Filmat e dramat televizive kineze mirëpriten nga shikuesit e huaj

2018-04-26 20:55:47 CRI Komenti juaj Printoni

Filmat e dramat e bukura televizive pëlqehen shumë nga shikuesit. Vitet e fundit, Kina ka forcuar përhapjen e veprave cilësore kinematografike e televizive jashtë vendit, për të nxitur shkëmbimet kulturore me vendet e tjera. Shumë vepra që shfaqin ndjenjat e kinezëve dhe zhvillimin shoqëror të Kinës të përkthyera në gjuhë të huaja janë mirëpritur shumë nga shikuesit e huaj.

Si një nga veprimtaritë e Festivalit të 8-të Ndërkombëtar të Filmit të Pekinit të sapombyllur, panairi i filmave e dramave televizive kineze tërhoqi shumë biznesmenë të filmit e televizionit të vendeve të huaja. Në këtë panair u shfaqën shumë filma e drama televizive kineze të përkthyera e të dubluara në gjuhë të huaja, si për shembull drama televizive "Dashuria në Pekin" në gjuhën angleze, drama televizive "Ëndrra e Pallatit të Kuq" në rusishte, filmi "Go La La Go" në arabishte, drama televizive "Nusja e djalit e bukur" në gjuhën portugeze etj.

Këto vepra në gjuhë të huaja përkthehen nga Baza Kombëtare e Përkthimit të Filmave e Dramave Televizive në Gjuhë të Huaja, e krijuar në vitin 2014 nga Radio e Jashtme e Kinës. Kjo bazë është institucioni më i madh i përkthimit të filmave e dramave televizive në gjuhë të huaja në Kinë. Baza Kombëtare e Përkthimit të Filmave e Dramave Televizive në Gjuhë të Huaja, duke shfrytëzuar epërsinë e gjuhëve të shumta të huaja në të cilat transmeton CRI-ja, ka përkthyer mbi 7000 filma, drama televizive, dokumentarë e filma vizatimorë në 23 gjuhë të huaja dhe ka nënshkruar me mediat e mbi 30 vendeve marrëveshje për krijimin e "Teatrit të Kinës" për transmetimin e këtyre veprave. Në vitin 2015, i pari "Teatër i Kinës" u krijua në Televizionin Kombëtar të Egjiptit dhe dramat televizive kineze të transmetuara në këtë teatër u mirëpritën menjëherë nga shikuesit vendës. Kreu i kompanisë egjiptiane të filmit e televizionit "Vibration" Ashraf Hanafy u shpreh:

"Drama e parë televizive kineze e dubluar në arabishte dhe e transmetuar në Televizionin Kombëtar të Egjiptit është 'Jeta e lumtur e Jin Tailang-ut'. Drama ngjalli jehonë të madhe ndër shikuesit. Pas saj, disa drama të tjera televizive kineze u transmetuan në Egjipt, duke u mirëpritur nga shikuesit. Egjiptianëve u pëlqejnë shumë dramat televizive kineze, prandaj planifikojmë të hapim një kanal të posaçëm në 'Teatrin e Kinës' për të transmetuar dramat televizive kineze."

Filmat e dramat televizive kineze që shfaqin jetën e banorëve të thjeshtë kinezë janë mirëpritur jo vetëm nga shikuesit egjiptianë, por edhe prej atyre të vendeve të tjera. Tani po transmetohet në Pakistan drama televizive kineze "Rinia e Pekinit" në gjuhën urdu. Një shikuese me emrin Mona është ndjekëse besnike e dramës. Sipas saj, nëpërmjet kësaj drame, ajo mori njohuri mbi jetën e vërtetë të kinezëve:

"Historia e ndjenjave midis katër vëllezërve pekinas më ka prekur thellë. Nuk kisha asnjë ide që të rinjtë kinezë kanë vështirësi të njëjta në jetë si edhe ne. Shpresoj se do të kem mundësi të vizitoj Pekinin."

Gjatë vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Jinping në Tanzani në mars të vitit 2013, ai foli posaçërisht në fjalën e tij për transmetimin e dramës televizive kineze "Nusja e bukur e djalit" në këtë vend. Në vitin 2014, gjatë vizitës shtetërore në Argjentinë, Xi Jinping-u çoi atje si dhurata shtetërore tre vepra kinematografike e televizive kineze në gjuhën spanjolle, duke përfshirë "Rinia e Pekinit". Filmat e dramat televizive kineze janë bërë një urë miqësie që lidh zemrat e kinezëve e të popujve të vendeve të ndryshme. (Fani)

Mrekulli