Kinostudioja e Changchun-it, "veterania" e përkthimit dhe e dublimit të filmave të huaj

2018-09-20 11:06:29 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit u shfaq në Kinë filmi japonez "Destiny", i përkthyer nga Kinostudioja e Changchun-it, e cila është kinostudioja e parë kineze që ka përkthyer e dubluar filma të huaj pas krijimit të Republikës Popullore të Kinës.

Në vitin 1949, u shfaq në Kinë filmi sovjetik "Ushtari Aleksander Matrosov", i përkthyer e i dubluar në gjuhën kineze nga Kinostudioja e Changchun-it. Ky është filmi i parë i huaj i përkthyer e i dubluar në gjuhën kineze pas krijimit të Kinës së Re. Gjatë 70 vjetëve, Kinostudioja e Changchun-it ka përkthyer mbi 2400 filma të huaj të njohur nga 50 vende, duke përfshirë "Roman Holiday", "Madagascar", "Despicable Me", "Ready Player One" etj. Në vitin 2017, në kinematë kineze u shfaqën rreth 90 filma të huaj, ndër të cilët më se 30 u përkthyen nga Kinostudioja e Changchun-it. Duke shtuar këtu filmat ose dramat televizive të huaja që shfaqen në platforma të tjera, çdo vit Kinostudioja e Changchun-it përkthen e dublon mbi 100 filma e drama televizive të huaja.

Changchun-i është një qytet në Kinën Verilindore. Kinostudioja e këtij qyteti quhet djepi i filmave të Kinës së Re. Shumë filma të njohur të prodhuar nga kjo kinostudio zënë një vend shumë të rëndësishëm në historinë e kinematografisë kineze. Njëkohësisht studioja e përkthimit e Kinostudios së Changchun-it u ka sjellë shikuesve kinezë shumë filma të famshëm të huaj. Kjo studio dhe Studioja e Përkthimit të Filmave të Huaj e Shangait janë dy studiot kryesore në Kinë që merren me përkthimin dhe dublimin e filmave të huaj.

Në versionin e gjuhës kineze të filmit hollivudian "The Smurfs", Hu Lianhua dubloi personazhin kryesor negativ Gargamel. Hu Lianhua filloi punë në Kinostudion e Changchun-it në vitin 1983 dhe deri tani ka dubluar mbi 710 filma të huaj. Ai ka dëshmuar përparimin e shpejtë të pajisjeve e të teknologjisë së dublimit. Në fillim, në studion e regjistrimit kishte vetëm një mikrofon dhe dubluesit regjistronin njëri pas tjetrit, duke pasur frikë të bënin ndonjë lëvizje të shpejtë, për të mos krijuar zhurmë. "Në atë kohë regjistrohej zëri në film, kurse tani ne përdorim regjistrimin digjital. Asokohe të gjithë dubluesit duhej të grumbulloheshin në studio. Nëse prishej filmi, duhej të regjistrohej përsëri. Tani ky problem nuk ekziston," tregon Hu Lianhua.

Dublimi quhet edhe si arti i rikrijimit të filmit. Dubluesit duhet të analizojnë personazhet e filmit duke studiuar ndryshimet emocionale të tyre. Regjisori i dublimit Wang Lijun u shpreh se shpirti i hulumtimit dhe i eksplorimit i dubluesve me përvojë është një thesar i çmuar:

"Artistët e vjetër harxhojnë disa muaj, madje gjysmë viti, për të bërë përgatitje para dublimit të filmit të huaj. Ata e shikojnë herë pas here filmin, duke analizuar thellësisht personazhet përkatëse."

Sot në Kinë shfaqen pothuajse në të njëjtën kohë shumë filma të huaj, prandaj koha e përkthimit dhe e dublimit të filmit është shumë e shkurtër. Megjithatë, dubluesit e Kinostudios së Changchun-it nuk heqin dorë nga asnjë hallkë e procesit përgatitor, si shikimi i filmit, analiza e personazheve etj.

Drejtori i Kinostudios së Changchun-it Wang Xiaowei u shpreh se përkthimi e dublimi i filmave të huaj duhet të ecin me hapat e kohës. Në bazë të respektimit të versionit origjinal, Kinostudioja e Changchun-it ka përfshirë më shumë elemente shoqërore e kulturore kineze në përkthim e dublim, duke përdorur mënyrat e shprehjes së gjuhës kineze, me qëllim që filmat e përkthyer e të dubluar të pranohen më lehtë nga shikuesit kinezë. "Për shembull, dialogu në mjaft filma amerikanë është shumë popullor, prandaj dubluesit përdorin më shumë gjuhë të folur në film," tha drejtori Wang.

25-vjeçari Wu Yang është një nga dubluesit e brezit të ri të Kinostudios së Changchun-it. Ai ka besim të plotë për të ardhmen e dublimit e të përkthimit të filmave të huaj në Kinë.

"Jam i mendimit se do të shpejtohet më shumë zhvillimi i filmave të huaj të përkthyer e të dubluar në Kinë. Kam besim për këtë," shprehet ai. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore