Krahinat e ndryshme kineze kremtojnë Festën e Mesvjeshtës

2018-09-27 15:21:42 CRI Komenti juaj Printoni

15 gushti sipas kalendarit hënor kinez është Festa e Mesvjeshtës e Kinës, e cila sivjet ra më 24 shtator sipas kalendarit gregorian. Festa e Mesvjeshtës është një nga katër festat kryesore tradicionale kineze së bashku me Festën e Pranverës, Festën "Qingming" dhe Festën e Varkës së Dragoit (Festën "Duanwu"). Gjatë kësaj feste, kinezët kanë shumë zakone festimi, si admirimi dhe adhurimi i hënës, ngrënia e kekut të hënës etj. Në krahinat e ndryshme kineze organizohen aktivitete të ndryshme për të kremtuar këtë festë.

Festa e Mesvjeshtës është një festë për hënën. Në kulturën tradicionale kineze, hëna është simboli i ribashkimit. Që nga lashtësia, kinezët filluan ta adhurojnë hënën në këtë ditë. Këtë vit, në një lagje në qytetin e lashtë kulturor Yangzhou të Kinës Juglindore u organizua një mbrëmje artistike me rastin e Festës së Mesvjeshtës, ku fëmijë të veshur me veshje tradicionale të dinastisë Han zhvilluan ceremoninë solemne të adhurimit të hënës. Banori i lagjes, Du Xiangkai, që mori pjesë në këtë mbrëmje, u shpreh se çdo vit në Festën e Mesvjeshtës, familja e tij zhvillon në shtëpi ceremoninë e adhurimit të hënës:

"Adhurimi i hënës në Festën e Mesvjeshtës është një traditë e kombit kinez që duhet të trashëgohet brez pas brezi. Vjesha është stina e korrjeve. Natyra na ka dhënë gjithçka, prandaj ne duhet të jemi mirënjohës për këto dhurata bujare."

Këtë vit në kryeqytetin Pekin u organizua kremtimi i përbashkët i festës. Një sërë veprimtarish të zhvilluara nëpër lagje, parqe, muze, galeri artesh, qendra tregtare etj., krijuan një atmosferë të ndezur feste. Në Muzeun e Kulturës Popullore të Pekinit u zhvilluan një sërë veprimtarish tradicionale, si bërja e kekut të hënës, gjetja e gjëegjëzave, prodhimi i lepujve prej balte etj., të cilat u mirëpritën shumë nga vizitorët, veçanërisht fëmijët.

Zhang, një mësues që shoqëroi nxënësit e tij gjatë vizitës në muze, shprehu vlerësimin e lartë për veprimtaritë e organizuara nga Muzeu i Kulturës Popullore. Ai është i mendimit se, nëpërmjet argëtimit, nxënësit mund të ndiejnë nga afër kulturën e shkëlqyer tradicionale kineze.

Drejtori i Muzeut të Kulturës Popullore të Pekinit Zhu Yi vuri në dukje se kjo nuk është hera e parë që ky muze zhvillon veprimtari të tilla. Çdo vit gjatë festave tradicionale, Muzeu i Kulturës Popullore zhvillon veprimtari për të përhapur kulturën tradicionale kombëtare.

Në Festën e Mesvjeshtës, Muzeu Historik i provincës Shanxi në qytetin Xian të Kinës Veriperëndimore ftoi 200 qytetarë të shkojnë në këtë muze për të kremtuar festën. Të ftuarit panë reliktet e muzeut, lexuan poezi, dëgjuan muzikë tradicionale dhe pinë çaj duke kaluar një festë të paharrueshme.

Gjatë pushimeve 3-ditore me rastin e Festës së Mesvjeshtës, shumë familje kineze shkuan për turizëm. Për të tërhequr më shumë turistë, në provincën Henan të Kinës Qendrore, 20 pika turistike ulën çmimin e biletave të hyrjes para festës, në të cilat përfshihen disa trashëgimi kulturore botërore, si tempulli "Shaolin", shpella "Longmen" etj.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë të Kinës Song Xiangqing është i mendimit se duhet të zhvillohet më tej turizmi kulturor me rastin e festave tradicionale. "Duhet të përsosen më tej pajisjet e shërbimet përkatëse në pikat turistike, me qëllim që kur turistët të vijnë në to, ata jo vetëm të shohin peizazhe të bukura, por edhe të njohin historinë e kulturën në ato vende," tha Song Xiangqing-u. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore