"ChinaJoy" në Shangai pasqyron lulëzimin e tregut kinez të lojërave elektronikë

2018-08-30 15:01:07 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 3 deri më 6 gusht u zhvillua në Shangai Panairi i 16-të Ndërkombëtar i Argëtimeve Digjitale i Kinës ("ChinaJoy"), i cili tërhoqi shumë kompani kineze e të huaja të argëtimeve digjitale dhe të apasionuar pas kësaj fushe. Një nga temat kryesore të panairit është bashkëpunimi midis kompanive kineze e të huaja të argëtimeve digjitale. Me lulëzimin e tregut të lojërave elektronike të Kinës, shumë kompani të huaja synojnë të sjellin më shumë produkte cilësore në Kinë. Njëkohësisht kompanitë kineze shpresojnë se lojërat e tyre me karakteristika orientale do të pëlqehen nga amatorët e huaj të lojërave elektronike.

Ekipi polak i zhvillimit të lojërave elektronike "My Next Games" mori pjesë në panair për të përhapur produktet e veta. Përgjegjësi i këtij ekipi Jakub Lisinski u shpreh se ata po planifikojnë të përpunojnë lojërat e tyre sipas parapëlqimeve të amatorëve kinezë të lojërave elektronike, për të plotësuar kërkesat e tyre:

"Kjo është hera e parë për mua që vizitoj Kinën. Unë po përpiqem të njoh këtu gjendjen e tanishme të tregut kinez të lojërave dhe kulturën kineze. Kina është shumë e modernizuar dhe lojtarët kinezë përdorin zakonisht pajisje të lëvizshme për të luajtur. Pas përfundimit të kësaj vizite në Kinë, do t'i përmirësojmë më tej produktet tona, për t'u përshtatur me tregun kinez."

Në "ChinaJoy" të këtij viti kishte shumë ekipe të projektimit e të shitjes së lojërave elektronike, si ekipi i Lisinski-t. Ata kanë të njëjtin qëllim, futjen e produkteve të tyre në tregun kinez të lojërave. Sipas raportit për industrinë e lojërave të Kinës nga janari deri në qershorin e sivjetshëm, të publikuar në ditën e hapjes së "ChinaJoy", del se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga shitjet e lojërave elektronike në Kinë arritën në 105 miliardë juanë (rreth 15 miliardë dollarë). Një treg kaq i madh i lojërave ka tërhequr edhe shumë kompani nga Japonia, një vend i fuqishëm për sa u përket lojërave elektronike. Dizenjuesi i lojërave i kompanisë "WINLIGHT" Hidenari Sakai u shpreh se, megjithëse zinxhiri i industrisë së lojërave në Japoni është shumë i përsosur, përmasat e tregut të lojërave aty nuk mund të krahasohen me ato të Kinës:

"Veçanërisht përdorimi i lojërave në pajisjet e lëvizshme në Kinë është shumë i lartë se në Japoni."

Në të njëjtën kohë, lojërat kineze të nivelit të lartë kanë tërhequr shumë lojtarë të huaj. Me rastin e panairit, gjiganti rus i internetit "Mail.ru" shpresonte të tërhiqte më shumë lojëra kineze në Rusi. Menaxherja e lartë e kompanisë Elena Egorova u shpreh se forcimi i lidhjes së tregjeve të të dy vendeve do t'u sjellë të dy palëve përfitime:

"Tani Kina është klientja më e madhe e kompanisë sonë. Duam të krijojmë një ndërlidhje të qëndrueshme me tregun kinez të lojërave, për të tërhequr më shumë lojëra kineze në Rusi. Rusia është tregu më i madh i lojërave në Europë dhe lojërat kineze janë shumë të mirëpritura aty."

Sipas të dhënave përkatëse, sivjet shpenzimet e lojtarëve të huaj në lojërat e lëvizshme kineze i kanë kaluar 16 miliardë dollarët. Shumë kompani kineze të lojërave po shpejtojnë hapat e përhapjes së produkteve jashtë vendit. Kompania "Longteng" e Fuzhou-t merret me përhapjen e lojërave kineze në rajonin e Lindjes së Mesme. Menaxheri i përgjithshëm i kësaj kompanie Lin Bin është i mendimit se, për të tërhequr të huajt, lojërat kineze duhet të respektojnë gjuhët e zakonet vendore:

"Në lojërat e prodhuara nga ne përfshihen elemente të kulturës së Lindjes së Mesme. Kështu, lojërat mund të pranohen më lehtë nga lojtarët vendorë. Në këtë mënyrë, në të ardhmen, produktet tona do të përhapen edhe në Europë, Amerikë etj."

Krahas lojërave, në "ChinaJoy" të këtij viti kompani të ndryshme shfaqën edhe pajisje argëtuese të teknologjisë së lartë, si VR (Realiteti Virtual) etj. Kryeekzekutivi i kompanisë jugkoreane "bHaptics" Kiuk Gwak vë në dukje se, pas popullarizimit të teknologjisë VR, pajisjet VR do të bëhen një send i domosdoshëm në çdo familje:

"Tregu i pajisjeve VR në Kinë po arrin një pjekuri më të madhe. Jam i mendimit se pas 10 vjetëve, çdo njeri mund të luajë lojëra në shtëpi me pajisje VR." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore