Piktorja kineze përshkruan jetën e Perandoreshës Elisabeth të Austrisë

2018-03-29 14:48:03 CRI Komenti juaj Printoni

Panairi i librit në Lajpcig të Gjermanisë ka nisur të organizohet në fillim të shekullit të 19-të dhe është kthyer tashmë në një panair modern të njohur në botë. Ai zhvillohet çdo vit në periudhën mes marsit e prillit dhe është një ngjarje e rëndësishme kulturore në zonat gjermanishtfolëse.

Panairi i Librit i Lajpcigut tërheq shtëpi botuese të vendeve të ndryshme. Krahas paraqitjes së librave, në panair organizohen edhe seminare, takime të autorëve me lexues, ankande të veprave artistike etj. Në panairin e sivjetshëm u zhvillua edhe takimi i autores së "Albumit me piktura nga komedia muzikore 'Elisabeth'" (në gjuhën gjermane) me lexues europianë.

"Albumi me piktura nga komedia muzikore 'Elisabeth'" është krijuar nga piktorja e re kineze Chen Jianing dhe është botuar nga Shtëpia Botuese Popullore e Zhejiang-ut. Autorja ua paraqet lexuesve komedinë muzikore gjermane "Elisabeth" me shumë piktura tërheqëse. Kjo komedi muzikore përshkruan jetën e Perandoreshës së Austrisë Elisabeth Amalie Eugenie. Perandoresha Elisabeth është bashkëshortja e perandorit Franz Joseph I. Perandoresha Elisabeth njihet nga kinezët me një emër tjetër, Sissi, sepse në fund të viteve '80 të shekullit të kaluar, u shfaq në Kinë filmi "Princesha Sissi", një bashkëprodhim austriako-gjerman, që u mirëprit mjaft nga shikuesit kinezë.

Chen Jianing u shpreh se, kur e pa për herë të parë komedinë muzikore "Elisabeth" në vitin 2011, asaj e lindi interesi për kulturën gjermane:

"'Elisabeth' është një nga komeditë muzikore më të bukura në gjuhën gjermane. Princesha Sissi është pikërisht nga Bavaria e Gjermanisë. Prandaj ndihem e nderuar që marr pjesë në Panairin e Librit të Lajpcigut, sepse këtu është vendlindja e personazhit kryesor të librit tim."

Chen Jianing-u ka studiuar dizajn në Universitetin e Zhejiang-ut. Ajo filloi krijimin e albumit me piktura nga komedia muzikore "Elisabeth" në vitin 2015. Gjatë Samitit të G20-s të zhvilluar në vitin 2016 në kryeqendrën e provincës Zhejiang, Hangzhou, ky album u përzgjodh si një nga 26 arritjet shkencore e artistike të Universitetit të Zhejiang-ut dhe u shfaq në një ekspozitë për pjesëmarrësit në samit nga vende të ndryshme. Me miratimin e autorit të komedisë muzikore "Elisabeth" Michael Kunze, albumi u botua në shtator të vitit 2017.

Në takimin me lexues në Panairin e Librit të Lajpcigut, Chen Jianing u shpreh:

"Në të kaluarën, ka pasur pak libra me piktura nga shfaqjet e komedive muzikore. Shpresoj se ky album do të jetë një formë e re në këtë fushë."

Komedia muzikore "Elisabeth" u shfaq për herë të parë në vitin 1992 dhe është bërë sot një vepër përfaqësuese e komedive muzikore në gjuhën gjermane. Deri tani "Elisabeth" është përkthyer në shtatë gjuhë dhe është shfaqur në 13 vende. Në fund të vitit 2014, drama u shfaq për herë të parë në Shangai të Kinës.

Kur u shfaq në Kinë në vitet '80 të shekullit të kaluar filmi "Princesha Sissi", pamja e bukur dhe historia legjendare e princeshës nga Bavaria prekën thellë zemrat e kinezëve. Princesha Sissi është bërë një simbol i shkëmbimeve kulturore mes Kinës, Gjermanisë e Austrisë.

Përfaqësuesi ligjor i Kompanisë së Tregtimit së Librave të Kinës Huang Yulong u shpreh se veprat artistike e kanë afruar popullin kinez me popullin gjerman dhe atë austriak:

"Chen Jianing është një përfaqësuese e nxitjes së shkëmbimeve kulturore midis Kinës e vendeve të tjera. Ne mirëpresim më shumë vepra të shquara artistike të huaja në Kinë dhe njëkohësisht presim që më shumë vepra të njohura kineze të mirëpriten nga popujt e vendeve të tjera." (Fani)

Mrekulli