Simbolet e jetëgjatësisë në Kinë

2018-02-22 15:19:10 CRI Komenti juaj Printoni

Jetëgjatësinë e ëndërrojnë të gjithë, pa përjashtim. Sa Institute Kërkimore dhe studimore në botë merren me jetëgjatësinë. Por ka disa vende në botë ku jetëgjatësia është më e lartë se sa në disa të tjerë. Për jetëgjatësi merret si kriter ai i përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe eshtë mosha 75 vjeç. Vilcabamba në Ekuador, Georgia në Transkaukaz, Bama në Rajonin Autonom Guangxi Zhuang dhe Hetian në Rajonin Autonom të Xinjiang-ut, të dy rajonet e fundit në Kinë. Të gjitha këto zona janë njohur zyrtarisht si me popullsinë më jetëgjatë në botë nga Shoqëria Ndërkombëtare e Mjekësisë dhe Natyrës.

Vilcabamba

E njohur si "Lugina e jetëgjatësisë", Vilcabamba ndodhet në zonën malore në jug të Ekuadorit. Banorët e këtushëm zakonisht jetojnë deri në 100 vjeç, madje dhe më shumë. Ata ushqehen kryesisht me perime dhe fare pak me mish apo ushqime me shumë kalori.

Georgia

Popullsia në Georgia të Transkaukazit është 9.5 milion banorë dhe ata mund të krenohen me numrin më të madh në botë të banorëve jetëgjatë.Madje në dialektin kaukazian as nuk ekziston fjala "i moshuar", por ata shpesh thonë " mbi shekullorët". Në Georgia ka banorë me moshë 130 apo 140 vjeçare. Ushqimi kryesor i këtyre banorëve është buka e misrit dhe qulli. Ata nuk përdorin proshuta apo prodhime të tjera mishi dhe pijnë ujë me elemente alkaline.

Bama

Bama, e populluar nga kombësia Yao, ndodhet në shpatet malore të pellgut, në rrafshnaltën Yunnan-Guizhou, në jugperëndim të Kinës. Bama është një nga rajonet "jetëgjata" ku numri i mbi njëqindvjeçarëve rritet. Me një popullsi prej 238 mijë banorësh në Bama jetojnë 74 persona mbi 100 vjeç, ndërsa 531 të tjerë janë mbi 90 vjeç.Kjo është një nga zonat me përqëndrimin më të madh të jetëgjatëve në botë.Në Bama banorët konsumojnë ushqime me pak kalori, pak yndyrë, pak kripë, por me nivel të lartë vitaminash dhe fibrash.Dieta e tyre e përditëshme ushqimore përbëhet nga një racion oriz.

Hetian

Zona Hetian në Rajonin Autonom të Xingjiang-ut është bërë e njohur në botë për banorët e saj jetëgjatë dhe genet e tyre, kryesisht ata që banojnë në fshatin Layisu. Ky fshat me 2400 banorë ka 16 vetë mbi 90 vjeç. 77.7 % e ushqimit të tyre të përditshëm përbëhet nga misri, bizelet dhe perime të tjera.

Sipas ekspertëve, jetëgjatësia lidhet ngushtë me dietën ushqimore. Madje ata këshillojnë 5 pika, për të gjithë personat që duan të kenë jetë të gjatë. Së pari, ushqimi kryesor të jenë perimet. Së dyti të balancohen perimet me mishin në ushqimin e përditshëm. Së treti, niveli i kalorive dhe i proteinave të jetë i arsyeshëm dhe jo shumë i lartë. Së katërti, niveli i kripës në ushqimin e përditshëm të jetë i ulët dhe niveli i yndyrës të jetë i balancuar. Ndërsa këshilla e pestë dhe e fundit e ekspertëve ka të bëjë me marrjen e mineraleve nëpërmjet ushqimit dhe të balancohen në ushqimin e përditshëm acidet me alkalinat.

Simbolet kineze të jetëgjatësisë

Në Kinë jetëgjatësia është një argument tepër i preferuar. Madje përgjatë historisë dhe kulturës së lashtë kineze ekzistojnë shumë simbole të saj. Ato janë vërtet intriguese. Keni menduar ndonjëherë se kungulli mund të jetë simbol i jetëgjatësisë? Ja pra që sipas Feng Shuit është. Një jetë e gjatë dhe e shëndetshme është një nga qëllimet e përjetshme të njerëzimit.

Cilat janë simbolet kineze të jetëgjatësisë?

Bambuja-Konsiderohet në kulturën kineze simbol i jetëgjatësisë për shkak të forcës,të qenit gjithmonë e gjelbër dhe mjaft rezistente. Kjo bimë mund të përballojë çdo tekë të nënës natyrë dhe të mbijetojë e gjelbër gjatë gjithë vitit.Përshtatja e kësaj bime me natyrën mund të jetë një shembull mbijetese dhe për vetë njerëzit, si dhe një sekret i jetëgjatësisë së bambusë.Praktikuesit e Feng Shuit këshillojnë që përballë shtëpisë të vendosni një bimë bambuje si simbol i jetës së gjatë dhe të lumtur.

Gjinkalla- një tjetër simbol i jetëgjatësisë së Kinë. Në kohët e lashta kinezët para se të varrosnin të vdekurit i fusnin një gjinkallë në gojë. Ata besonin se kështu i vdekuri do të kishte një jetë të lumtur pas vdekjes. Gjinkalla konsiderohet dhe si një simbol i rinisë së përjetshme dhe i lumturisë. Gjinkalla është një nga insektet që rron më shumë, ndaj dhe në Kinën e lashtë njihej si simbol i jetëgjatësisë.

Çafka-Në mitet kineze njihen katër lloje çafkash, e bardhë, e verdhë, blu dhe e zezë. Mendohet se çafka e zezë rron deri në 600 vjet. Kur një çafkë fluturon drejt reve ajo simbolizon jetëgjatësinë dhe fisnikërinë. Kur fluturon pranë pishave simbolizon vendosmërinë, shëndetin dhe fuqinë. Kur sheh dy çafka bashkë është kulmi i jetëgjatësisë. Edhe Feniksi kinez është zogu simbol i jetëgjatësisë.

Dreri- Në Kinën e lashtë njihej si simbol i jetëgjatësisë.Në gjuhën kineze dre do të thotë "lu" që nënkupton edhe të ardhurat materiale. Ndaj si pasojë kemi një kombinim të këtij emri me një jetë të pasur.Në artin kinez dreri është simbol edhe i famës dhe i një karriere mjaft të gjatë.

Kungulli- Mendohet se është një simbol i jetëgjatësisë dhe fatit të mirë. Sipas kulturës së lashtë kineze brenda një kungulli ruhet nektari magjik, që konsumohej nga hyjnitë budiste.Perëndia kineze e jetëgjatësisë, që njihet si Sau i jepte dishepujve të tij kunguj, që sipas mitologjisë përmbanin elizirin e pavdekësisë.Në traditën kineze kungujt gjenden shpesh të pikturuar në shtëpi apo ambjente të ndryshme, pasi besohet se shpërndajnë energjinë e jetëgjatësisë.

Perëndia e Jetëgjatësisë- quhet Sau dhe është mjaft popullor në mitet kineze.Shpesh figurën e tij e gjejmë duke mbajtur në dorë një pjeshkë, që simbolizon gjithashtu frutin e perëndive, që i lejonte ata të jetonin pafundësisht.Madje shpesh Sau gjendet në piktura të ndryshme, i ulur në një dre, një tjetër simbol i jetëgjatësisë.

Pjeshka- Pema e pjeshkës sipas kulturës tradicionale kineze është simbol i jetëgjatësisë. Çdo pjesë e pemës së pjeshkës ka domethënien e vet. Thuhet se druri i pjeshkës largon djallin, kurse magjitë taoiste bëheshin me petalet e luleve të pjeshkës. Efekti i tyre ishte i menjëhershëm tek burrat, duke i marrosur ata pas grave që i dashuronin.Tradita kineze thotë se drurët e pjeshkës të mbjellë në malet Kun Lun çelin fruta një herë në 3 mijë vjet, ndaj dhe janë simbol i jetëgjatësisë. Kur këto pemë çelin fruta, 8 të pavdekshmit i hanë ato dhe fitojnë përjetësinë.

Pisha-Konsiderohet si simbol i jetës së gjatë për shkak se gjatë gjithë kohës është një pemë e gjelbëruar. Në artin kinez tradicional pisha gjendet shpesh krahas simboleve të tjera, si perëndia Sau, pjeshka apo dreri.Të kesh pemë pishe në kopështin e shtëpisë, sipas kulturës së lashtë kineze është simbol i jetëgjatësisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore