Elementet kulturorë të pjesës kontinentale tërheqin tajvanezët

2019-01-09 15:59:01 CRI Komenti juaj Printoni

Sot shumë tajvanezë janë mësuar me leximin e librave me hieroglife kineze të thjeshtuara, me ndjekjen e telenovelave nga pjesa kontinentale e Kinës, me shpërndarjen e videove të shkurtra në aplikacionin në celular "Douyin" etj. Gjithnjë e më shumë produkte kulturore të pjesës kontinentale kanë hyrë në jetën e banorëve të Tajvanit, duke thelluar njohjen e ndërsjellë midis bashkatdhetarëve të të dy brigjeve.

Në qytetin Taipei, rruga "Chongqingu Jugor" quhet edhe si rruga e librave, sepse në të dy anët e saj gjenden shumë librari me një histori të gjatë. Megjithëse vitet e fundit, me zhvillimin e internetit, biznesi i librarive ka rënë shumë, librat me hieroglife të thjeshtuara kineze, të botuar në pjesën kontinentale, shiten shumë mirë. Chen Zhaoan është klient i rregullt i librarisë "Tenlong" në këtë rrugë. Ai vjen një ose dy herë në javë në këtë librari. Zoti Chen thotë se është admirues i librave me hieroglife të thjeshtuara, sepse atij i pëlqen të studiojë filozofinë. Sipas tij, librat e botuar në pjesë kontinentale janë të shumëllojshëm e cilësorë dhe, njëkohësisht, shumë tema nuk botohen nga shtëpitë botuese tajvaneze. Tani rreth një të katërtën e bibliotekës personale të Chen Zhaoan-it e përbëjnë librat me hieroglife të thjeshtuara kineze.

Gjatë 10 vjetëve, libraria "Tenlong" ka importuar mbi 6 milionë libra të botuar në pjesën kontinentale. Dhjetra klientë kanë blerë libra me vlerë mbi 1 milion dollarë tajvanezë në këtë librari, shumica prej tyre janë admirues të kulturës tradicionale kineze, si Chen Zhaoan.

"Kulturat e të dy brigjeve të ngushticës kanë origjinë të njëjtë. Me thellimin e shkëmbimeve kulturore dypalëshe, kërkesat e lexuesve tajvanezë për libra me hieroglife të thjeshtuara kineze janë shtuar pandërprerë. Librat nga pjesa kontinentale kanë tema të larmishme e çmim të ulët dhe mirëpriten shumë nga lexuesit," thotë pronari librarisë "Tenlong", Shen Rongyu.

Krahas librave, edhe telenovelat nga pjesa kontinentale u kanë hapur tajvanezëve një botë të mrekullueshme kulturore e historike. Vitet e fundit, të ashtuquajturat "telenovelash kostumesh", pra telenovela me tema historike, të prodhuara në pjesën kontinentale të Kinës, kanë fituar mirëpritjen e shumë shikuesve tajvanezë. Në listën e telenovelave më të pëlqyera në Tajvan për vitin 2018, ato nga pjesa kontinentale zënë katër ndër pesë vendet e para. "Historia e Yanxi-së", që përshkruan historinë e vajzës së pallatit të dinastisë Qing, Yanxi, dhe "Historia e Ruyi-së", që ka në qendër dashurinë e perandoreshës Ruyi, gruas së perandorit Qianlong të dinastisë Qing, zënë përkatësisht vendin e parë dhe vendin e dytë të listës.

Shikuesi tajvanez Lin Bimian u shpreh se kostumet dhe dekori i bukur, historia e mrekullueshme, interpretimi i përkryer i aktorëve dhe njohuritë e pasura historike janë pikat kryesore tërheqëse të telenovelave të pjesës kontinentale. Sipas tij, telenovelat me temë historike të pjesës kontinentale i ndihmojnë tajvanezët, veçanërisht të rinjtë, ta njohin historinë dhe kulturën e kombit kinez, kurse telenovelat moderne janë një dritare për njohjen e zhvillimit të sotëm të pjesës kontinentale.

Menaxherja e përdoruesve e degës së Tajvanit të uebsajtit të videove IQIYI, Zhang Tingyi, u shpreh se në vitin 2018, vëllimi i përgjithshëm i vizitave në këtë uebsajt arriti në 1.5 miliardë. Brenda pesë muajve, vëllimi i vizitave për "Historinë e Yanxi-së", e prodhuar nga vetë IQIYI, arriti në 150 milionë. Kjo është vepra e parë televizive që tërheq mbi 100 milionë shikues në Tajvan.

Në botën e internetit, "Wechat", "Taobao" etj. të pjesës kontinentale kanë hyrë herët në jetën e tajvanezëve. Kohët e fundit, pasioni për aplikacionin e videove të shkurtra muzikore "Douyin" të pjesës kontinentale ka përfshirë tërë Tajvanin. "Douyin" synon kryesisht të rinjtë. Brenda 15 sekondave, përdoruesit mund të shfaqin mendimet e veta nën shoqërimin e muzikës së tyre të preferuar në video, duke e shpërndarë në internet.

Përgjegjësja e "Douyin"-it për Tajvanin Lin Yijing u shpreh se gjatë një viti pas hyrjes në Tajvan, numri i përdoruesve aktivë të aplikacionit ka arritur në 3 milionë, duke nxjerrë mbi 200 krijues të famshëm. Sipas të dhënave, koha mesatare ditore e përdorimit të "Douyin"-it nga përdoruesit tajvanezë është 38 minuta. Lin Yijing shprehu shpresën se sivjet do të dalin më shumë persona të famshëm në "Douyin" për të tërhequr më shumë dashamirës. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore