Thellohet pandërprerë bashkëpunimi i kinematografisë kineze e asaj të huaj

2018-05-04 14:52:14 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, me ngritjen e pandërprerë të ndikimit ndërkombëtar të kinematografisë kineze, bashkëpunimi i industrisë kineze të filmit me atë ndërkombëtare është thelluar në mënyrë të gjithanshme. Janë shtuar financimet kineze në prodhimin e filmave të huaj, janë shtuar filmat e huaj me elemente kineze dhe shumë yje ndërkombëtare të kinematografisë kanë marrë pjesë në prodhimin e filmave kinezë.

Filmi kinez "Deklarata e Kajros" ka në qendër Konferencën e Kajros të zhvilluar në vitin 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të cilën morën pjesë liderët e Kinës, Britanisë e ShBA-së. Kjo ngjarje e rëndësishme historike është e lidhur me shumë vende, prandaj producentët e filmit ftuan rreth 50 aktorë të huaj nga Britania, ShBA-ja, Rusia, Gjermania, Japonia etj. për të luajtur në këtë film. Me bashkëpunimin e ngushtë të vendeve të ndryshme, filmi "Deklarata e Kajros" rikujton këtë ngjarje. Një nga regjisorët e filmit, Hu Minggang është i mendimit se suksesi i këtij filmi ka lidhje me interpretimin e shkëlqyer të aktorëve të huaj:

"Vitet e fundit, me zhvillimin e fuqishëm të ekonomisë kineze, ka pasur investime të mëdha kineze në fushën e kinematografisë. Si rrjedhim, niveli i kinematografisë kineze është ngritur shumë, duke arritur në nivelin ndërkombëtar. Në të ardhmen, bashkëpunimi i industrisë kineze të filmit me atë të huaj do të zgjerohet më tej."

Industria kineze e filmit është zhvilluar me shpejtësi të madhe. Tani numri i ekraneve të kinemave në Kinë i kalon 54 mijët, duke zënë vendin e parë në botë. Vitin e kaluar, të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave të filmave kinezë arritën në 55.9 miliardë juanë (rreth 8.8 miliardë dollarë), kurse numri i shikuesve të filmave në kinematë kineze arriti në 1.62 miliardë.

Lulëzimi i tregut kinez të filmit ka tërhequr më shumë kompani kinematografike e aktorë të huaj të kërkojnë bashkëpunim me palën kineze. Aktorja joprotagoniste e filmit iranian "Vera e nxehtë", që mori pjesë në Festivalin e 8-të Ndërkombëtar të Filmit të Pekinit, aktorja e famshme iraniane Mina Saadati, mirëpret zhvillimin e bashkëpunimit me kineastët kinezë:

"Zhvillimi i bashkëpunimit kinematografik midis Iranit e Kinës është në favor të të dy palëve dhe do të ngrejë nivelin e prodhimit të filmave të të dy vendeve. Kina është një vend i lashtë me një qytetërim të shkëlqyer, kurse Irani ka pasur rezultate të dukshme në fushën e kinematografisë. Bashkëpunimi dypalësh në këtë fushë do të sjellë patjetër vepra të spikatura."

Deri në fund të vitit 2017, Kina ka nënshkruar me 20 vende marrëveshje për prodhimin e përbashkët të filmave. Industria kineze e filmit ka krijuar marrëdhënie bashkëpunimi me gjashtë studiot kryesore kinematografike të Hollivudit. Nëpërmjet bashkëpunimit, janë krijuar shumë filma të mirëpritur nga shikuesit. Për shembull, filmi vizatimor serial "Kung Fu Panda" siguroi të ardhura të larta nga shitja e biletave të kinemave në Kinë e në botë. Ylli i Hollivudit Matt Damon interpretoi rolin kryesor në filmin kinez të regjisorit Zhang Yimou "Muri i Madh". Filmi i Hollivudit "Pacific Rim 2" u xhirua me investime kineze dhe shumë kineastë kinezë morën pjesë në xhirimin e tij.

Regjisori amerikan i filmit "The Lion King" etj. Rob Minkoff është i mendimit se në të ardhmen, bashkëpunimi i flmave kinezë e të huaj duhet t'i kushtojë më shumë vëmendje pasqyrimit pozitiv të historisë ndërkulturore:

"Shikuesit janë faktori më i rëndësishëm për një film. Njerëzit me kultura të ndryshme duhet të gjejnë disa pika të përbashkëta në historinë e filmit, ky është standardi i një filmi të mirë." (Fani)

Mrekulli