"Zemra e Europës" ndez fenerët kinezë

2018-02-28 17:41:10 CRI Komenti juaj Printoni

Në kryeqytetin e Belgjikës Bruksel ndodhet selia e Bashkimit Europian. Me rastin e Vitit të Turizmit Kinë-Europë 2018 dhe Vitit të Ri Kinez, të enjten e kaluar, u hap në këtë qytet ekspozita e fenerëve nga qyteti Zigong i provincës Sichuan në Kinën Jugperëndimore. Kjo veprimtari organizohet bashkërisht nga qeveria kineze, qeveria belge dhe Bashkimi Europian. Në sheshin e madh në qendër të qytetit të Brukselit, fenerët e mëdhenj shumëngjyrësh të prodhuar në Kinë ndriçonin para ndërtesave mesjetare europiane, duke krijuar atmosferën e gëzuar të Vitit të Ri Kinez.

Të enjten në mbrëmje, temperatura 4 gradë nën zero nuk pengoi entuziazmin e njerëzve në sheshin e madh të Brukselit. Mes brohoritjeve të të pranishmëve, u ndezën feneri i madh në formën e Tempullit të Qiellit në Pekin, feneri në formën e "Atomiumit" të Brukselit dhe fenerë të tjerë me forma të ndryshme, si panda, mjellma, figurat e zodiakut kinez etj.

Turistët e pranishëm fotografuan ose regjistruan me aparatet e tyre fotografike, kamerat ose celularët këtë skenë të bukur. Turistja kineze Liu Ting është një prej tyre. Ajo është pekinase dhe këtë vit për herë të parë e festoi në Belgjikë Vitin e Ri Kinez, që njihet edhe si Festa e Pranverës. Znj. Liu u shpreh:

"Jam lindur dhe rritur në Pekin. Kam fatin ta shoh në zemër të Europës fenerin në formën e Tempullit të Qiellit, që ndodhet në vendlindjen time, duke ndier atmosferën e fortë të festës kineze. Tani bota i kushton më shumë vëmendje Festës së Pranverës të Kinës, duke organizuar shumë veprimtari kremtuese. Kjo tregon se kultura kineze po ushtron një ndikim më të madh."

Në turmën e njerëzve që po shikonin fenerët në shesh, vëmendje tërhiqnin edhe disa belgë të cilët flisnin kinezisht. Ata ishin studentë të Institutit "Konfuci" në Bruksel. Një prej tyre, Florence, e studion gjuhën kineze prej më shumë se dhjetë vjetësh. Asaj i pëlqen shumë kultura tradicionale kineze:

"Kjo është hera e parë që marr pjesë në këtë veprimtari të posaçme. Ekspozita e bukur e fenerëve ka krijuar një atmosferë të kremtimit të Vitit të Ri Kinez si në Kinë. Tani kultura kineze njihet gjerësisht nga belgët dhe kjo veprimtari mund të thellojë më tej njohjen mes popullit belg dhe popullit kinez."

Ekspozita e fenerëve kinezë do të zgjasë për një javë, duke qenë një nga veprimtaritë që do të zhvillohen gjatë Vitit të Turizmit Kinë-Europë 2018. Para fillimit të ekspozitës, në Bashkinë e Brukselit u dha një pritje, ku zv.guvernatori i provincës Sichuan të Kinës Yang Xinping i njohu të pranishmit me Festën e Fenerëve të Zigong-ut. Kjo festë është një veprimtari folklorike tradicionale dhe zhvillohet me rastin e Vitit të Ri Kinez. Festa është e njohur veçanërisht për shkak të fenerëve të mëdhenj e të bukur që ndizen gjatë saj. Deri tani, bashkia e Zigong-ut ka organizuar në mbi 30 vende e rajone të botës ekspozitën e fenerëve.

Nga ana e saj, zv.drejtorja e përgjithshme për Tregun e Brendshëm, Industrinë dhe Sipërmarrjen e Komisionit Europian Irmfried Schwiman u shpreh se ekspozita e fenerëve kinezë është një nga aktivitetet e rëndësishme të Vitit të Turizmit Kinë-Europë, por objektivat e organizimit të Vitit të Turizmit Kinë-Europë. "Turizmi është një mënyrë për shtimin e njohjes mes Europës e Kinës. Kremtimi i Vitit të Turizmit Kinë-Europë do të jetë në favor të forcimit të njohjes mes popujve europianë dhe popullit kinez," theksoi ajo.

Siç bëhet e ditur, në prag të Ditës së BE-së më 9 maj, BE-ja do të organizojë në disa qytete kineze veprimtari për të nxitur shkëmbimet njerëzore e kulturore dypalëshe. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore