Promovimi i turizmit të provincës kineze Anhui në Izrael

2019-01-03 09:54:42 CRI Komenti juaj Printoni

Provinca Anhui gjendet në lindje të Kinës dhe është pjesë e rëndësishme përbërëse e Brezit Ekonomik të Lumit Jance. Anhui është edhe një nga djepat e qytetërimeve parahistorike në Kinë, ku janë zbuluar gjurmë të veprimtarisë së njeriut të para 2.5 milionë vjetëve. Anhui quhet edhe vendlindja e operave kineze. Opera Huangmei është një nga pesë operat kryesore kineze, kurse opera Hui është një prej operave nga e ka prejardhjen opera e Pekinit. Anhui është edhe një provincë me peizazhe të bukura natyrore, ku ka tre trashëgimi kulturore botërore dhe dy gjeoparqe botërore. Mali Huangshan ka famë botërore, dhe mali Jiuhua është një nga katër malet kryesore budiste.

Për të tërhequr më shumë vizitorë në Anhui, në prag të Vitit të Ri 2019, u zhvillua në Tel-Aviv të Izraelit një takim i promovimit të turizmit në Anhui, ku u shfaqën peizazhe të bukura dhe kultura e larmishme e kësaj province. Pjesëmarrësit në këtë takim shprehën dëshirën e tyre për të bërë vizitë në këtë provincë tërheqëse.

Anhui është edhe një zonë e rëndësishme e prodhimit të çajit jeshil në Kinë. Në takim, Arbel Vigodny, punonjës në një kompani softuerësh, u njoh me ceremoninë e çajit të Kinës. Ai u shpreh se, pasi piu çaj kinez para disa vjetëve, atij i pëlqeu menjëherë kjo pije orientale dhe tani ai pi çaj jeshil çdo ditë. "Çaji kinez mund të më japë energji," thotë Arbeli.

I riu amerikan Ben Bisell ka studiuar në Shangai, ku njohu shumë miq nga Anhui. Sipas tij, këta miq janë shumë të përzemërt dhe ai planifikon ta vizitojë Anhui-n në vitin e ri. "Jetova në Shangai për një vit e gjysmë. Më pëlqejnë shumë Kina, Shangai dhe Anhui, sepse kam shumë miq nga Anhui. Më pëlqen edhe dialekti i Anhuit dhe dua ta vizitoj këtë provincë," thotë Beni.

Djaloshi izraelit Erez Rosenbloom ndau me të pranishmit përvojën e tij të turizmit në Anhui. Çdo vit ai viziton vende të ndryshme të botës, por Anhui i ka lënë një përshtypje shumë të mirë:

"Mendoj se Anhui është një krahinë magjike. Banorët e Anhui-t janë shumë të mirë, shumë të ngrohtë. Veçanërisht peizazhet e atjeshme janë shumë më të bukura sesa mund të imagjinohet. Në krahinat e tjera të botës nuk mund të shohësh peizazhe të tilla. Jam i mendimit se Anhui është një destinacion që duhet ta vizitojë çdo turist."

Kryezyrtari ekzekutiv i Grupit Turistik "Rose" të Izraelit Moshe Vered ka dëshmuar thellimin e pandërprerë të shkëmbimeve turistike e kulturore midis Izraelit e Kinës gjatë 26 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Ai shprehu shpresën se më shumë izraelitë do të kenë rastin ta vizitojnë Anhui-n:

"Anhui është një rajon shumë interesant, ka shumë peizazhe të bukura. Anhui nuk është aq modern sa Pekini e Shangai, por ka ruajtur pamjen e bukur natyrore, prandaj është një destinacion shumë i mirë turistik."

Kjo është hera e parë që në Izrael bëhet promovimi i turizmit të Anhui-t. Përfaqësuesja e Shoqatës së Promovimit të Turizmit të Anhui-t Guo Yonghong u shpreh se veprimtaria ka pasur rezultate të mira:

"Jam e mendimit se veprimtaria ishte shumë e suksesshme. Pas promovimit, disa agjenci turistike vendore erdhën për të diskutuar mbi bashkëpunimin turistik me ne. Shumë izraelitë kanë qenë në Kinë, por jo në Anhui. Nëpërmjet kësaj veprimtarie ata zbuluan se Anhui është shumë i bukur dhe u lindi interesi për të vizituar këtë provincë." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore