Mozaik lajmesh kulturore

2018-12-27 09:46:22 CRI Komenti juaj Printoni

"奋", hieroglifi kinez i vitit

Javën e kaluar u publikuan në Pekin hieroglifi dhe shprehja e gjuhës kineze për vitin 2018, të përzgjedhura nga Qendra Kombëtare e Vëzhgimit dhe e Studimit të Burimeve Gjuhësore e Kinës, Shtëpia Botuese Tregtare etj. Ato janë përkatësisht "奋"(fen) dhe "40-vjetori i Reformës dhe Hapjes". "奋" ka kuptimin origjinal të zogut që hap krahët duke i rrahur. Sot ky hieroglif ka marrë edhe disa kuptime të reja, si "ngjallje", "frymëzim", "përpjekje", "luftim" etj. Organizatorët e veprimtarisë shpjeguan se zgjedhja e "奋" si hieroglifi kinez i vitit shfaq vullnetin e përpjekjet e popullit kinez për ndërtimin e atdheut në epokën e re. Njëkohësisht, ky vit është 40-vjetori i fillimit të Reformës e Hapjes me botën e jashtme në Kinë. Kjo politikë ka nxitur hyrjen e Kinës në periudhën e re të zhvillimit dhe shprehja e vitit në kinezishte shënon pikërisht këtë ngjarje historike.

Profesorja e Universitetit Pedagogjik të Pekinit Yu Dan shprehu mendimet e saj për hieroglifin dhe shprehjen e këtij viti:

"Në vitin 2018, kombi ynë ka bërë përpjekje të palodhshme për përballimin e rreziqeve e sfidave të ndryshme. Nëpërmjet zhvillimit 40-vjeçar, çështja e reformës ka pasur përparim të qëndrueshëm. Ne i ngjajmë një zogu që fluturon lart."

Ekspozita "Silezia në periudhën baroke"

Javën e kaluar u hap në Muzeun e Kryeqytetit në Pekin ekspozita "Periudha baroke në Silezi – Koleksioni i përzgjedhur i Muzeut Kombëtar të Vroclavit të Polonisë", ku shfaqen lulëzimi i artit barok e ringjallja ekonomike në rajonin e Silezisë dhe kultura e arti i veçantë i Europës Qendrore.

Silezia është një rajon historik në Europën Qendrore. Sot shumica e këtij rajoni i përket Polonisë dhe një pjesë e vogël përkatësisht Çekisë e Gjermanisë. Gjatë historisë, në Silezi ka pasur shpesh ndryshime të pushtetit politik, gjë që ka nxitur shkrirjen e kulturave e arteve të shumë kombeve.

Në ekspozitë paraqiten 76 objekte të Muzeut të Vroclavit, të cilat ndahen në pjesën e fisnikërisë, artit barok dhe qytetarisë. Nëpërmjet pikturave, skulpturave e objekteve të zejtarisë, ekspozita u shfaq shikuesve pamjen politike e ekonomike të Silezisë dhe artet e jetën e banorëve të këtij rajoni në fund të shekullit të 17-të.

Bashkëpunimi arkeologjik midis Kinës e vendeve të huaja

Javën e kaluar u zhvillua në Pekin mbledhja e punës për bashkëpunimin arkeologjik midis Kinës e vendeve të huaja, e organizuar nga Administrata Shtetërore e Trashëgimisë Kulturore e Kinës.

Sipas të dhënave fillestare, vitet e fundit, Kina ka zhvilluar 40 projekte bashkëpunimi në fushën e arkeologjisë me 24 vende e rajone të Azisë, Afrikës, Europës e Amerikës Jugore dhe ka vendosur marrëdhënie të bashkëpunimit afatgjatë me mbi 30 institucione kërkimore, muze, universitete, fondacione të huaja etj. 32 ndër këto 40 projekte zhvillohen jashtë vendit, kurse tetë të tjera në Kinë. Ato mbulojnë origjinën e njeriut, qytetërimet e lashta botërore, si qytetërimi egjiptian, qytetërimi maja etj., Rrugën e Mëndafshit, budizmin etj.

Drejtori i Administratës Shtetërore të Trashëgimisë Kulturore Song Xinchao u shpreh në mbledhje se projektet e bashkëpunimit arkeologjik kanë zgjeruar ndikimin akademik të Kinës në këto fusha. Për shembull, gjatë zbatimit të projektit arkeologjik për kulturën e nomadëve të lashtë midis Kinës e Mongolisë u zbulua varri i Khanit të fisit ujgur dhe varreza e fisnikëve në Mongoli, duke nxitur shumë përparimin e studimeve mbi kulturën e fisit ujgur. Në Kenia u zbuluan 27 vende të paleolitit, të cilat dhanë dëshmi të reja për zbulimin e sekretit të daljes së njerëzve të lashtë jashtë Afrikës.

Song Xinchao u shpreh se, në të ardhmen, Kina do të vazhdojë të marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arkeologjisë e të mbrojtjes së trashëgimive kulturore, për të dhënë ndihmesën e vet për mbrojtjen e shumëllojshmërisë kulturore botërore. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore