Teknologjia moderne ndihmon paraqitjen e relikteve të Pallatit Perandorak

2018-03-07 17:10:23 CRI Komenti juaj Printoni

Pallati Perandorak (i njohur edhe si Qyteti i Ndaluar) në Pekin ruan 1.86 milionë relikte të çmuara të periudhave të ndryshme të historisë së Kinës. Këto relikte pasqyrojnë procesin e zhvillimit të qytetërimit kinez dhe janë një thesar i kulturës kineze. Piktura "Pamja e bregut të lumit me rastin e festës 'Qingming'" është një prej tyre. Kjo është e vetmja vepër që ka mbetur deri më sot e piktorit të dinastisë Song, Zhang Zeduan, që ka jetuar para 1000 vjetëve, dhe është një nga reliktet më të çmuara në Pallatin Perandorak. Në këtë pikturë me një gjatësi mbi 5 metra përshkruhen në mënyrë të gjallë lulëzimi i kryeqytetit të dinastisë Song, Dongjing, dhe jeta e banorëve të tij. Piktura ka vlerë të lartë artistike e historike.

Ekspozita e fundit e pikturës "Pamja e bregut të lumit me rastin e festës Qingming" u zhvillua në vitin 2015, duke tërhequr shikues të shumtë, të cilët duhej të pritnin në radhë deri në 10 orë. Për të bërë më të njohura reliktet e koleksionit të vet dhe për t'u ofruar shikuesve një përvojë më të mirë të shikimit të trashëgimive kulturore, vitet e fundit, Pallati Perandorak ka shfrytëzuar teknologjinë e përparuar në këtë fushë. Anëtari i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe zv.drejtori i Muzeut të Pallatit Perandorak Wang Yamin u shpreh:

"Gjatë 5000 vjetëve të qytetërimit kinez, piktura 'Pamja e bregut të lumit me rastin e festës 'Qingming'' është një relikt i rëndësishëm. Piktura është e palëvizshme. Si të bëhet 'i gjallë' një relikt dhe si ta ndihmojmë çdo shikues ta gëzojë bukurinë e artit nga këndi profesional, kjo është tema që po studiohet nga Muzeu i Pallatit Perandorak."

Nëpërmjet teknologjisë moderne, Pallati Perandorak ka pasur rezultate të dukshme në fushën e mbrojtjes e të popullarizimit të relikteve. Në vitin 2016, Pallati Perandorak zhvilloi bashkëpunim me "Feniks TV", duke prodhuar versionin digjital të pikturës "Pamja e bregut të lumit me rastin e festës 'Qingming'" dhe duke i sjellë veprës së lashtë gjallërinë moderne. Me teknologjinë holografike etj., u shfaq përsëri skena e jetës së banorëve të dinastisë Song. Zv.drejtori Wang Yamin tha:

"Nëpërmjet teknologjisë multimediale, pamja e pikturës u bë e gjallë. Në një ekspozitë, shikuesit hipën në barkë dhe përjetuan peizazhin e lumit Bian të përshkruar në pikturë."

Në fund të vitit 2017, u zhvillua në Pallatin Perandorak forumi ndërkombëtar "Kulturë + teknologji". Specialistët e pesë muzeve kryesore të botës u takuan në këtë forum dhe zhvilluan shkëmbime mendimesh lidhur me mbrojtjen dhe ekspozimin e relikteve me teknologjinë moderne. Po në këtë forum, Pallati Perandarok shpalli krijimin e laboratorit të përbashkët inovativ për të gjetur mënyrat e mbrojtjes së trashëgimive kulturore me teknologjinë digjitale.

Sivjet është 600-vjetori i përurimit të Pallatit Perandorak. Duke folur për zhvillimin e ardhshëm të Pallatit, zv.drejtori Wang Yamin vuri në dukje:

"Drejtori i Muzeut të Pallatit Perandorak Shan Jixiang ka paraqitur objektivin për mbrojtjen e Pallatit në mënyrë të përkryer në 600 vjetët e ardhshëm. Sasia e relikteve të çmuara të koleksionit të Pallatit Perandorak zë rreth 42% të relikteve të çmuara të mbarë vendit. Këto relikte janë simboli i qytetërimit 5000-vjeçar të Kinës. Në të ardhmen, do të përdorim më tej teknologjinë për mbrojtjen e relikteve. Kemi krijuar një zonë digjitale, ku njerëzit mund të gjejnë në internet pothuajse të gjitha reliktet që ruhen në Pallatin e Perandorak."

Krahas kësaj, Pallati Perandorak ka krijuar një sërë aplikacionesh në celular për të përhapur njohuritë lidhur me reliktet. Disa prej tyre, si "Pallati Perandorak i përditshëm", "Kostumet e perandorëve të dinastisë Qing" etj., u zgjodhën si aplikacionet vjetore të "Apple", duke marrë titullin "Aplikacione vjetore më imagjinative e më tërheqëse".

Nëpërmjet teknologjisë moderne, reliktet e Pallatit Perandorak po shfaqin gjallëri të re, duke tërhequr më shumë njerëz. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore