Mbyllet Festivali i 6-të Kulturor Kinë-Gjermani

2018-05-09 16:54:45 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën e kaluar u mbyll në Berlin Festivali i 6-të Kulturor Kinë-Gjermani. Gjatë 11 ditëve të kësaj veprimtarie, artistë kinezë e gjermanë zhvilluan shkëmbime kulturore e artistike lidhur me pikturën, muzikën, fotografinë, kërcimin, letërsinë etj., duke u paraqitur artdashësve gjermanë kulturën e artet kineze.

Këshilltari kulturor i ambasadës së Kinës në Gjermani Chen Ping u shpreh se, pas themelimit, Festivali Kulturor Kinë-Gjermani ka pasur përkrahjen e madhe të bashkisë së Berlinit, gjë që sipas tij tregon se Berlini është një qytet i hapur dhe me interes të madh për kulturat e ndryshme.

Që nga viti 2013, Shoqata e Shkëmbimeve Kulturore Gjermani-Kinë me qendër në Berlin dhe komiteti organizator i Javës së Azi-Paqësorit të Berlinit zhvillojnë së bashku festivalin e kulturës kineze. Sivjet emri i këtij festivali u shndërrua në Festivali Kulturor Kinë-Gjermani i Berlinit, duke u fokusuar në nxitjen e shkëmbimeve kulturore dypalëshe.

Këtë vit, kryetari i Bashkisë së Berlinit Michael Muller i dërgoi festivalit një letër urimi, ku u shpreh se Festivali Kulturor Kinë-Gjermani ka luajtur një rol të rëndësishëm për shkëmbimet kulturore gjermano-kineze, duke nxitur njohjen mes njerëzve me kultura të ndryshme dhe lidhjen midis dy vendeve. "Sot shkëmbimet midis metropoleve të mëdha ndërkombëtare janë të shpeshta dhe marrëdhëniet aktive të partneritetit midis Berlinit e Pekinit janë një dëshmi e mirë për këtë. Festivali Kulturor Kinë-Gjermani është një gur themeli i bukur në këto marrëdhënie partneriteti. Epoka jonë është një epokë ndërkombëtarizimi, por ndonjëherë faktorë të ndryshëm shoqërorë sjellin panik e nacionalizëm, prandaj, në këtë sfond, krijimi i lidhjeve të shumëllojshme ka rëndësi të veçantë," tha Muller.

Tema kryesore e edicionit të sivjetshëm të Festivalit Kulturor Kinë-Gjermani është "Ajo". Kryetarja ekzekutive e Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore Gjermani-Kinë të Berlinit Liu Yue, njëkohësisht edhe një nga organizatoret e festivalit, u shpreh se këtë vit gruaja është një temë e rëndësishme shoqërore e politike në Gjermani. Sipas saj, tema e festivalit "Ajo" nuk do të thotë nxitje e feminizmit, por ka për qëllim zhdukjen e diskriminimit gjinor nëpërmjet shkëmbimeve e integrimit të kulturave e të formave të ndryshme të artit.

Në shfaqjen artistike të dhënë në ceremoninë e hapjes së Festivalit Kulturor Kinë-Gjermani, artiste nga të dy vendet luajtën së bashku melodinë "Ëndrra në Loulan" me veglën muzikore kineze konghou dhe një instrument perëndimor si harpa. Kjo vepër muzikore është krijuar Cui Junzhi, një mjeshte e interpretimit me konghou. Sipas saj, konghou e harpa kanë origjinë të njëjtë nga një vegël e lashtë muzikore persiane. Pas përhapjes në Kinë, ky instrument persian u kthye në kongkou, kurse në Perëndim në harpë. Cui Junzhi u shpreh:

"Sot luajtëm melodinë 'Ëndrra në Loulan'. Loulani ishte një vend i lashtë në Rrugën e Mëndafshit që simbolizon bashkëpunimin në kuadër të nismës 'Një brez, një rrugë'. Shpresojmë se nëpërmjet shfaqjes së sotme të përbashkët të artisteve kineze e gjermane, njerëzit mund të kuptojnë se konghou e harpa janë vegla muzikore 'motra', që mund të ndërtojnë ura lidhjeje në zemrat e njerëzve."

Gjatë Festivalit të 6-të Kulturor Kinë-Gjermani u zhvillua edhe ekspozita me fotografi e titulluar "Momenti i saj - Gruaja bashkëkohore kineze". 40 fotografitë e përzgjedhura përfshijnë valltare duke kërcyer, infermiere në sallën e lindjes, vajza të kombësisë miao, sportiste etj., duke paraqitur në mënyrë të gjithanshme gruan bashkëkohore kineze. (Fani)

Mrekulli