Zhvillohet Festivali i Ushqimeve Aziatike

2019-05-23 14:55:33 CRI Komenti juaj Printoni

Si pjesë e aktiviteteve kryesore të Konferencës për Dialogun e Qytetërimeve Aziatike, javën e kaluar u hap në 4 qytete kineze - Pekin, Hangzhou, Chengdu e Guangzhou - Festivali i Ushqimeve Aziatike. Tema kryesore e festivalit është "Shijimi i përbashkët i ushqimeve aziatike, nxitja e shkëmbimeve". Gjatë festivalit njëjavor, më se 230 kompani ushqimore sollën ushqime të shijshme të vendeve të ndryshme aziatike.

Në Parkun Olimpik të Pekinit, buka indiane naane, gaforret me speca të Singaporit, mishi i pjekur jugkorean, sushi japonez, "poçja e nxehtë" e Sichuan-it etj. tërhoqën shumë vizitorë për t'i shijuar.

Në Hangzhou të provincës Zhejiang u krijua posaçërisht një park i ushqimeve aziatike, me ushqime e shije nga 56 vende e rajone aziatike. Ky është aktiviteti ushqimor me përmasat më të mëdha i zhvilluar në këtë qytet deri më sot.

Qyteti Chengdu i provincës Sichuan është i famshëm për ushqimet e shijshme. Gjatë festivalit, në Chengdu u organizuan 45 veprimtari të ndryshme lidhur me ushqimet aziatike, duke nxitur në këtë mënyrë shkëmbimet kulturore ndërmjet vendeve e rajoneve të kontinentit më të madh në botë.

Qyteti Guangzhou në Kinën Jugore ka lidhje të ngushtë me qytetet e tjera aziatike. Gjatë festivalit u publikua lista e ushqimeve më të parapëlqyera të banorëve të këtij qyteti, të cilët zgjodhën ushqimet më tipike aziatike në Guangzhou. Kështu, kultura ushqimore u bë një pjesë edhe më e madhe e jetës së përditshme të qytetarëve. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore