Mozaik lajmesh kulturore

2018-07-12 17:01:33 CRI Komenti juaj Printoni

Mali Fanjing i Kinës pranohet në "Listën e trashëgimive botërore"

Në sesionin e 42-të të Komitetit të Trashëgimive Botërore të UNESCO-s, të zhvilluar më 2 korrik në Manama të Bahreinit, mali Fanjing në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore u pranua në "Listën e trashëgimive botërore". Mali Fanjing bëhet kështu trashëgimia e 53-të botërore dhe trashëgimia e 13-të natyrore botërore e Kinës.

Fanjing-u gjendet në qytetin Tongren të provincës Guizhou dhe është mali më i lartë i vargmaleve Wuling. Sipërfaqja e zonës së përfshirë si trashëgimi botërore arrin në 402.75 kilometra katrorë. Sistemi ekologjik i malit Fanjing ruan shumë specie të lashta, të rralla e endemike, duke përfshirë 4395 lloje bimësh e 2767 lloje kafshësh. Mali Fanjing është një nga zonat më të pasura në rajonin e pyjeve gjetherënëse në Lindje.

Komiteti i Trashëgimive Botërore vlerëson se mali Fanjing plotëson standardet e biodiversitetit të trashëgimive natyrore botërore, duke shfaqur e ruajtur tiparet e ekosistemit malor subtropikal të Azisë Qendrore dhe një biodiversitet të dukshëm.

Pas pranimit të malit Fanjing në listën e trashëgimive botërore, provinca Guizhou ka nisur punën e hartimit të rregullores për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore botërore. "Më parë, kemi hartuar rregulloren e administrimit të malit Fanjing dhe pas pranimit në 'Listën e trashëgimive botërore', do ta përsosim këtë rregullore," tha nënkryetari i bashkisë së qytetit Tongren Yang Tongguang.

Boshti qendror i qytetit Pekin aplikon për trashëgimi botërore

Zyra e Relikteve Kulturore e Bashkisë së Pekinit njoftoi javën e kaluar se në boshtin qendror të qytetit janë përcaktuar 14 pika trashëgimie, duke përfshirë portën "Yongding", Tempullin e Qiellit etj. Sipas planit, deri në vitin 2035, do të realizohet objektivi i pranimit të boshtit qendror të qytetit Pekin si trashëgimi botërore.

Boshti qendror i Pekinit është vija qendrore e qytetit nga jugu në veri dhe ka një gjatësi prej 7.8 kilometrash. Boshti fillon nga porta "Yongding" në jug dhe përfundon në Kullën e Kambanës në veri. Kur u ndërtua qyteti Pekin, u përcaktua së pari boshti qendror. Në këtë bosht ndodhen disa ndërtesa kryesore të qytetit, dhe në mes të tij është Pallati Perandorak i Dimrit. Boshti qendror mbulon rreth 65% të sipërfaqes së qytetit të lashtë të Pekinit. Përgjatë tij gjenden ndërtesa perandorake, banesa tradicionale dhe ndërtesa të rëndësishme moderne. Pak vite më parë, Pekini vendosi të paraqesë aplikimin për përfshirjen e boshtit qendror të qytetit si trashëgimi botërore.

Hapet Festivali i 4-t Kulturor e Artistik Kinë-BE

Më 6 korrik në mbrëmje u zhvillua në "Teatrin e Vodëvilit" në Bruksel të Belgjikës ceremonia e hapjes së Festivalit të 4-t Kulturor e Artistik Kinë-BE. Artistë kinezë të operës "Kunqu" dhanë një shfaqje që u ndoq me shumë interes nga shikuesit e pranishëm.

Në kuadrin e mekanizmit të shkëmbimeve e dialogut kulturor e njerëzor të nivelit të lartë midis Kinës e BE-së, Festivali Kulturor e Artistik Kinë-BE ka krijuar një platformë për shkëmbimet mes popujve e mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve nga të dy palët.

Opera "Kunqu" e shfaqur në ceremoninë e hapjes së Festivalit është formë e lashtë e artit kinez dhe një trashëgimi gojore jomateriale kulturore e njerëzimit e përcaktuar nga UNESCO-ja. Para 400 vjetëve, në Kinë e në Europë u shfaqën dy dramaturgë të mëdhenj, Tang Xianzu dhe Uilliam Shekspiri. Veprat e Tang Xianzu-së vlerësohen si vepra klasike të operës "Kunqu". Veprat e të dy këtyre autorëve të mëdhenj janë një trashëgimi e përbashkët kulturore e njerëzimit, që kanë nxitur shkëmbimet e dialogun midis Lindjes e Perëndimit.

Tre interpretues kinezë të operës "Kunqu" u shfaqën shikuesve europianë elementet e ndryshme të kësaj opere, si këndimin, leximin, vallëzimin, kongfu-në etj.

Festivali Kulturor e Artistik Kinë-BE i këtij viti do të zgjasë pesë muaj dhe do të mbyllet në nëntor. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore