"Takimi i së martës i Mallarme-së" në Pekin

2018-05-31 17:08:36 CRI Komenti juaj Printoni

Claude Debussy (Klod Debysi) është një kompozitor i famshëm francez i fundit të shekullit të 19-të e fillimit të shekullit të 20-të. Ai vlerësohet si pionieri i muzikës impresioniste dhe ka ushtruar ndikim të thellë mbi muzikën e kompozitorëve të mëvonshëm.

Sivjet është 100-vjetori i vdekjes së Debussy-së. Ditët e fundit u zhvillua në Pekin një forum me titull "Takimi i së martës i Mallarme-së" për të përkujtuar këtë muzikant të madh. Stephane Mallarme (Stefan Malarme) është një poet i famshëm francez bashkëkohës me Debussy-në. Salloni i poezisë i zhvilluar në shtëpinë e tij ishte takimi më i famshëm në qarqet kulturore franceze në atë kohë, ku merrnin pjesë rregullisht poetë, muzikantë e piktorë të famshëm. Salloni zhvillohej çdo javë të martën, prandaj quhej "Takimi i së martës i Mallarme-së".

Pas vitit 1890, Debussy u njoh me Mallarme-në dhe filloi të merrte pjesë në sallonin e tij. Aty Debussy u njoh me shumë artistë të rinj. Pikëpamjet e mendimet krejt të reja artistike të tyre ushtruan ndikim të madh mbi krijimtarinë muzikore të Debussy-së duke formuar më në fund, si rezultat, stilin e tij të veçantë muzikor.

Në forumin e zhvilluar në Pekin, profesori në degën e kompozicionit të Konservatorit të Muzikës të Kinës Yang Tongba u shpreh se veprat e Debussy-së janë klasike dhe ai krijoi risi në gjuhën muzikore e në teknikën e kompozimit. "Muzika e tij është shumë e bukur dhe kuptohet lehtë. Njëkohësisht muzika e Debussy-së ka individualitet e ngjyrë poetike, stili i tij është i papërsëritshëm."

Shkrimtarja franceze Ariane Chalandon është autorja e "Biografisë së Debussy-së", që u botua në vitin 2012. Chalandon u shpreh në forumin e Pekinit se, në sallonin e Mallarme-së, Debussy u njoh me shumë poetë e piktorë bashkëkohës, duke u ushqyer nga veprat e tyre në krijimtarinë e vet. Njëkohësisht qytetërimet lindore e të ishujve në Oqeanin Indian e Oqeanin Atlantik ushtruan ndikim të rëndësishëm mbi krijimet e Debussy-së. Në një letër, Debussy shkruante: "Megjithëse qytetërimi modern është kaotik, ende ka disa ishuj mahnitës, muzika e të cilëve më ka sjellë shumë frymëzim. Banorët e atyshëm e mësojnë muzikën nga dallgët e detit dhe zëri i erës që fryn gjethet." Chalandon është e mendimit se Debussy i zgjodhi vetë dëgjuesit e tij, ai shpresonte se muzika e tij do të pranohej nga intelektualët e studiuesit e muzikës. "Ai nuk kërkon popullarizimin e veprave, por i kushton vëmendje elitizmit muzikor," theksoi Ariane Chalandon.

Pianistja kineze Chen Sa publikoi në vitin 2017 albumin e saj solo "24 prelude pianoje të Debussy-së", duke zhvilluar turneun global të këtij albumi. Pianistja u shpreh se gjatë mësimit e interpretimit të veprave të Debussy-së, ajo e ndien veten sikur zhytet në fund të ujit dhe krejtësisht në konceptin artistik të kompozitorit. "Në muzikën e Debussy-së mund të ndiej synimin e ndjenjat e tij origjinale për jetën e muzikën. Arti i pikturës integrohet në krijimet e Debussy-së dhe, si rrjedhim, muzika e tij i ngjan pikturës. Kënaqem e gëzohem shumë nga muzika e Debussy-së."

Veprat muzikore të Debussy-së kanë ushtruar ndikim të madh mbi shumë artistë kinezë. Krahas muzikantëve, edhe shumë artistë të tjerë kinezë e kanë Debussy-në të parapëlqyerin e tyre. Vizatuesi kinez Gao Lao sapo botoi veprën "Fantazi" për nder të Debussy-së. Që nga fëmijëria e deri më sot, Gao Lao ka dëgjuar veprat e Debussy-së, si "Clair de lune (Dritë hëne)", "Arabeska" etj. "Dëgjoj gjithmonë vepra të Debussy-së në CD, MP3, celular etj. Muzika e tij më sjell gjithmonë frymëzime interesante. Edhe vepra ime 'Fantazi' e mori frymëzimin nga muzika e Debussy-së dhe e vizatova sipas ritmit të melodisë 'Fantazi'. Kur të shikoni këtë libër, do të duket sikur dëgjoni muzikën e Debussy-së," u shpreh Gao Lao. (Fani)

Mrekulli