Muzetë, mënyra e re e kalimit të kohës së lirë në Kinë

2018-05-24 09:39:57 CRI Komenti juaj Printoni

18 maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeut. Tema kryesore e kësaj dite sivjet është "Muzetë e tejlidhur: Mënyra të reja, publik i ri". Me rastin e kësaj dite, muzetë e ndryshëm kinezë organizuan veprimtari të shumëllojshme për të tërhequr publikun. Vitet e fundit, me zhvillimin e madh të muzeve në Kinë, vizita në to po bëhet një mënyrë e re për kalimin e kohës së lirë nga kinezët.

Sipas të dhënave të Administratës Shtetërore të Trashëgimisë Kulturore të Kinës, deri në fund të vitit 2016, numri i muzeve të regjistruar në Kinë arriti në 4873. Muzetë e mbarë vendit organizojnë çdo vit mbi 30 mijë ekspozita, duke tërhequr rreth 900 milionë vizitorë.

Zonjusha Chen nga Pekini është e mendimit se ekspozitat interesante dhe vizitorët e muzeve në Kinë kanë ardhur duke u shtuar:

"Ekspozitat në muze janë shumë të larmishme dhe tërheqin shumë vizitorë. Në të kaluarën, rrallë shihje vizitorët e muzeve të mbanin radhë për të parë një ekspozitë tërheqëse, ndërsa sot kjo dukuri është shumë e zakonshme. Po ashtu, jam e mendimit se niveli i shërbimit në muzetë kinezë është ngritur dukshëm, duke u ofruar vizitorëve mundësinë për të pasur një përvojë të mirë kur shkojnë në muze."

Krahas ekspozimit të objekteve të ndryshme kulturore e artistike, një funksion tjetër i rëndësishëm i muzeut është edukimi e përhapja e njohurive. Për të nxitur këtë funksion të rëndësishëm, vitet e fundit është shtuar shumë numri i vullnetarëve të muzeve, gjë që ka ngritur më tej nivelin e shërbimit në muze. Zonja Ding Zhaoxia është një prej tyre. Pasi doli në pension në vitin 2007, ajo u bë vullnetare në Muzeun e Kryeqytetit në Pekin. Sipas saj, vullnetarizmi ka ngritur nivelin e saj kulturor dhe është në të mirë të përhapjes së njohurive e të kulturës së muzeut.

"Vitet e fundit, zhvillimi i muzeve kineze ka qenë i madh. Tani është shtuar numri i muzeve ku hyrja është falas dhe vizitorët e muzeve janë shtuar vazhdimisht. Unë merrem kryesisht me shpjegim në sallën e ekspozimit të artikujve prej nefriti. Si vullnetare, kam marrë shumë njohuri dhe njëkohësisht gjatë punës, shumë vizitorë më kanë dhënë njohuri profesionale," tha zonja Ding.

Tani më se 4000 muze në Kinë janë të hapur falas për publikun, duke zënë mbi 80 % të numrit të përgjithshëm të muzeve të mbarë vendit. Më shumë kinezë e kanë zgjedhur vizitën në muze si një mënyrë të re për të kaluar kohën e lirë. Zotit Zhang nga provinca Guangdong i pëlqen të vizitojë muzetë bashkë me djalin e vet. Ai shpreson se i biri do ta ndiejë atmosferën kulturore që përcjellin muzetë që nga fëmijëria.

Ndërkohë për zotin Wang, që është në moshën mbi 30-vjeçare, një ndryshim i rëndësishëm i muzeve kinezë është shtimi i shkëmbimeve me jashtë. Si rezultat, publiku kinez mund të njohë nga afër kulturat e huaja nëpërmjet muzeve:

"Për shembull, tani kur vizitojnë vendet e huaja, shumë turistë kinezë nuk kënaqen vetëm me vizitat në pikat turistike, por ata zgjedhin muzetë si vend i mirë për njohjen e kulturës vendore. Por ka edhe një numër të madh kinezësh që nuk kanë shumë mundësi të vizitojnë muzetë jashtë vendit, prandaj shkëmbimet midis muzeve kinezë e atyre të huaj kanë rëndësi të madhe. Vitin e kaluar Ekspozita e Thesareve nga Afganistani, e zhvilluar në Pallatin Perandorak, më ka lënë përshtypje shumë të thellë. Në të kaluarën e njihja kulturën e këtij vendi të lashtë vetëm nga librat, ndërsa kur pashë me sytë e mi thesaret e Afganistanit, u emocionova shumë." (Fani/Artan Goga)

Mrekulli