Lulet, një pasion i grave kineze

2018-02-28 19:19:35 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, gratë në qytetet anembanë Kinës kanë formuar zakonin e porositjes së luleve të freskëta në internet. Me këto lule ato zbukurojnë shtëpitë dhe zyrat e tyre. Shumë prej tyre pëlqejnë të postojnë foto të luleve të vendosura bukur në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale, të tilla si WeChat Moments.

Ato përshëndesin kolegët e tyre me fjalë të tilla si, "Çfarë lule keni sot?" Këto gra ndihen të lumtura dhe të relaksuara kur shohin lulet e bukura në tryezat e tyre. Ndërsa lulet po bëhen një pjesë e domosdoshme e jetës së përditshme të grave kineze, pronarët e bizneseve po kapin mundësi të ndryshme për t'u bërë të pasur.

Krahasuar me lulet që janë dhënë si dhurata, për raste të ndryshme, lulet e përdorura si dekorime në jetën e përditshme priren të blihen nga konsumatorët në mënyrë të vazhdueshme. Çmimi i luleve për përdorim të tillë është përgjithësisht më i ulët se lulet për dhurata, të tilla si trëndafilat në Ditën e Shën Valentinit.

Në vitin 2015, Holanda publikoi ​statistika për tregun e luleve të vendit. Sipas të dhënave, 40-60 për qind e konsumatorëve nga vendet e zhvilluara, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Europës, blejnë lule në përgjithësi për të dekoruar shtëpitë dhe zyrat e tyre. Në Kinë, megjithatë, shumica e konsumatorëve kanë tendencë për të blerë lule si dhurata për raste të veçanta.

"Flower Plus", një luleshitës popullor në internet ka publikuar të dhënat e fundit të hartuara nga sondazhi i konsumatorit. Statistikat tregojnë se më shumë se 90 për qind e klientëve të "Flower Plus" ishin gra, shumica e të cilëve ishin profesioniste të moshës 25-38-vjeçare. Pronarët e bizneseve online, të tilla si Flower Plus, kanë shumë mundësi për të eksploruar tregun e luleve që synojnë profesionistet, veçanërisht ato me të ardhura të qëndrueshme dhe të mira.

"Kush mund të jetë burimi i lumturisë në jetën tonë të përditshme?" pyeti dikur Zhu Yueyi, themeluesja e dyqanit online "Reflower".

"Lumturia shpesh rrjedh nga gjërat e vogla në jetën tonë. Ndihem tepër e lumtur kur blej lule, gjatë fundjavave dhe i shkurtoj bishtat për të formuar një buqetë të bukur, dhe pastaj i vendos në një vazo," tha ajo.

Motivuar nga ideja për të sjellë lule në jetën e përditshme të njerëzve dhe duke përdorur lule për t'i bërë njerëzit të lumtur, Zhu themeloi Reflowing në vitin 2015. Përmbushja e porosive dhe shpërndarja e luleve në baza të rregullta janë shërbimet kryesore që ofron Reflower.

Një porosi e thjeshtë kushton 99 juanë (14.78 dollarë) për katër buqeta lule në javë. Një porosi e tillë përfshin të paktën katër lloje lulesh.

Zhu beson se teknikat janë çelësi për zhvillimin e biznesit. Ajo sugjeron se pronarët e bizneseve online duhet të zhvillojnë teknika për të ruajtur freskinë e luleve gjatë shpërndarjes në një distancë të gjatë.

"Pronarët e dyqaneve tradicionale të luleve i kushtojnë shumë vëmendje standardeve të vendosura nga furnizuesit. Merrni trëndafilat si shembull, pronarët e dyqaneve gjykojnë cilësinë e një trëndafili nga gjatësia e tij. Konsumatorët në përgjithësi kujdesen më shumë për freskinë, madhësitë dhe ngjyrat e luleve. Ne kemi pajisje që ruajnë në mënyrë të qendrueshme temperaturën e duhur për të mbrojtur lulet. Tani ne mund të transportojmë lule, rrënjët e të cilave i ruajmë në ujë, nga Provinca Yunnan e Kinës Jugperëndimore në qytetet si Pekini dhe Shangai", thotë Zhu.

Duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë në Kinë të tregtisë në internet, luleshitësit online po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh klientësh. Gjatë dy viteve të fundit, "Reflower" numëroi pesë milionë klientë.

Sipas statistikave nga Gao Junping, një profesor në Universitetin Bujqësor të Kinës, në vitin 2016 në mbarë Kinën u shitën rreth 25 miliardë lule, ose 25 për qind më shumë se në vitin 2015.

Zhvillimi i shpejtë i dyqaneve në internet të luleve ka nxitur pronarët e dyqaneve tradicionale të luleve të përmirësojnë shërbimet e tyre.

Shen Jie ka një dyqan lulesh, Monet Floral, në Haining, një qytet në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Ajo jo vetëm shet lule dhe bimë në vazo, por gjithashtu ofron dekorime për dasma dhe organizon trajnime për konsumatorët për të mësuar më shumë mbi lulet.

Po cila është është përshtypja e Shen për lulëzimin e biznesit online të luleve? "Aktualisht, shërbimet e luleve online kanë avantazhe, siç janë çmimet e ulëta, dërgesat e përshtatshme dhe një gamë e gjerë klientësh. Cilësia e luleve është e mirë", thotë ajo. Duke u përballur me konkurrencën e ashpër shkaktuar nga floristët në internet, Shen po promovon konceptin "më shumë se lule".

Kostoja e një porosie nga dyqani Shen është pak më e lartë se çmimi mesatar i vendosur nga luleshitësit online. Por Shen ofron një përzierje të lule të ndryshme e me cilësi të mirë. Për të ruajtur freskinë e luleve, Shen ofron vetëm lule brenda Haining. Për konsumatorët e saj të rregullt - dhe të rëndësishëm - ofrohen shërbime shtesë, si p.sh. rregullimi i luleve dhe pastrimi i vazove.

"Ne bëjmë krijime të veçanta, bazuar në atë se si klientët tanë planifikojnë të vendosin lulet në shtëpitë ose zyrat e tyre. Konsumatorët mund të porosisin që lulet tona të dorëzohen një herë ose dy herë në javë", shton Shen.

Zhvillimi i biznesit të luleve në internet në vitet e fundit, ka ndihmuar në rritjen e tregut të luleve në Kinë. Shen është e kënaqur kur sheh një numër në rritje njerëzish që tregojnë interes për ta bërë lulen pjesë në jetën e tyre të përditshme.

Mrekulli
Lajmet Kryesore