisht për fëmijët. "Kjo ekspozitë do të tërheqë së pari tifozët e Van Gogut, sepse në të shfaqen më se 200 vepra të piktorit. Njëkohësisht shpresoj se ekspozita do t'u lërë mbresa familjeve me fëmijë. Ndoshta fëmijët do të kenë mbresa nga ndonjë vepër në ekspozitë dhe në të ardhmen ata do të njohin më shumë vepra të Van Gogut," tha Cataldo.

Megjithëse në ekspozitë nuk ka asnjë vepër autentike të Van Gogut, çdo pikturë rigjallërohet nëpërmjet mjeteve teknologjike. Orphee Cataldo u shpreh se kjo është një mënyrë e re ekspozimi që mund t'u japë shikuesve një përvojë krejt të re.

Vincent van Gogu është piktor i famshëm holandez i shekullit të 19-të dhe është pionieri i postimpresionizmit. Veprat e tij ushtruan ndikim të thellë mbi artet e shekullit të 20-të, madje edhe sot. Gjatë jetës së tij, Van Gogu jetoi në varfëri dhe vrau veten në moshën 37-vjeçare. Pas largimit nga jeta, veprat e tij fituan gradualisht admirim të gjerë. Sot Van Gogu është një nga piktorët më të famshëm në historinë e pikturës botërore. Pikturat më të famshme të tij përfshijnë "Luledielli", "Natë me yje" etj. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore