Chongyang-u, Festa kineze e Dy Nëntave

2018-10-25 15:09:52 CRI Komenti juaj Printoni

17 tetori është Festa Chongyang e Kinës. Për arsye që kjo festë bie më 9 shtator sipas kalendarit hënor kinez, quhet edhe Festa e Nëntës së Dyfishtë ose e Dy Nëntave. Kinezët e lashtë ishin të mendimit se dy nënta sjellin fatmirësi, prandaj në këtë ditë njerëzit e kishin zakon të ngjiteshin në mal për të kërkuar bekim, për adhurimin e paraardhësve, për admirimin e lulevjeshtave dhe për të pirë raki të bërë me këtë lule etj. Sot ngjitja në mal për admirimin e vjeshtës dhe respektimi i të moshuarve janë dy elementet kryesore të Festës Chongyang.

Sipas

të dhënave historike, kinezët e lashtë zgjodhën 9 shtatorin për të adhuruar paraardhësit. Në Periudhën e Shteteve Ndërluftuese (475-221 para erës sonë), kjo ditë u bë e rëndësishme, por në atë kohë veprimtaria e adhurimit të paraardhësve zhvillohej vetëm në pallatin mbretëror. Në dinastitë Wei e Jin (220-420), veprimtaria e adhurimit më 9 shtator u përhap në popull. Shumë poetë shkruan poezi për të shënuar këtë ditë. Në veprat e tyre mund të shohim se asokohe, admirimi i lulevjeshtave dhe pirja e rakisë së tyre u bënë zakone kremtimi. Në dinastinë Tang (618-907), Nënta e Dyfishtë u përcaktua si festë zyrtare dhe pallati perandorak e vegjëlia e festonin së bashku këtë ditë. Në dinastinë Qing (1636-1912), në Festën Chongyang, perandori ngjitej vetë në mal për të admiruar peizazhet e vjeshtës.

Pas hyrjes në kohën moderne, që nga vitet '80 të shekullit të kaluar, disa krahina kineze e përcaktuan Festën Chongyang si Dita e të Moshuarve për respektimin e të moshuarve në tërë shoqërinë. Në vitin 1989, qeveria kineze e përcaktoi datën 9 shtator sipas kalendarit hënor si Festa e të Moshuarve. Në vitin 2006, Festa Chongyang u përfshi nga qeveria kineze në listën e trashëgimive kulturore jomateriale kombëtare.

Duke folur për ngjitje në mal në Festën Chongyang, duhet thënë se ky zakon i lashtë e ka origjinën nga adhurimi i kinezëve të lashtë ndaj malit dhe filloi të përhapej herët në Periudhën e Shteteve Ndërluftuese. Krahas kësaj, vjeshta është një stinë shumë e përshtatshme për ngjitje në mal. Në majën e malit, njerëzit mund të shijojnë peizazhet e bukura duke thithur ajër të freskët.

Për sa i përket admirimit të lulevjeshtave gjatë festës, ky zakon ka gjithashtu një histori të gjatë. Shtatori është muaji i çeljes së këtyre luleve, prandaj që nga dinastitë Wei e Jin, nisi admirimi i lulevjeshtave dhe pirja e rakisë së bërë me to në Festën Chongyang. Njëkohësisht në Kinë, lulevjeshta simbolizon jetëgjatësinë.

Krahinat e ndryshme kineze kanë zakonet e veta të veçanta për kremtimin e festës. Në fshatin Huangling në provincën Jiangxi të Kinës Juglindore, me rastin e Festës Chongyang, zhvillohet veprimtaria e tharjes së perimeve e të frutave. Pas tharjes, perimet e frutat është më e lehtë të ruhen në dimër. Në kontenë Wuchang të provincës Hubei të Kinës Qendrore, banorët e kanë zakon të prodhojnë raki në Festën Chongyang. Thuhet se rakia e bërë në këtë ditë është shumë e shijshme dhe nuk prishet lehtë. Në kontenë Juancheng të provincës Shandong të Kinës Lindore, Festa Chongyang është ditëlindja e Perëndisë së Pasurisë. Në këtë ditë, banorët përgatisin kekë për të adhuruar Perëndinë e Pasurisë.

Zakonet e kremtimit të Festës Chongyang janë përhapur gjithashtu në vendet fqinje të Kinës, si në Kore e në Japoni. Në Korenë e Jugut njerëzit e kanë zakon të lexojnë poezi dhe të hanë kekë lulesh. Kurse në Japoni, në vigjiljen e festës, njerëzit vënë një pëlhurë pambuku mbi lulevjeshtat dhe në ditën e festës ata fshijnë trupin me këtë pëlhurë për të kërkuar jetëgjatësinë. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore