Përhapja e kulturës së Festës së Pranverës jashtë vendit

2018-02-22 14:49:38 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, kultura e Festës së Pranverës, siç njihet ndryshe Viti i Ri Kinez, është bërë më popullore jashtë Kinës dhe atmosfera e festimit të Vitit të Ri Kinez po ndihet gjithnjë e më shumë në mjaft vende të tjera. Magjia e kulturës tradicionale kineze po tërheq më shumë të huaj.

Festimi i Vitit të Ri Kinez edhe jashtë vendit ka lidhje me faktin që shumë kinezë punojnë e jetojnë në vende të ndryshme. Tani shumë prindër kinezë shkojnë në vende të tjera për të kremtuar së bashku me fëmijët e tyre Festën e Pranverës. Zoti Shen punon në një kompani në Kaliforni të ShBA-së. Për shkak të ngarkesës në punë, këtë vit ai nuk mundi të kthehet në Kinë për kremtimin e Festës së Pranverës, prandaj prindërit e tij shkuan posaçërisht në ShBA për të ashtuquajturin ribashkim të familjes.

"Çdo vit në Festën e Pranverës, ne të gjithë anëtarët e familjes hamë bashkë jiaozi. Jiaozi-të me mbushje të larmishme simbolizojnë bashkimin e familjes. Sivjet familja jonë u ribashkua në ShBA. Hëngrëm bashkë jiaozi këtu, duke kremtuar një festë të bukur," tha nëna e zotit Shen.

Për të përhapur kuzhinën kineze e për të plotësuar kërkesat e kinezëve jashtë vendit për të shijuar gjellët e vendlindjes, këtë vit gjatë Festës së Pranverës, Ministria e Kulturës e Kinës dhe Federata Botërore e Kuzhinës Kineze organizuan së bashku në disa vende, si ShBA, Korenë e Jugut, Egjipt etj., veprimtarinë "Festa e Pranverës e gëzuar – darka e lëvizshme e Vitit të Ri".

Në veprimtarinë e zhvilluar në Los Anxhelos, kuzhinierë të disa restoranteve të famshme kineze me histori të gjatë përgatitën për kinezët dhe qytetarët e Los Anxhelosit shumë gjellë tradicionale kineze, si jiaozi, rosën e pjekur e Pekinit, qofte me karkaleca deti etj.

Shefi i gatimit i kësaj veprimtarie Sun Xiaochun u shpreh: "Erdha për herë të parë në vitin 1985 në ShBA për të marrë pjesë në performanca lidhur me gatimin. Atëkohë, shumë restorante të kuzhinës kineze në ShBA nuk gatuanin me cilësi të lartë. Tani kuzhina kineze në ShBA është zhvilluar shumë shpejt dhe me shtimin e restoranteve të kuzhinës kineze, edhe niveli i gatimit është ngritur shumë."

Në prag të Festës së Pranverës Kineze të këtij viti, Ndërtesa "Empire State" në Nju-Jork u vesh me ngjyrë të kuqe dhe të artë për t'u shprehur kinezëve urime e përshëndetje me rastin e festës. Kjo traditë filloi në vitin 2001. Në çdo Festë Pranvere, "Empire State" ndriçon nga ngjyra e kuqe dhe e artë. Më pas, edhe metropole të tjera ndërkombëtare, si Parisi, Londra, Moska etj., e kopjuan këtë mënyrë festimi për t'u shprehur kinezëve urime për festën e tyre.

Bashkëshorti i zonjës kineze Li, Paul, është nga Franca. Sipas tij, tani shumë francezë e përdorin rastin e Festës së Pranverës për t'u takuar me miqtë në ndonjë restorant të kuzhinës kineze në Francë. Ndër gjellët kineze, jiaozi-të dhe mishi i derrit i ëmbël dhe i thartë janë më të pëlqyerat nga francezët. Paul shtoi se zodiaku kinez është një temë tjetër që tërheq francezët, sepse zodiaku ka lidhje me fatin e tërë vitit.

Në vitin 1980, Kina emetoi për herë të parë një pullë me temën e zodiakut, me rastin e Vitit të Qenit. Në fakt, Kina nuk është vendi i parë në botë që nxjerr një pullë me këtë temë. Në vitin 1950, në Japoni u emetua pulla e Vitit të Tigrit sipas zodiakut kinez. Më pas, Filipinet, Kanadaja, Hungaria etj. publikuan pulla të tilla. Deri tani, më se 100 vende e rajone të botës kanë emetuar pulla lidhur me zodiakun kinez.

Duke folur për këtë dukuri, profesori i Universitetit të Medias të Kinës Liu Zixiong u shpreh se në vende të ndryshme ka komunitete të mëdha kinezësh. Ata e kanë çuar kulturën kineze në vende të ndryshme dhe gradualisht disa elemente të kulturës kineze janë bërë pjesë e shumësisë kulturore vendore e pranuar nga autoritetet dhe banorët e këtyre vendeve.

Disa prej këtyre vendeve kanë publikuar pulla me temën e zodiakut kinez si shenjë falënderimi lidhur me kontributin e emigrantëve kinezë për zhvillimin e këtyre vendeve, duke shprehur urime e përshëndetje me rastin e Vitit të Ri Kinez. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore