Shoqata e Përrallave e Gjermanisë jep çmimin "Bizelja e artë"

2018-11-22 16:58:56 CRI Komenti juaj Printoni

Në mes të nëntorit, u zhvillua në ambasadën e Kinës në Berlin të Gjermanisë ceremonia e dhënies së çmimit "Bizelja e artë". Ky çmim jepet përvit nga Shoqata e Përrallave e Gjermanisë për personat e qarqeve të ndryshme që kanë dhënë ndihmesë për çështjet e mirëqenies publike. Çmimi u vendos në vitin 2005 me rastin e 200-vjetorit të lindjes së përrallëtarit të njohur danez Hans Kristian Andersen. Emri i çmimit ,"Bizelja e artë", vjen pikërisht nga përralla e Andersenit "Princesha mbi bizele".

Këtë vit, çmimi "Bizelja e artë" u dha 4 personave që dhanë kontribut në fushën e mirëqenies publike, të cilët përfshijnë sipërmarrësin kinez dhe krijuesin e automjetit elektrik NIO Li Bin që përpiqet të nxitë zhvillimin e vazhdueshëm të industrisë automobilistike, modelen gjermane Sara Nuru që merret me çështjen e zhvillimit të grave në Etiopi, shkrimtaren gjermane të letërsisë së fëmijëve Kirsten Boie që kujdeset për 4000 jetimë të Sidës për 11 vjetë me radhë dhe aktoren gjermane Uschi Glas që u jep falas çdo ditë mëngjesin 10000 fëmijëve të familjeve të varfra.

Përralla ka ndikim të madh në Gjermani. "Përrallat e vëllezërve Grimm", të botuara për herë të parë në shekullin e 19-të, janë të mirëpritura nga lexuesit e mbarë botës. Përrallat e tyre klasike, si "Borëbardha", "Hirushja", "Kësulëkuqja" etj. njihen nga të gjithë.

Kjo është hera e parë që ceremonia e dhënies së çmimeve "Bizelja e artë" zhvillohet në ambasadën kineze në Gjermani. Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e dhënies së çmimeve, ambasadori i Kinës në Gjermani Shi Mingde u shpreh se fituesit e këtij viti përpiqen ta bëjnë botën më të bukur nëpërmjet veprimeve të tyre aktive dhe ambasada kineze e përkrah me shumë kënaqësi këtë veprimtari. Si një vend me histori e kulturë të lashtë, Kina ka gjithashtu një folklor të pasur përrallash. Përralla është bërë një urë që lidh kulturën kineze me kulturën gjermane. Sivjet është Festivali i 29-të i Përrallave i Berlinit dhe ambasada kineze ka ftuar enkas fëmijë gjermanë të vijnë në ambasadë për të dëgjuar përralla kineze, u shpreh ambasadori Shi Mingde.

Nënkryetari i Bashkisë së Berlinit Klaus Lederer është i mendimit se përrallat janë pjesë e rëndësishme e kulturës, thesar i përbashkët kulturor i njerëzimit dhe ambasadore të shkëmbimeve ndërkulturor. Sipas tij, përrallat ka dhënë një ndihmesë të madhe për nxitjen e përparimit shoqëror:

"Do të flas për fuqinë dhe dobësinë në përrallat. Fuqia e dobësia jo vetëm ekzistojnë në përralla, por edhe në realitet. Pikërisht dobësia e shumë njerëzve sjell fuqinë e pak njerëzve dhe këta pak njerëz kanë sjellë ngatërrimin e së mirës dhe së keqes në jetën e përditshme. Ne duhet të mësojmë nja guximi i personazheve të përrallave, që besojnë se fati është në dorën e tyre. Kjo është fuqia e vërtetë e përrallave dhe koncepti për jetën dhe vlerat që duhet të ndjekim."

Shoqata e Përrallave e Gjermanisë u krijua në vitin 2004 dhe merret me përhapjen e përrallave, legjendave e historive në shoqërinë e sotme. Çdo vit shoqata do të organizojë rreth 1500 veprimtari të ndryshme në Europë dhe Festivali i Përrallave i Berlinit është një prej tyre. Kryetarja e shoqatës Silke Fischer shprehet:

"Festivali i Përrallave i Berlinit sivjet do të zgjasë deri më 25 nëntor. Si një takim madhështor kulturor, ne organizojmë mbi 600 veprimtari në 350 vende, si biblioteka, muze, salla koncertesh, shkolla etj., për t'i lidhur njerëzit dhe kulturat e ndryshme." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore