Kina drejt 'rigjallërimit rural'

2018-03-07 16:44:24 CRI Komenti juaj Printoni

 

Kina historikisht ka qenë një vend bujqësor. Tani, në një kohë kur ekonomia e dytë më e madhe e botës kërkon të përmirësojë zhvillimin e saj të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror, rajonet rurale janë një nga prioritetet kryesore të qeverisë qendrore.

Kina publikoi kohët e fundit një paketë politikash nën "Dokumentin Qendror nr. 1" që do të shërbejë si udhërrëfyes për strategjinë e rigjallërimit rural të vendit.

Ky është dokumenti i 20-të Nr. 1 që nga zbatimi i politikës së 'Reformës dhe Hapjes'. Në të janë përmbledhur opinionet e Komitetit Qendror të PKK-së dhe të Këshillit të Shtetit mbi 'Strategjinë e Rigjallërimit të Fshatit'.

Dokumenti përfshin hapat që duhen ndjekur për përmirësimin e cilësisë së zhvillimit të bujqësisë, nxitjen e zhvillimit të gjelbër, zhvillimin e kulturës fshatare, formimin e sistemit të ri administrativ të fshatit, ngritjen e nivelit të garantimit të jetës së fshatarëve, përfitimin e luftës së kundër varfërisë, përkrahjen e talenteve, shtimin e investimeve etj.

Gjithashtu në këtë dokument, janë përcaktuar objektivat për rigjallërimin e fshatit deri në vitin 2020, kohë kur pritet të jenë shënuar arritje të rëndësishme për formimin e një sistemi bazë politikash. Ndërsa deri në vitin 2035, strategjia parasheh arritje domethënëse, duke përfshirë modernizimin e fshatit dhe të bujqësisë.

Han Jun, i cili kryeson Zyrën e Grupit Qendror Drejtues të Çështjeve Rurale, thotë se "strategji e rigjallërimit rural" nën "Dokumentin Qendror Nr. 1" do të sjellë më shumë mbështetje politike dhe financiare për zhvillimin rural.

"Ne duam të sigurohemi se financimet e qeverisë qendrore do të investohen drejt në sektorë që mund të ndihmojë rigjallërimin e zonave rurale. Dua ta bëjë të qartë, çdo huamarrje dhe veprimtari financiare nga qeveritë vendore duhet të rregullohet (me ligj). Qeveritë vendore nuk do të lejohen që të marrin borxhe në mënyrë të paligjshme në emër të zhvillimit rural. Një pjesë më e madhe e të ardhurave nga taksat mbi tokën duhet të përdoren për zbutjen e varfërisë dhe rigjallërimin rural," tha ai.

Chen Xiwen, zv.drejtor i Komitetit të Çështjeve Ekonomike pranë Konferencës Konsultative Politike, organit kryesor këshillues të Kinës, thotë se strategjia duhet të ndihmojë në rritjen e të ardhurave të fermerëve dhe të hapë më shumë vende pune.

"Qeveria qendrore ka propozuar strategjinë e rigjallërimit rural duke u bazuar në faktin se Kina ka një popullsi të madhe rurale. Një problem kyç që duhet zgjidhur është se si të hapim më shumë vende pune për fermerët dhe për të rritur të ardhurat e tyre në këtë epokë të re të zhvillimit ekonomik. Në një kohë që PBB-ja e vendit po ngadalësohet, qytetet mund të mos jenë më në gjendje të ofrojnë miliona vende pune për punëtorët ruralë si më parë. Prandaj duhet të përpiqemi të integrojmë industritë primare, sekondare dhe terciare në zonat rurale," thotë Chen.

Shumë specialistë thonë se hendeku i madh midis zonave urbane dhe rurale në aspektin e zhvillimit dhe niveleve të të ardhurave është bërë një çështje kyçe që pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Në "Dokumentin Qendror nr. 1" theksohet se Kina nuk mund të bëhet tërësisht e modernizuar pa modernizuar zonat e saj bujqësore dhe rurale.

Rigjallërimi i fshatit pritet të realizohet deri në vitin 2050, kohë kur do të jenë arritur objektivat për pasjen e një bujqësie të fortë, fshat të bukur dhe fshatarë të pasur.

Politika lokale do të luajë një rol të madh në përcaktimin se si të përmirësohen zonat rurale. Tashmë, objektivi i zhdukjes së varfërisë ka bërë hapa shumë të mëdha. Kina ka nxjerrë nga varfëria qindra milionë banorë që nga reforma dhe hapja. Pjesa më e madhe e kësaj është realizuar përmes procesit të industrializimit, rritjes së të ardhurave të banorëve në zonat rurale dhe urbane si dhe përmes hapave të bëra në programet sociale si arsimi i detyrueshëm dhe qasja në kujdesin shëndetësor. Vitet e fundit Kina ka punuar për zhdukjen e plotë të varfërisë ekstreme përmes programeve të trajnimit që synojnë punësimin e këtyre banorëve dhe lidhjen e fshatrave të izoluara me tregjet.

Kina gjithashtu është zotuar të përmirësojë furnizimin bujqësor. Një nga qëllimet e tij ka qenë lidhja e zonave rurale me tregjet, qoftë me ndërtimin e infrastrukturës ose duke lidhur agjentët e tregut me furnizuesit e fshatrave. Zyrtarët gjithashtu janë zotuar të përmirësojnë reformën strukturore në bujqësi për të rritur cilësinë e prodhimit në mënyrë që të plotësojnë kërkesat në rritje dhe në ndryshim të konsumatorëve. Zyrtarët gjithashtu janë fokusuar tek produktiviteti rural, duke u përpjekur të ulin kostot e larta të prodhimit me të cilat ballafaqohen fermerët, nëpërmjet burimeve më të mira të shpërndarjes. Ndryshimi i shijeve të konsumatorëve kinezë ka çuar në një kërkesë më të lartë për prodhimet e qumështit dhe të mishit, për shembull, dhe për më pak kërkesa për lloje të caktuara të drithërave.

Rëndësia e mirëqeverisjes në nivel lokal është theksuar gjithashtu në dokument. Aty vihet theksi në frenimin dhe eleminimin e korrupsionit. Për shembull, përdorimi i tokës bujqësore për ndërtimin e vilave duhet të ndalohet.

"Dokumenti Qendror nr. 1" konsiderohet si politika më e rëndësishme e vitit dhe e vë theksin mbi bujqësinë dhe mirëqenien rurale. Përmirësimi i prodhimit bujqësor dhe i jetesës rurale do të reduktojë pabarazinë në rritje të Kinës dhe do të inkurajojë njerëzit të jetojnë në zonat rurale në vend që të emigrojnë në qytete të mëdha. Kina, për shumë vite, ka synuar të balancojë rritjen midis zonave rurale dhe urbane, veçanërisht midis qyteteve bregdetare lindore dhe rajoneve më rurale. Megjithatë, duket se ky fokus i politikave është projektuar për të kapërcyer sfidat e mëparshme për rritjen e ekuilibruar duke krijuar qasje më të mirë në jetesën dhe shërbimet për përmirësimin e jetës.

Fokusi në zhvillimin e zonave rurale bëhet për të siguruar që rajonet rurale të mos mbeten pas, pasi vendi synon gjithashtu të rrisë nivelin e urbanizimit. Urbanizimi ka qënë një synim politik për vite me radhë, me përpjekje për të zhvendosur fshatarët në qytete dhe për të zgjeruar qytetet në zona periferike. Ndërsa Kina tani nënvizon rëndësinë e modernizimit të bujqësisë dhe rritjen e pasurisë së popullsisë në zonatrurale, qeveria po punon për mbrojtjen e burimeve ushqimore si dhe mjetet e jetesës së atyre që i prodhojnë këto burime.

Së fundmi, teoria ekonomike tregon se modernizimi i bujqësisë është një hap thelbësor në procesin e zhvillimit; pa të, sektori rural mbetet prapa dhe sektorit urban i mungojnë burimet kryesore të ushqimit dhe të punës. Përmirësimi i gjendjes së bujqësisë do të rrisë mirëqenien e fshtarëve dhe gjithashtu do të zvogëlojë pabarazinë midis zonave urbane dhe rurale dhe do të mbështesë sektorin urban duke ofruar ushqim të nevojshëm sipas kërkesës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore