Entuziazmi për mësimin e gjuhës kineze në Spanjë

2018-12-05 14:32:05 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, mësimi i gjuhës kineze mund të thuhet se është kthyer në modë në Spanjë. Madje në shkollat spanjolle, dëshira e nxënësve për të mësuar gjuhën kineze e kalon atë për të studiuar gjuhët europiane, si frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja etj. Për disa vjet me radhë, numri i spanjollëve që kanë marrë pjesë në provimin e nivelit të njohjes së gjuhës kineze zë vendin e parë në Europë.

16-vjeçari Adroan Sacks Nogal e ka filluar mësimin e gjuhës kineze nëntë vjet më parë. Vjet ai mori pjesë në kampin veror të gjuhës kineze të zhvilluar në qytetin Chengdu të provincës Sichuan. Kultura dhe ushqimet e shijshme kineze e shtuan më tej entuziazmin e tij për të mësuar gjuhën kineze. Atij madje i pëlqyen edhe ushqimet djegëse të Chengdu-së.

Tani spanjollët e apasionuar pas mësimit të kinezishtes si Adroani po shtohen pandërprerë dhe numri i tyre arrin tani në afro 50 mijë. Siç mësohet nga përfaqësuesja e Zyrës së Spanjës të Selisë Qendore të Institutit "Konfuci" Zhang Li, përhapja e gjuhës kineze në Spanjë ka nisur më vonë se në Britani, Francë, Gjermani e Itali. Në vitin 2008, numri i spanjollëve që mësonin gjuhën kineze ishte më pak se 10 mijë, ndërsa tani është 5-fishuar.

Në të njëjtën kohë, numri i spanjollëve që marrin pjesë në provimin e nivelit të njohjes së gjuhës kineze është shtuar pandërprerë. Për shtatë vjet me radhë, ky numër arrin në 8000 - 9000, duke zënë vendin e parë në Europë. Zhang Li është marrë me përhapjen e gjuhës kineze në Spanjë prej më shumë se 10 vjetësh. Duke folur për dëshirën e spanjollëve për mësimin e kinezishtes, ajo vë në dukje:

"Jam e mendimit se mësimi i gjuhës kineze është një kërkesë praktike e spanjollëve. Shumë prej tyre kanë dëshirë të madhe për mësimin e gjuhës kineze, sepse zhvillimi ekonomik i Kinës u ka sjellë atyre mundësi në shumë fusha. Nga ana tjetër, edhe magjia e kulturës kineze ka tërhequr shumë spanjollë. Me shtimin e pandërprerë të shkëmbimeve midis Kinës e Spanjës, shumë spanjollëve u ka lindur interesi për kulturën kineze. Ata shpresojnë të mësojnë gjuhën kineze për të thelluar njohjen për këtë vend të lashtë të Lindjes."

E reja spanjolle Carla Flores ka një emër kinez, Gao Erya. Ajo e ka mësuar gjuhën kineze në Universitetin e Granadës në Spanjë dhe më pas dhe në Universitetin e Pekinit në Kinë. Carla Flores shprehet se, kur filloi mësimin e gjuhës kineze, ajo nuk e mendonte se kjo gjuhë do të kishte një ndikim aq të madh mbi jetën e saj:

"Unë nisa mësimin e gjuhës kineze në universitet në vitin 2007. Nuk e di shkakun përse zgjodha të mësoj gjuhën kineze, di vetëm që e bëra këtë zgjedhje. Në fillim kisha pak njohuri për gjuhën kineze dhe për Kinën, por më pas më pëlqente Kina dhe gjuha e saj. Në fakt, në fillim unë nuk mendoja se kjo zgjedhje do të ndikonte në jetën time."

Tani Carla Flores merret me turizmin dhe mësimdhënien e gjuhës, gjithnjë lidhur me Kinën. Përfaqësuesja e Zyrës së Spanjës të Selisë Qendore të Institutit "Konfuci" Zhang Li u shpreh se, ashtu si për Carla Floresin, gjuha kineze po ndikon mbi jetën e shumë spanjollëve të tjerë. Njëkohësisht, mësimdhënia e gjuhës kineze në Spanjë po zhvillohet shpejt:

"Ndër 70 universitetet publike e private të Spanjës, më se 50 prej tyre kanë hapur kursin e gjuhës kineze. Rreth 100 shkolla fillore e të mesme zhvillojnë gjithashtu mësimin e gjuhës kineze. Vlen të thuhet se shumë shkolla publike fillore e të mesme në Spanjë bëjnë mësimin e gjuhës kineze dhe kinezishtja është futur në sistemin kombëtar të arsimit."

Nga ana e saj, Carla Flores thotë:

"Kur fillova mësimin e gjuhës kineze, të gjithë më thoshin se kinezishtja është gjuha e së ardhmes. Mendoj se e ardhmja ka ardhur dhe kinezishtja është gjuha e së sotmes." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore