Vizita e "gazetarëve të vegjël panda" në Poloni

2018-09-13 16:45:24 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet, "gazetarët e vegjël panda" që marrin pjesë në veprimtarinë e vizitave në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë", janë ndarë në tre grupe. Ata po vizitojnë ose do të vizitojnë vende të ndryshme europiane e aziatike. Grupi i parë i gazetarëve të vegjël vizitoi Gjermaninë, Belgjikën e Holandën, kurse grupi i dytë shkoi së pari për vizitë në Poloni.

Gazetarët e vegjël vizituan së pari ambasadën e Kinës në Poloni. Ambasadori Liu Guangyuan i priti ngrohtësisht fëmijët dhe i njohu ata me gjendjen e zhvillimit të marrëdhënieve midis Kinës e Polonisë:

"Polonia është vendi i parë i Europës Qendrore e Lindore që përkrahu nismën 'Një brez, një rrugë' dhe mori pjesë në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore. Ajo është edhe vendlindja e mekanizmit të bashkëpunimit '16+1'. Qarqet e ndryshme shoqërore polake e përkrahin shumë zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve. Pas vizitave në vitin 2015 e në vitin 2016 përkatësisht të presidentit polak Andrzej Duda në Kinë dhe të presidentit kinez Xi Jinping në Poloni, të dy vendet vendosën marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik. Vitet e fundit, shkëmbimet e bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat janë shumë të ngushta."

Pas kësaj paraqitjeje, gazetarët e vegjël e intervistuan ambasadorin Liu. Një prej tyre, një vajzë e quajtur Li Zixuan, kishte shumë interes për trenin e mallrave Kinë-Europë, që niset nga qyteti Chengdu, dhe pyeti se çfarë mallrash kineze që transportohen në Poloni mirëpriten më shumë nga banorët vendorë. Ambasadori Liu u përgjigj se mallrat kineze të transportuara me trenin Kinë-Europë nga Chengdu-ja deri në Poloni janë kryesisht makineri e veshje. Për shkak të cilësisë së mirë e çmimit të ulët, këto mallra mirëpriten shumë nga konsumatorët vendorë.

"Gazetarët e vegjël panda" vizituan edhe selinë e përgjithshme të kompanisë "Huawei" në Europën Lindore, që gjendet në kryeqytetin e Polonisë Varshavë. 11-vjeçarja Wu Keyou është shumë krenare për arritjet ekonomike të atdheut të vet:

"Kur pashë ndërtesat e ngritura nga Kina në Poloni, u ndjeva shumë krenare për ndikimin e madh të Kinës jashtë vendit. Njëkohësisht tani markat kineze po mirëpriten gjerësisht nga konsumatorët e vendeve të ndryshme. Kam mësuar se celularët e markës 'Huawei' shiten shumë mirë në Poloni."

Pas vizitës në Varshavë, "gazetarët e vegjël panda" vizituan qytetin e Lodzit. Lodzi dhe Chengdu-ja janë binjakëzuar. Fëmijët vizituan së pari bashkinë e qytetit Lodz, ku punonjësit i njohën me historinë dhe kulturën e këtij qyteti. Në zyrën e kryetarit të bashkisë, gazetarët e vegjël u ftuan të ulen në karrigen e tij për të provuar ndjenjën e të qenit kryetar bashkie.

Vizita e fëmijëve kinezë tërhoqi interesin e medies polake. E intervistuar nga gazetarët polakë, "gazetarja e vogël panda", Wu Keyou, shprehu dëshirën e saj për t'u bërë gazetare e vërtetë kur të rritet, sepse profesioni i gazetares bën të mundur kontaktet me njerëz të qarqeve të ndryshme, dhe kjo, sipas saj, është shumë interesante:

"Marr pjesë në veprimtarinë e 'gazetarëve të vegjël panda' për të grumbulluar përvojë që të bëhem gazetare kur të rritem. Kjo veprimtari më ndihmon ta njoh historinë e kulturën e vendeve përgjatë 'Një brez, një rrugë'."

Zv.drejtoresha e zyrës së bashkëpunimit me jashtë e bashkisë së Lodzit Monika Karolczak e përshëndeti vizitën e gazetarëve të vegjël kinezë në Lodz dhe tha se ky është një rast shumë i mirë për nxitjen e shkëmbimeve kulturore e ekonomike midis dy palëve.

Nga ana e tij, drejtuesi i grupit të "gazetarëve të vegjël panda" Yang Liqun u shpreh se, duke i vizituar vetë vendet përkatëse, gazetarët e vegjël do të kenë një kuptim më të thellë dhe do t'i shohin me sytë e tyre shkëmbimet midis Kinës e vendeve të tjera në të gjitha fushat. Pas kthimit në atdhe, ata do ta ndajnë përvojën e tyre me fëmijët e tjerë. Në këtë mënyrë, lidhjet midis Kinës e vendeve të tjera do të jenë më të ngushta.

Pas vizitës në Poloni, "gazetarët e vegjël panda" vizituan edhe Republikën Çeke e Hungarinë. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore