Muzeu Britanik mirëpret forcimin e bashkëpunimit me palën kineze

2018-04-05 10:09:45 CRI Komenti juaj Printoni

Muzeu Britanik është një nga katër muzetë kryesorë të botës. Muzeu u themelua në vitin 1753 në Londër dhe është muzeu gjithëpërfshirës me historinë më të gjatë dhe me përmasat më të mëdha në botë. Në Muzeun Britanik gjenden më se 8 milionë relikte të çmuara e të shumëllojshme nga rajonet e ndryshme të botës.

Muzeu Britanik është edhe muzeu me reliktet më të shumta kineze jashtë Kinës, mbi 23 mijë të tilla. Ndër to përfshihen enë bronzi të dinastive Shang e Zhou (vitet 1600 - 221 para erës sonë), porcelan i dinastive Tang e Song (vitet 618 - 1279 të erës sonë), objekte ari e gurësh të tjerë të çmuar të dinastive Ming e Qing (vitet 1368 - 1912) etj. Këto relikte janë një thesar i paçmueshëm kulturor i njerëzimit.

Vitet e fundit, Muzeu Britanik ka forcuar shkëmbimet e bashkëpunimin me qarqet muzeore kineze. Vitin e kaluar u zhvillua me sukses në Muzeun Kombëtar të Kinës në Pekin dhe në Muzeun e Shangait ekspozita me 100 relikte të përzgjedhura të Muzeut Britanik, duke tërhequr shumë shikues.

Duke folur për përshtypjen e tij për muzetë kinezë, drejtori i Muzeut Britanik Hartwig Fischer u shpreh se ata janë plot gjallëri dhe veçanërisht në vitet e fundit, po zhvillohen me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. "Si Muzeu Britanik, edhe shumë muze kinezë janë muze 'enciklopedikë'. Nuk ka asnjë vend tjetër si Kina ku janë hapur kaq shumë muze të rinj brenda dhjetra vjetëve," tha Hartwig Fischer.

Me thellimin e "epokës së artë" të marrëdhënieve kino-britanike, Hartwig Fischer shpreh shpresën se Muzeu Britanik do të forcojë më tej bashkëpunimin me muzetë dhe specialistët e relikteve të Kinës, për të kërkuar së bashku mënyrat e përhapjes së qytetërimit botëror ndër sa më shumë njerëz.

Fischer-i është i mendimit se kyçi i bashkëpunimit midis qarqeve muzeore të të dy vendeve është që specialistë të relikteve dhe administratorë të muzeve të të dy palëve të kenë mundësi të punojnë së bashku për të ndarë njohuritë e teknologjinë.

Si një nga pikat turistike më popullore në Britani, Muzeu Britanik pret çdo vit mbi 6 milionë turistë të ardhur nga vende e rajone të ndryshme të botës. Hartwig Fischer vë në dukje se, si për të gjithë muzetë e klasit botëror, tani sfida më e madhe e Muzeut Britanik është nxitja e integrimit të kulturave të ndryshme. Sipas tij, çdo kulturë ka karakteristikat e veta dhe midis kulturave ka ndryshime, por kjo nuk do të thotë se ka epërsi të një kulture ndaj një tjetre. Një muze i shkëlqyer duhet të ndërthurë kulturat e ndryshme dhe të shfaqë ndërlidhjen e qytetërimeve botërore, për të prekur çdo shikues dhe për të plotësuar kureshtjen e tij.

Pasi mori postin e drejtorit të Muzeut Britanik në prill të vitit 2016, Fischer filloi rinovimin e gjithanshëm të këtij muzeu të vjetër. Parashikohet se procesi i rinovimit do të zgjasë për 10 vjet e madje edhe më shumë, sepse ndër afro 8 milionë relikte të koleksionuara në muze, vetëm rreth 50 mijë prej tyre mund të ekspozohen. Fischer shpreh shpresën se, me ndihmën e teknologjisë së përparuar, si teknologjia digjitale etj., reliktet mund të shfaqen më mirë.

Për mendimin e tij, rinovimi i pavijonit kinez është një hap i rëndësishëm në projektin e rinovimit të muzeut. Pavijoni kinez është një nga më të rëndësishmit dhe që pret më shumë vizitorë në Muzeun Britanik. Pas përurimit, në këtë pavijon u shtuan disa vepra të artit modern kinez.

Hartwig Fischer vëren: "Asnjë muze nuk mund të shfaqë plotësisht historinë e Kinës, sepse historia e Kinës është shumë e lashtë dhe shumë e pasur. Ne po bëjmë përpjekje për t'u dhënë shikuesve më shumë mënyra për të hyrë në kontakt me historinë dhe kulturën kineze." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore