Ushqimi gjatë dinastive të Kinës

2018-04-05 13:04:15 CRI Komenti juaj Printoni

Një fjalë e urtë kineze thotë se "Njeriu e konsideron ushqimin si nevojë parësore". Ushqimi është një pjesë e rëndësishme e kulturës kineze. Nëse do të hulumtojnë në antikitetin e Kinës do të gjejnë episode të mrekullueshme të traditës ushqimore gjatë Epokës së Bronzit, kur në Kinë sundonin dinastitë Shang dhe Zhou, por një zhvillim edhe më të madh kjo traditë mori gjatë dinastive Tang dhe Song.

Kultura ushqimore në dinastinë Shang (1600-1040 e.s)

Në dinastinë Shang kinezët përdornin zjarrin për ngrohjen e ushqimit dhe kjo dëshmohet nga gjurmët e tymit në enët e zbuluara në mbetjet arkeologjike në Yin. Në atë periudhë ushqimet në Kinë kryesisht bazoheshin te drithërat dhe derivatet e tyre. Madje një pjesë e madhe e drithërave përdoreshin dhe për prodhimin e alkoolit, mjaft të përhapur gjatë dinastisë Shang. Sipas studjuesve pijet alkoolike të asaj kohe kishin pothuajse të njëjtën përmbajtje dhe shijje të birrës së sotme. Në tryezat e kinezëve në këtë periudhë historike mbisundonin gatimet prej mishi dhe supat e ndryshme. Kinezët shkonin për gjah në grupe të mëdha dhe pre e tyre ishin rinocerontët, elefantët, lepujt, drerët dhe peshqit.

Kultura ushqimore gjatë dinastisë Zhou (1046-256 e.s)

Një tipar dallues i ushqimit në dinastinë Zhou ishte se ai ishte i lidhur me shumë rite. Kinezët e asaj periudhe e prezantonin ushqimin si një mjet midis Qiellit dhe Tokës. Madje sipas riteve, lloje të ndryshme ushqimesh ndaheshin në sasi të ndryshme, në përmasën e quajtur "Ding".

Nëse riti kryhej nga perandori, atëherë në tryezë shtroheshin 9 lloje gatimesh prej mishi viçi, qengji, derri, peshk, mish i tymosur, zorrë, peshk i freskët apo pastërma. Nëse riti kryhej nga studjuesit shërbehej vetëm një pjatë me mish derri. Gjatë dinastisë Zhou, kultura ushqimore nisi të zhvillohej me shpejtësi. "Ritet ushqimore Zhou" kryheshin nga 3.983 persona përgjegjës që shërbenin në familjen perandorake dhe që përgatisnin ushqimet dhe pijet. Për gatim në atë periudhë përdoreshin vajra të ndryshëm, me të cilat përgatiteshin lloje të ndryshme mishrash. Pjatave iu shtoheshin perime të stinës, që kombinoheshin sipas vlerave ushqimore me mishrat. Kuzhinierët kombinonin mishin e patës me grurin, apo peshkun me orizin e egër.

Kultura ushqimore gjatë dinastisë Tang (618-907)

Shoqëria kineze gjatë dinastisë Tang ishte shumë e begatë dhe falë kësaj jeta materiale dhe ajo shirtërore mori një zhvillim të madh. Kuzhina e dinastisë Tang u pasurua shumë dhe falë shkëmbimeve të asaj periudhe midis Kinës dhe vendeve fqinje.

Sipas arkivave të kohës mësohet se shumë artikuj ushqimorë apo mënyra gatimi të dinastisë Tang janë të njëjta me ato të sotmet. U përhapën shumë ëmbëlsirat, gatimet me bazë orizi. Me prejardhje nga krahinat perëndimore të Kinës tortat me susam, të ngjashme me ëmbëlsirën e sotme "naan", gjatë dinastisë Tang ishin mjaft të përhapura. Në kuzhinën e dinanstisë Tang gatuheshin lloje të ndryshme mishi, peshku. Një përdorim të gjerë kishte dhe peshku "crudo" i cili i prerë në feta të holla gatuhej me hudhra, lëng portokalli dhe salca të ndryshme. Në dallim nga gatimi i sotëm japonez "sashimi" peshku "crudo" gjatë dinastisë kineze Tang gjuhej kryesisht në ujrat e lumenjve.

Kultura ushqimore e dinastisë Song (960-1279)

Gjatë kësaj periudhe gatimi i përditshëm i familjeve të thjeshta ndryshoi nga dy vafte në tre. Kinezët kishin më shumë kohë të lirë për të menduar dhe për të provuar receta të ndryshme gatimi. Madje në këtë periudhë u shpikën mënyra të ndryshme gatimi, shumica e të cilave janë dhe sot mjaft të përhapura në Kinës, si hotpot, proshuta, salsa e errët, shkopinjtë e bukës së skuqur etj. Orizin në atë periudhë kinezët e përdornin për të gatuar ëmbëlsira si torta me mjaltë, me gështenja, me fasule etj. Demi duke qenë një kafshë rituali nuk përdorej për ushqim. Qysh nga dinastia Song janë trashëguar libra si " Dong Jing Meng Hua Lu", ku ruhen menu të tëra me gatime restorantesh dhe tavernash, me raste festash dhe ceremonish të ndryshme. Nëse gjykojmë nga artikujt ushqimorë të përdorur për këto gatime, si piperi, xhinxheri, salsa e sojës, vaji, kripa apo uthulla, dallohet se kuzhina e asaj periudhe ishte e ndryshme nga kuzhina e sotme kineze. Në Kinë që në dinastinë Zhou kishte ligje mbi sigurinë ushqimore. Në dinastinë Song, për rregullimin e industrisë ushqimore u përpiluan ligje të sigurisë ushqimore. Qeveria e kohës krijoi disa shoqata ushqimore, si për pijet, apo për restorantet. Çdo sipërmarrës që merrej me shitje artikujsh ushqimorë duhet të ishte anëtar i një shoqate dhe veprimtaria e tij monitorohej nga vetë shoqata.

Mrekulli
Lajmet Kryesore